Liderët e rinj, ish-ministrja Gjosha trajnim te “Luarasi”

Jan 25, 2020 | 15:16
SHPËRNDAJE

Në universitetin “Luarasi” vijojnë sesionet e trajnimit “Lidershipi në politikë” nga McCain Institute Arizona State University.gjosha

E ftuara speciale e kësaj jave ishte Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit dhe ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në një bashkëbisedim të hapur me studentët e këtij programi, Gjosha foli mbi eksperiencën e saj në politikë e lidership, duke vënë theksin mbi promovimin e një modeli të ri, që mund të krijohet veçse me ndryshimin e mentalitetit të partive politike.

“Pas viteve ’90, ne e keqkuptuam institucionin, demokracinë, lirinë e individit për të ecur përpara dhe për ta fituar vendin e punës. Shpeshherë, këto janë nocione që lidhen me partinë. Unë mendoj se këtu duhet të fillojë ndryshimi, por, që të arrish këtë, duhet të ndryshojnë partitë politike. Nëse duam të shohim sesi do të funksionojë vendi nesër, le të shohim sesi funksionojnë së brendshmi partitë politike. Nëse meritokracia funksionon brenda, të jeni të bindur që qeveria do të jetë shumë herë më e mirë, shumë herë më e përgjegjshme”. Për sa i përket largimit masiv të të rinjve nga Shqipëria, Klajda Gjosha propozoi një analizë të mirëfilltë mbi këtë fenomen. Ish-deputetja e LSI-së vuri theksin mbi hartimin e një strategjie kombëtare për ekonominë në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

“Ne kemi nevojë për një strategji kombëtare mbi ekonominë. Duhet të biem dakord njëherë e mirë që një reformë në ekonomi, e cila merret nga një qeveri, nuk duhet të ndryshojë nga tjetra, duhet të biem dakord që ekonomia duhet të shkojë në një linjë për të ndihmuar qytetarët. Ka nevojë për një analizë të mirëfilltë për shkaqet pse largohen shqiptarët. Këtu kthehemi sërish te besimi që kanë te lidershipi. A ka njerëz, te të cilët mund të shohin të ardhmen e tyre, por edhe një lider që të sigurojë në fund të fundit qëndrueshmërinë e tyre në këtë vend?! Ne duhet t’u tregojmë të rinjve se, sidomos në vendin tonë, ka nevojë për një lidership të ri, me një energji pozitive për njerëz që e duan Shqipërinë dhe duan të bëjnë më të mirën për të. Besoj se nga këtu duhet të fillojmë”.

Programi “Lidershipi në politikë” nga McCain Institute ka si synim ekspozimin e liderëve të rinj shqiptarë ndaj personaliteteve të ndryshme lokalë dhe ndërkombëtarë. Bashkëbisedimet e hapura mbi lidershipin në politikë do të finalizohen javën e ardhshme me certifikimin e të gjithë studentëve që ishin pjesë e këtyre sesioneve trajnuese. Politikanët e ftuar në dy javët e mëparshme ishin Ditmir Bushati, ishministër i Jashtëm i Shqipërisë, anëtar i Kryesisë së PS-së, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe së fundmi edhe i dërguar special i vendit tonë në OSBE, si edhe Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Kryesisë së PD.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura