Liceu Francez, fati i paracaktuar i të rinjve, që donin dijen perëndimore

Feb 8, 2018 | 11:13
SHPËRNDAJE

ERMIRA XHOAMQI

Në bankat e këtij liceu, qindra të rinj shqiptarë u mbrujtën me idetë e iluminizmit dhe të së drejtës, të barazisë, të pluralizmit e të demokracisë, nisën projektet e tyre të para plot shpresa e dëshira për të ardhmen, lexuan për herë të parë pamfletet e Hygoit, admiruan Volterin në vlerësimin e tij për Gjergj Kastriot Skënderbeun, si edhe mësuan për gjithë ata shkrimtarë francezë që kishin ngritur lart figurën e heroit tonë kombëtar.11414141

Një frymë e re u ndje në gjeneratën e tyre dhe në krejt shoqërinë shqiptare, një entuziazëm i ri i mbartur nga ata studentë të talentuar, të etur për dije e kulturë, të cilët studiuan më pas në mbarë qytetet europiane: në Romë, Paris, Montpellier, Toulouse, Grenoble, Lyon etj., duke krijuar kështu atë plejadë të çmuar të elitës shqiptare, ëndrra e së cilës për një Shqipëri të re, do të zhytej shpejt dhe dhimbshëm në terrin që i ofroi diktatura.

Pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë të ardhur në Francë në vitet në vitet 20′-30′, kishin mbaruar Liceun Francez të Korçës dhe kjo edhe për faktin se vetëm studentët e këtij liceu pranoheshin pa kryer studime plotësuese në universitetet franceze dhe integrimi i tyre në to ishte i menjëhershëm.

E ndërsa për disa prej këtyre liceistëve jeta pasuniversitare vazhdoi një rrjedhë relativisht të qetë e të patrazuar, për shumë të tjerë vorbulla e saj i përfshiu dhe i flaku ata në një tragjedi të paparë. Sigurisht ky shkrim merr përsipër jo të relatojë kalvarin nëpër të cilin u rrokullis jeta e të rinjve ishliceistë të Korçës, të cilët pa dyshim, nëse do të jetonin, do të kishin qenë shtylla të forta në fusha të ndryshme të mendimit ligjor dhe të drejtësisë shqiptare, të shkencave politike dhe filozofisë, të ekonomisë dhe letërsisë, të mjekësisë, inxhinierisë dhe agronomisë, të cilët do të ngrinin e do të ndërtonin bazat e një shteti shqiptar europian e demokratik, por gjithsesi këto rreshta janë një përpjekje për t’u bërë homazh këtyre personaliteteve, jeta e të cilëve mori rrapëllimën e mbrapshtë dhe humbi e u shkatërrua në vitet e regjimit totalitar.

Ata u shuan mizorisht në kulmin e shkëlqimit të tyre dhe ende nuk kanë gjetur vendin që u takon në panteonin e mendimit intelektual shqiptar. Historia e ish-liceistëve të Korçës, dëshmon për energji të tëra njerëzore të pafajshme, mbytur me një lehtësi kriminale nga “fitimtarët”, nën diktaturë, ndërkohë që kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë aq i çmuar dhe i vyer për Shqipërinë e pasluftës.

“I referohem këtu, pikërisht viteve kur menjëherë pas çlirimit të vendit, idetë perëndimore dhe republikane të një elite të përgatitur në nivelet më të larta të universiteteve europiane do të binin ndesh me konceptin absurd stalinian dhe ideologjinë bolshevike të Lindjes. Ideologji, e cila iu diktua Shqipërisë në atë periudhë nga Enver Hoxha, një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës, i cili u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Montpellier.

Në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në fondin e arkivave të Fakultetit të Shkencave, ruhet gjithashtu edhe dosja universitare e diktatorit Hoxha në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439. Në dosjen e tij nuk figuron asnjë notë dhe asnjë diplomë.

A mos ishte vallë ky dështim shkaku i armiqësisë së thellë të tij me bashkëliceistët e Liceut të Korçës? Fati i atyre, që në vitet e liceut u kryqëzuan me diktatorin Hoxha, do të ishte tragjik. Ky pikëtakim dhe përplasja e tyre ideologjike, do t’u kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë mjaft prej liceistëve të Korçës. Sepse shumë prej tyre që e kishin njohur nga afër Hoxhën, miq dhe shokë, por edhe ata që e njohën në mënyrë të rastësishme, u bënë pjesë e një vargu të gjatë eliminimesh dhe ekzekutimesh. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën, menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri.”

Dhe lista e tyre është e gjatë pafund… Midis tyre edhe Sabiha Kasimati (1912-1951), vajza e parë shqiptare e diplomuar në Liceun Francez të Korçës, e cila përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos në Itali. Megjithëse nuk u angazhua në politikë, ajo mbajti një qëndrim protestues ndaj regjimit diktatorial. U arrestua në vitin 1951, pas incidentit të bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë dhe u pushkatua pa gjyq më 26 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Në vitet e gjata të internimit, pas lirimit nga burgu, Abdulla Rami (1908-1973), bashkëliceist e në të njëjtën klasë me Kasimatin e Hoxhën në Liceun Francez të Korçës dhe i lauruar në jurisprudencë në Universitetin e Montpellier-së.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve në Francë dhe kthimit në atdhe, Rami shërbeu si jurist e gjyqtar në jugun e Shqipërisë dhe më pas në Kosovë. Ai aderoi në radhët e nacionalistëve shqiptarë të Ballit Kombëtar, me ëndrrën për një Shqipëri të lirë dhe etnike. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944 dhe vuan 18 vjet burg në birucat e Burrelit, së bashku me vëllain e tij të idealeve Hasan Rami (1905- 1988), kujdestar konvikti në vitet 1927-1928 në Liceun Francez, më pas drejtor shkolle në Krujë e në Vlorë dhe nacionalist në radhët e Ballit Kombëtar.

Ai u arrestua në vitin 1945 dhe vuajti 10 vjet burg. Historia e liceistëve të Korçës vazhdon më tragjedinë e mjekut Enver Zazani (1908-1947), bashkëliceist edhe ai në të njëjtën klasë me Hoxhën, Ramin dhe Kasimatin në Liceun Francez. Pas studimeve për mjekësi në universitetin e Lyon-it në Francë, Zazani, kthehet në atdhe. Ai u lidh në ato vite me lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe u zgjodh deputet pas zgjedhjeve të para në Shqipëri.

Por nuk vonoi shumë dhe arrestohet me grupin e parë të deputetëve, me akuzën “veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor”, dhe pushkatohet më 4 shtator 1947. Po kështu pushkatohet edhe juristi Qenan Dibra (1910- 1946), i cili pas mbarimit të Liceut të Korçës përfundoi studimet e larta në fakultetin e Drejtësisë në Sorbonë-Francë, e më pas shërbeu si atashe në Legatën Shqiptare në Paris. Menjëherë pas kthimit në atdhe, ai punoi si jurist duke qenë njëkohësisht edhe përkrahës e përfaqësues i organizatës së Legalitetit. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet së bashku me 6 shokë të tjerë. I njëjti fat tragjik me të do të ndiqte edhe Hilmi Hysin (1913-1947), i pushkatuar në moshën 35-vjeçare.

Pas përfundimit të Liceut Francez të Korçës, në profilin e filozofisë ai diplomohet në Fakultetin Juridik të Sorbonës dhe pas kthimit në atdhe shërbeu si gjyqtar paqtues në Burrel, Berat e Tiranë dhe njëkohësisht aderoi në radhët e Organizatës Balli Kombëtar.

Arrestohet në gusht të vitit 1947, për “veprimtari kundër regjimit diktatorial” të sapoardhur në pushtet dhe pushkatohet në janar të vitit 1948. Tragjedive të liceistëve të mësipërme do t’ju shtoheshin edhe plot emra të tjerë. Mes tyre edhe Nedin Kokona (1908-1998), Xhevdet Kapshtica (1906-1993), Aziz Vrioni (1914-1993), Asllan Ypi (1911-1980), Felatun Vila (1908-1967), Fetih Selenica (1906-1961), Xhelal Shënapremte (1913-1979), Alqi Nushi (1915-1995), Aleko Turtulli ( 1910-1988), Adem Beli (1909-1998), Mustafa Kadilli (1914-1990), të cilët pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës, studiuan për Drejtësi në Francë dhe plot ëndrra e dëshira me valixhen e iluzioneve në duar, u kthyen në Shqipëri, por shumë shpejt ata u dënuan, u burgosën dhe u internuan familjarisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura