Licencimi i mjekëve të rinj, shtyhen provimet në shkurt

Jan 26, 2016 | 13:53
SHPËRNDAJE

Provimi për nëntë profesionistët e shëndetësisë shtyhet sërish për t’u zhvilluar në muajin shkurt. Agjencia Kombëtare e Provimeve deklaron se ende nuk ka një datë të sigurt për provimet e shtetit, ndërsa thekson se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Ministria e Arsimit apo Shëndetësisë, ekspertët e të cilave janë në përfundim të raportit për verifikimit të licencave të lëshuara, si dhe procedurave të ndjekura nga urdhrat përkatës për lëshimin e licencës.

mjeke

Pas publikimit të gjetjeve do t’i hapet rrugë zhvillimit normal të provimeve të shtetit që duhej të ishin kryer që në muajin dhjetor. Në një urdhër të përbashkët të Ministrisë së Arsimit e Shëndetësisë, që mban datën 07.12.2015, thuhet se provimet për profesionistët e rinj të mjekësisë do të mund të zhvillohen në fund të muajit janar, pasi të kenë verifikuar të gjitha dosjet e kandidatëve për mjekë.

Ndërkaq, AKP bën me dije se vetëm në shkurt do të publikohen datat e zhvillimit të provimeve. Sipas agjencisë, testimet do të bazohen në listat që kanë miratuar urdhrat përkatës të shëndetësisë, ndërsa do të ndryshojë vetëm data dhe orari i provimit. Sipas atyre të publikuara në fillim të dhjetorit, janë rreth 2 mijë kandidatë që u përkasin profesioneve të mjekësisë, stomatologjisë, mamisë, logopedisë, farmacisë, teknik imazherie e laboratori dhe infermierë të rinj që do të futen në provim.

Të pandryshuara mbeten dhe programet orientuese dhe fondi i pyetjeve nga mund të mësojnë para se t’i drejtohen AKP-së për t’u testuar në datën e caktuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura