Licenca, nis regjistrimi për mësuesit. Provimet tri javët e para të korrikut

Jun 24, 2016 | 17:02
SHPËRNDAJE

Nis regjistrimi për të gjithë të diplomuarit në një nga degët e mësuesisë, të cilët duhet të marrin licencën e ushtrimit të profesionit.

testimi-i-mesuesve

Agjencia Kombëtare e Provimit njofton të interesuarit për sezonin e parë të provimeve të mësuesisë, të cilat do të zhvillohen përgjatë tri javëve të para të muajit korrik.

Më vonë, pas regjistrimit të pjesëmarrësve, AKP do të publikojë kalendarin me datat dhe orën për secilin profesionist mësuesie.

Si gjithnjë, testimet do të zhvillohen në godinën e AKP-së, ndërsa rikujtohen dokumentet që duhet të kenë me vete mësuesit e rinj për të qenë pjesë e provimit.

“Ditën e provimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim, kopje të kartës ID ose pasaportës, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së në varësi të herës së pjesëmarrjes, dhe në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim”.

Ndryshe nga herët e kaluara, në listën e dorëzimeve kërkohet edhe një dokument shtesë: kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, si dhe njohjen e tyre nga ministria në rast se kandidati ka përfunduar studimet jashtë shtetit. Qëndrojnë të pandryshuara rregullat e zhvillimit të testimeve të provimit të shtetit.

Kandidatët duhet të paraqiten së paku gjysmë ore përpara fillimit të provimit. Atij i ndalohet të marrë me vete apo të përdorë celularë ose mjete të tjera komunikimi.

Po ashtu, i ndalohet duhani apo konsumimi i ushqimit, si dhe komunikimi gjatë orarit të provimit. Rregullat e më- sipërme janë kusht, mosrespektimi i të cilave çon direkt në skualifikimin e të regjistruarve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura