LIBRI/ Si ndodhi atentati ndaj Ahmet Zogut në shkallët e Parlamentit

May 31, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Atentati i dështuar ndaj kryeministrit Ahmet Zogu, në hyrje të Parlamentit, duket se vuri në lëvizje një mekanizëm, pasojat e të cilit do të linin gjurmë në historinë e Shqipërisë. Do të pasonte vrasja e Avni Rustemit e më pas Revolucioni demokratik i qershorit 1924.

Ahmet Zogu
Ahmet Zogu

I fokusuar pikërisht në këto ngjarje të bujshme politike, të cilat ndodhën të gjitha brenda një viti, Ylli Polovina sjell për lexuesin një tjetër vepër të titulluar “Krisma në Parlament: Trazirat e 1924-ës, vrasja e dy amerikanëve dhe Avni Rustemit, roli i Beogradit dhe revolucioni pa krye i Nolit”. Një libër i mbështetur në dokumente të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por që autori na e sjell përmes një stili rrëfimtar, duke e bërë atë të këndshëm në lexim, jo vetëm për të pasionuarit e historisë, por edhe letërsisë.

Nga libri i sapohedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Botart”, i autorit të sa e sa veprave me karakter historik, por edhe investigativ, që kapin një shtrije kohore nga mesjeta deri në ditët tona, po shkëpusim pikërisht atentatin ndaj Ahmet Zogut.

Si ndodhi atentati, kush ishte në sallën e Parlamentit, si i shpëtoi kryeministri vdekjes dhe kush ishte atentatori, 18-vjeçari, të cilit Zogu i kishte dhënë bursë shkollimi… 

NGA LIBRI …

Ndërsa Avni Rustemi dhe Omer Nishani u ulën në vendet e tyre, G. gjeti një karrige të lirë në llozhën pranë derës dhe u rehatua atje. Kur pas pak hodhi sytë në sallë, vuri re se Fan Noli, si përherë i veshur me rrobën e peshkopit, dhe Luigj Gurakuqi gjendeshin ngjitur me njëri-tjetrin, në rreshtin e parë. Pranë tyre qe ulur edhe Eqerem Bej Vlora.

Grupet parlamentare qenë pas tyre, në të majtë Liberalët dhe Konservatorët Popullorë në të djathtë. G. pa se si dy herë rresht Eqeremi ktheu kokën pas dhe e hodhi vështrimin ngultas tek grupi i deputetëve opozitarë. Ndoshta i kishte bërë përshtypje një lloj heshtjeje e tyre, mosbëzajtje e çuditshme, kur zakonisht qenë të potershëm.

Mes zhurmërimës së përgjithshme e në pritje të vinin anëtarët e qeverisë dhe vetë kryeministri, e pas kësaj seanca parlamentare të niste, u dëgjuan tri krisma. Qenë të shurdhëta, si të dala nga nëntoka. Salla mbajti frymën dhe një çast, çdo lëvizje ngriu. Pas mekjes së parë, shumica e deputetëve u ndje në panik, pastaj i përfshiu rrëmuja.

Plumbat kishin klithur fare afër, disa nga asamblistët nxorën koburet. Në hutim e sipër qenë në mëdyshje t’i mbanin në dorë apo t’i linin, të gatshme për t’i përdorur, mbi syprinat e bangave. Ndërkohë kishin vrapuar pranë më të shumtëve të tyre, për t’i marrë në mbrojtje, truprojat personale. Dy minuta më vonë kanatat e derës së sallës u hapën vrulltazi dhe në të u shfaq trupi shtatlartë i Ahmet Zogut.

Qe shumë i zbehtë në fytyrë dhe mbi njërin krah dhe kofshë i dukeshin njolla gjaku. Përpiqej të ecte sikur nuk kishte marrë plagë, por këmbët nuk i mbanin mirë. Një çast u kthye nga salloni i jashtëm i parlamentit, nxori revolverin dhe me të shpejtë e zbrazi dy herë. U duk qartë që nuk shenjoi kërkënd. Pastaj u kthye nga salla dhe mes një heshtjeje që ra si plumb, mundi të shkojë deri në presidium.

 

beqir valteri

U ul në vendin ku rrinin sekretarët. Prej plagës së kofshës në dysheme filluan t’i binin pika gjaku, u kuptua menjëherë çfarë kishte ngjarë. Pati ndodhur e shumëpërfolura: atentati kundër tij. Ahmet Zogut menjëherë iu mblodhën përreth disa prej mbështetësve. Ishin ata më të tronditur se i godituri me plumb. Që prej atij çasti çdo gjë mund të ndodhte, edhe vetë ndeshja me armë mes deputetëve e truprojave të tyre të vendosur në anësallë apo në holl, tek qëndronin të gatshëm me pushkë të gjata.

Po të niste aty, në parlament, lufta civile do të përhapej si flakë baroti në të tërë vendin. Nga salloni i jashtëm nisën të vinin krisma të tjera, shumë të shpeshta, me një tingëllim nervoz. Nga mënyra se si këmbeheshin ngjanin me një dyluftim. I përfshirë nga ankthi G. pa se si Eqerem Bej Vlora u ngrit nga vendi dhe iu afrua me ngut lozhës.

Thirri aty doktor Simonidhin, i cili qe nga Vunoi i Himarës dhe e ndihmoi të kapërcente parmakët. Pastaj shkuan menjëherë te Zogu. Ky në fillim e refuzoi. Nuk kishte asnjë dëshirë t’ia shihte një i panjohur plagët, por Eqeremi e siguroi se doktori qe jo vetëm mjek i mirë, por edhe i besuar i partisë së tyre. Atëherë tjetri e lejoi.

Ky vuri re se plumbat patën hyrë shumë thellë në mish, por sidoqoftë nuk paraqisnin ndonjë rrezik për jetën. Që nga llozha e dëgjuesve G. dalloi se si, ndërsa doktor Simonidhi po i lidhte plagët, Ahmet Zogu vetëtimthi ia nguli vështrimin Avni Rustemit dhe se si shumë shpejt e hoqi prej andej. Shefi i “Bashkimit” rrinte krejtësisht i ftohtë, me painteresim të dukshëm për të. Pas kësaj G. pa si po ndiheshin nga ajo që sapo kishte ndodhur, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi.

Çuditërisht, në vend që gjithsesi të kishin ndonjë emocion, që të dy qëndronin me pamje të patrazuar. Sikur gjithçka deri ato çaste të qe zhvilluar në një planet tjetër. Ish-kryetari i Asamblesë, Eshref Frashëri, i cili duhej të drejtonte atë seancë dhe para se të dëgjoheshin të shtënat qe rregulluar me kohë në vendin e tij, bashkë me ekipin e vet qe zhdukur.

Eqerem Bej Vlora, kur e kuptoi se prej Ahmet Zogut nuk po vinte asnjë shenjë për të ulur tensionin dhe parandjeu se ai llogariste veprimet e ardhshme, mes të cilave pse jo edhe urdhrin për të arrestuar deputetët e opozitës, rendi tek kush- ëriri i tij, Iljaz Vrioni, dhe iu lut të ndërhynte për zbutje. Beu i Beratit, i njohur për shpirt mosdhune, kapi zilen dhe i ra fort. Pastaj shqiptoi fjalët “Zotërinj asamblistë, të vazhdojmë punën!”.

Në sallë, menjëherë, si të qenë nën efektin e një veprimi hipnotizues, u shkarkua një psherëtimë. Pas kësaj, Ahmet Zogu, me një buzëqeshje të zvargur në fytyrë, tha gati solemnisht: “Mos u shqetësoni! Këto janë gjëra që ndodhin shpesh e kudo, edhe në shtetet më demokratike të Perëndimit. Unë jam mirë. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë”.

Rreziku i përplasjes me armë në mes të parlamentit tashmë qe shmangur. Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Parlamentit dhe njëherësh Kryeministrisë, një batalion i ushtrisë vuri nën rrethim të shpejtë godinën. Asnjë nuk duhej të hynte dhe ca më pak të dilte prej saj. Komandat i njësisë ushtarake që erdhi, ishte Ozman Gazepi. Mbështetësi i njohur i Ahmet Zogut hyri në sallë furtunshëm dhe ia nguli sytë shefit të tij.

Si nuk mori asnjë sinjal nga ato që i kishin shkuar gjer ato çaste ndërmend, nisi me dorën në kobure të thërriste me zë të lartë “A e doni me ligj apo pa ligj?”. Asamblistët iu përgjigjën pothuaj me një gojë: “Me ligj, me ligj!”. Osmani doli po aq vrullshëm sa ç’kishte hyrë. Atentatori i Ahmet Zogut qe mbyllur në banjë dhe prej andej, duke shtënë rrallë, por vendosmërisht, kishte nisur të këndonte. Vargjet e melodizuara të saj thoshin “Pushka e parë bani bam, nana e Halitit duel në xham…”.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Qe motiv popullor trimërie. Më në fund u mësua emri i të mbyllurit në banjat e Parlamentit. Quhej Beqir Valteri, një djalë vetëm 18 vjeç, thatim e belbacuk. Për shumicën emër i panjohur. Kryeministrin e pati qëlluar kur ky po ngjiste shkallët dhe do t’i mjaftonin vetëm hapa më tej për të hyrë në brendësi të godinës. Atentatori, ndërsa po e priste viktimën lart shkallëve, fytyrën e kishte të fshehur, sikur po lexonte pas një gazete të hapur.

I kishte thënë: Qëndro Zog!” dhe pati shtënë plumbin e parë. Ai e pati goditur në kofshë dhe kryeministrit i qenë thyer gjunjët. Megjithatë, vrullshëm qe ngritur dhe vërsulur drejt vrasësit, të paktën për t’i kapur dorën e shmangur drejtimin e armës. Këtë çast Beqir Valteri pati belbëzuar “Kujtomë për xhaxhain tim!” dhe kishte hedhur dy plumba të tjerë. Njëri i pati fishkëllyer Ahmet Zogut mbi kokë, tjetri e kishte fshikur në dorë.

Një përpjekje e katërt për të shtënë nuk eci. Revolveri i atentatorit u bllokua. Kryeministri tashmë kishte nxituar për t’u futur në sallën e mbledhjeve. Beqir Valteri, i dëshpëruar që nuk e vrau dot, vrapoi dhe u mbyll në banjë. Prej andej shtinte me sa duket prej një pistolete të dytë që kishte pasur me vete. Gjithç- ka, edhe pse shumë dramatike, dukej në ato çaste si në një shfaqje teatrale…

Në sallon, në banjën e bërë shosh nga plumbat e rojeve të parlamentit, Beqir Valteri vazhdonte të këndonte dhe herë pas here shtinte kot më kot. Ndërkohë, mbërriti porosia e kryeministrit: atentatori të mos vritej, por të kapej i gjallë. Pas disa minutash, i rrethuari thirri me zë të lartë: “Do të dorëzohem!”. Kërkoi si ndërmjetës deputetin e Vlorës, Qazim Koculi, njeri i opozitës. Në sallën e parlamentit u kërkua menjëherë që dëgjuesit e lirë të seancës të largoheshin dhe në ikje të tyre nisi një kontroll i rreptë për armë.

Kur më në fund, Beqir Valteri me ndërmjetësinë që lypi u kap dhe u nis për t’u mbajtur i burgosur në kazermën e rojeve të parlamentit, Ahmet Zogu porositi sërish: rrugës apo në qeli të mos i bëhej asnjë ndëshkim. Le t’i dorëzohej gjyqit. Ndërkohë, në sallë pranë tij u shfaq Eshref Frashri. Ky iu drejtua me fjalët tingëlluese.

“Shkëlqesi! Perëndia ju fali. Ju keni qenë e jeni gardian i mbrojtjes së Shqipërisë. Dy plumbat e tradhtisë të drejtuara prapa krahëve, Perëndia për hatrin e këtij kombi të vuajtur nuk jua shkurtoi jetën. Jemi në kulmin e dëshpërimit prej këtij gjesti kriminal e të poshtër prej njerëzve të errë- sirës. Nuk durohen më njerëzit e pistoletës, mjaft më, tradhtia e tyre antikombëtare nuk durohet”. Zogu nuk iu përgjigj, por vuri buzën në gaz.

Në të vërtetë e kishte shpëtuar Zoti. Po të kishte atentatori vetëm pak më shumë përgatitje për shënjim dhe nerva më të hekurta, tani nuk do të qe mes të gjallëve. U nis ngadalë të dilte. E ndoqën menjëherë nga pas të gjithë ministrat, shumica e deputetëve dhe vetë ish-kryetari i parlamentit. Sapo doli në rrugë iu mbështoll përreth, në disa breza mbrojtës, batalioni i osman gazepit.

Pak çaste më pas, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli, zbritën rëndë-rëndë shkallët e godinës së Asamblesë dhe të shoqëruar nga oficerë dhe përkrahës të opozitës, morën rrugën për te hotel “Internacional”. Këtu po i prisnin shokët, miqtë dhe dashamirësit. Donin të dinin çdo hollësi mbi çfarë pati ngjarë. Shumica qenë me një gëzim të prerë përgjysmë, të këputur. Por nuk mungonin edhe entuziastët.

Edhe pse vrasja e Ahmet Zogut nuk kishte ndodhur, këta mendonin se atij i qe dhënë një më- simi mirë. Kishte marrë revan të madh dhe le të mësohej ta rregullonte ritmin e pangopjes së tij me pushtet për të lënë edhe ndonjë hapësirë për të tjerët… … Kur mbërriti në hotel “Internacional”, Avni Rustemin e gjeti në restorant. Po rrinte në tavolinë i shoqëruar prej një deputeti tjetër të opozitës. Pinin kafe.

Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi nuk qenë në asnjë tryezë rreth e rrotull. Mbase ishin ngjitur në dhomat e tyre. Sapo e pa, Avniu e pyeti mos qe trembur nga ajo që ndodhi. Kur G. bëri shenjën e mohimit, tjetri ia nguli vështrimin mjaft i habitur, por nuk e ngau më tej. Kur biseda u duk se hyri në ngërç, në tavolinën e tyre u afrua Eshref Frashëri.

Vazhdonte të ishte i tronditur dhe po aq këmbëngulës për të kuptuar cilët qenë ato duar politike që patën vënë në lëvizje anarkistin Beqir Valteri. Avni Rustemi e dëgjoi pa folur shumë, por gjithë kohën duke i lënë të kuptohej se ajo bisedë nuk i pëlqente fare. Erdhi një çast kur kryetari i parlamentit sa nuk e tha drejtpërsëdrejti se shtënësi me armë, tashmë i mbyllur në burg, ishte thjesht një vegël. Beqir Valteri qe nga vendlindja e Ahmet Zogut dhe ky pak vite më parë për ta ndihmuar të vazhdonte studimet i kishte lidhur një bursë.

Madje, e pati ndihmuar me shpenzimet e tij për një udhëtim në Romë. Sipas Eshref Frashërit, atë e kishin detyruar ose të paktën shtyrë kundër dëshirës së tij. Sa nuk e tha se atentatori i vërtetë ndodhej në të njëjtën tavolinë me të. Shpërthimi i Avni Rustemit ishte si një minë e porsashkelur. Brofi në këmbë dhe, që ta dëgjonin të gjithë, shqiptoi me zë të lartë: “Tërë tradhtarët e atdheut do të pë- sojnë fatin e Ahmet Beut tënd!”.

Kryetari i parlamentit e rrëzoi mbi gjoks kokën. Pastaj u duk sikur belbëzoi diçka që nuk u kuptua dot. Kishte mbase dhjetë minuta që Eshref Frashëri qe larguar dhe Avni Rustemit ende sytë i lëshonin xixa. Pas kësaj, G. nuk dinte çfarë të thoshte dhe e priti shpirtçliruar çfarë do të bënte tjetri. Avniu, duke psherëtirë, u ngrit nga tryeza. “Shëtisim pak”, tha dhe që të tre bënë një ecejake të vogël përreth hotelit.

Darkë hëngrën shpejt dhe vetëm kur u ngjitën në dhomë, G. i tha se tani duhej të bënte shumë kujdes. Sidomos të mos lëvizte natën. “Zogu mund të fusë njerëz”, shtoi, pa e çuar deri në fund idenë që kishte në kokë: vrasjen. Ndërsa priste një mënyrë tjetër reagimi, papritmas Avni Rustemi qeshi shpengueshëm, gati si një fëmijë.

Pastaj shqiptoi plot patos: “Kështu, përpara, ballë për ballë, nuk e kam frikë. Prapa kurrizit nuk kam ç’i bëj, se nuk e shoh dot”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura