LIBRI/ “Nga Gorbaçovi te Putini”, historia politike e tranzicionit rus

Aug 17, 2018 | 8:47
SHPËRNDAJE

Pse dështoi? Cili ishte roli i Gorbaçovit? A ishte ai komunist? Ku i çoi dogmatizmi teorik sovjetikët? Ç’rol luan tani Rusia në politikën botërore? Këtyre pyetjeve rreket t’u janë përgjigje studiuesi, historiani dhe pedagogu i njohur, Adem Mezini në librin e tij më të fundit, “Nga Gorbaçovi te Putini, historia politike e tranzicionit rus”.

putin gorbacov

Një libër i një rëndësie të veçantë për të kuptuar politikat që ka ndjekur një nga superfuqitë botërore, dikur Bashkimi Sovjetik, sot Rusia, ai hedh dritë mbi historinë njëshekullore ruse. Mezini ndalet në kthesat e forta që ka pësuar politika ruse e në veçanti në politikat e dy liderëve, Gorbaçov e Putin. “Studiuesi Adem Mezini ka parapëlqyer që në librin e tij ‘Historia politike e tranzicionit rus’ të rrokë një tematikë me një implikim të shumëfishtë në disa disiplina, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare, kultura historike, politika, ekonomia e diplomacia.

Sipas mendimit tim personal, kjo është një pikë e ndjeshme në interesin e studiuesve të sotëm, si të atyre studiuesve të historisë bashkëkohore, ashtu edhe të sociologëve e politologëve”, shprehet në parathënien e librit prof. asoc. dr. Eva Tafili. Më poshtë kemi shkëputur disa faqe nga konkluzionet e nxjerra nga një histori e gjatë dhe me një ndikim të gjerë në rrafshin botëror. 

ADEM MEZINI

Për 75 vjet rresht nga revolucioni bolshevik, i tetorit 1917 deri në dhjetor 1991, alternativa socialiste totalitare njohu lindjen, zhvillimin, përhapjen në shkallë botërore, krizën dhe falimentimin. Ajo që bie në sy është që kjo alternativë në planin teorik nuk ndoqi dot zhvillimin e ngjarjeve, mbeti pas kohës dhe nuk arriti të argumentojë dhe t’u paraprijë aspekteve të politikës sovjetike. Mendimi teorik socialist kishte arritur deri te ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit dhe nuk ishte në gjendje të parashtronte rrugën që do ndiqte më tej shoqëria socialiste.

Për hir të së vërtetës, pas Luftës së Dytë Botërore u paraqitën teza dhe teori për fitoren e plotë të komunizmit në shek. XX, për kalimin paqësor nga kapitalizmi në socializëm, për ndërtimin e shoqërisë së zhvilluar socialiste dhe për kalimin në komunizëm, për diktaturën ndërkombëtare të proletariatit etj. Është e vështirë të gjesh në histori vende me atë numër të stërmadh institucionesh studimore politike, ideologjike, historike e sociale që bashkë me shtëpinë botuese synonin të formonin njeriun e ri. Por si botëkuptimi, ashtu dhe idetë, nuk lidhen aq me numrin dhe botimet që nxirrnin institucionet sovjetike, por varen nga përmbajtja dhe vlerat për praktikën shoqërore. Shoqëria sovjetike ishte një shoqëri që nuk e njohu shtetin ligjor.

Adem Mezini
Adem Mezini

Po të shprehemi me mendimin e Monteskjesë, në këtë shoqëri individi nuk ishte qytetar (pasi ai nuk mbështetet në pushtetin ligjor), por nënshtetas (pasi pranon autarkinë). Një ndër arkitektët kryesorë të revolucionit bolshevik, L. Trocki, gjykonte se: “Bashkimi Sovjetik është një shoqëri kontradiktore që ndodhet në mesin e rrugës mes kapitalizmit dhe socializmit”. Koha tregoi se perceptimi i kësaj shoqërie dhe teoritë për të ishin të pabazuara dhe të paargumentuara shkencërisht. “Komunizmi sovjetik, -shkruan Firet, – vdes nga një dekompozim i brendshëm, për të cilin Gorbaçovi ishte vetëm përshpejtuesi, përpara se rivali i tij Jelcin të bëhet likuiduesi i tij. I lindur nga një revolucion, ai zhduket në një regresion”.

Sikurse shihet, gjithë rrugëtimi historik i Rusisë i shek. XX është i lidhur me teorinë marksiste-leniniste. Utopia marksiste e shek. XIX u bë realitet në Rusi në fillim të shek. XX, duke ndjekur idetë e V.I. Leninit dhe praktikën staliniane të diktaturës së proletariatit, të luftës së klasave dhe të ndërtimit të socializmit edhe në një vend të vetëm. Natyrisht që krijuesit e marksizmit, K. Marksi dhe F. Engelsi ishin mendimtarë kritikë që parashtruan pikëpamjet dhe vështrimin e tyre për të ardhmen. Por ata nuk janë statistë, pasi në kohën e tyre nuk u arrit askund kalimi në shoqërinë socialiste.

Ky proces u bë realitet pas revolucionit bolshevik të 1917-s, që mbështetej në teorinë leniniste për imperializmin dhe sidomos në teorinë e re leniniste të revolucionit proletar. Nën drejtimin e V.I. Leninit dhe J.V. Stalinit, lindi, u formësua dhe u konsolidua shteti sovjetik si formë e diktaturës së proletariatit. Me të drejtë, mendimtarët mbajnë përgjegjësi për teoritë dhe veprimtarinë praktike për kohën që jetuan. Kjo do të thotë se K. Marksi dhe F. Engelsi nuk mund të mbajnë përgjegjësi për çdo element të pushtetit dhe praktikës ekonomike sovjetike. Ky problem ka qenë dhe mbetet temë diskutimesh teorike.

Sidomos vlerë të veçantë ka diskutimi dhe kuptimi për demokracinë si problemi më madhor i shek. XX. Teoricienët sovjetikë hapur mohonin vlerat e demokracisë perëndimore dhe idealizonin shtetin sovjetik si formën më të arrirë të demokracisë. Koha tregoi qartë se ç’fshihej pas demokracisë sovjetike. Duke e trajtuar këtë problem, G. Sartori thekson: “Të shprehësh mospëlqimin tënd, të mos e japësh votën për një mendim e ta japësh për një tjetër, të jesh në gjendje të zgjedhësh vetë qeveritarët, të vendosësh vetë për punët e tua-të gjitha këto mund të quhen vogëlima pa rëndësi. Po nëse këto janë pa rëndësi, atëherë as demoni, as kratosi i tij nuk hyjnë në këtë mes”.

Në veçanti paradoksale dhe jashtë logjikës ishte që revolucioni dhe shoqëria e re sovjetike të shërbenin si model për vendet e zhvilluara perëndimore. Në këtë kuadër lind pyetja sa dhe si ishte kuptuar marksizmi në Rusi dhe a kishte mundësi të tjera zhvillimi? “Marksizmi, – thekson Delsol, – i zbatuar nga Plehanovi mund të kishte krijuar një tjetër formë pushteti, në atë kuptim, që, pasi të kishte realizuar revolucionin e parë, ai ndoshta s’do ta kishte kapërcyer atë. Kjo do të thotë se Plehanovi mund të kishte realizuar ndryshe skemën marksiste të tranzicionit, nga frika e kthimit te despotizmi i vjetër, nuk do ta kishte përdorur dhunën masive shtetërore, që të arrinte komunizmin. Edhe H. Arendt ka vënë në dukje ndërprerjen e mundësive të tjera të zhvillimit pas rimëkëmbjes së ekonomisë 1921- 1926.

Ajo është e mendimit se kur vdiq V.I. Lenini rrugët ishin të hapura. Punëtorët, fshatarët dhe klasat e mesme nuk kishte nevojë të drejtoheshin në rrugën që të çonte domosdo te lufta e klasave, që kishte qenë karakteristike për kapitalizmin europian. Bujqësia mund të zhvillohej ende mbi bazën kolektive të kooperativës apo private. Kështu, ekonomia nacionale ishte ende e lirë të ndiqte një model socialist, kapitalist-shtetëror apo të një ndërmarrjeje të lirë. Asnjë prej këtyre alternativave nuk do të shkatërronte automatikisht strukturën e re të vendit.

Kjo mundësi u ndërpre kur filloi në vitin 1926 kursi i industrializimit socialist dhe kolektivizimit socialist të bujqësisë. Çharls Tilly, në veprën “Revolucionet europiane 1492- 1992”, botuar në fillim në Oxford dhe pastaj nga gjithë universitetet kryesore europiane, ka vënë në dukje se: “Për gjashtë vjet që vazhdoi, NEP-i prodhoi një ripërtëritje ekonomike substanciale”. Kjo ripërtëritje ndërpritet në vitin 1926 kur partia, me në krye J.V.Stalinin, ndryshoi kursin ekonomik dhe mori një varg masash politike. Socializmi, në formën që u paraqit në histori (modeli sovjetik dhe modeli i demokracive popullore), nuk e përligji veten dhe falimentoi.

Kjo finale nuk ishte rastësi, por fryt i tragjizmit të Revolucionit të Tetorit, i cili krijoi llojin e socializmit të pamëshirshëm, brutal e të komanduar. Në literaturën ruse dhe të vendeve të tjera nuk kanë qenë të paktë autorët që kanë idealizuar Gorbaçovin dhe kursin e tij rektifikues. Por ata nuk vlerësojnë objektivisht as kontradiktat e shoqërisë sovjetike, as dhe vetë horizontin teorik dhe aftësitë intelektuale të Gorbaçovit.

Ai nuk e pati staturën e liderit që projekton dhe merr veprime të rëndësishme për të zgjidhur çështjet që koha i kishte nxjerrë në rendin e ditës. M. Gorbaçovi ishte më tepër njeri i organizimit dhe gjithnjë i pajisur vetëm me përvojën e shefit provincial që nuk njihte përvojën urbane dhe industriale të vendit të tij, jo rastësisht E. Hobsbam shkruan: “Mangësia e tij nuk qëndronte aq shumë në mungesën e një strategjie efektive për të reformuar ekonominë- edhe pas rënies së tij nuk pati njeri një strategji të tillë-por sepse ai ishte shumë larg përvojës së përditshme të vendit të tij”.

Shkenca, në gjithë rrjedhën e historisë, është dalluar për përmbajtjen kritike, për parashikimet që përcakton për të ardhmen, për faktorët nxitës apo frenues të progresit. Shteti sovjetik ishte superfuqi, kishte një rrjet të gjerë institucionesh të fushave nga më të ndryshmet, por aktiviteti dhe rezultatet e tyre ngurtësoheshin nga ideologjia dogmatike. “Mendimi dogmatik, – pohon Ch. Delsol,-do të përfshijë të gjitha fushat e shkencës. Është doktrina, ajo që ndan të vërtetën shkencore nga gënjeshtra.

Partia dënon shkencat e konsideruara “borgjeze”, domethënë të kundërta me të vërtetën socialiste ose që e vënë në dyshim atë me pasojat e tyre, biologjia, psikanaliza, kibernetika. Në këtë kohë, shkencëtarët u internuan ose u dënuan me vdekje, katedrat u shkrinë, mësimdhënia e tyre u ndalua. Pjesë të tëra të shkencës pushojnë së ekzistuari. Totalitarizmi është shfaqur në variantin e tij më të kulluar. Asnjë grimcë e jetës së njeriut nuk duhet t’i shpëtojë sistemit.

Lind pyetja, po përse shkenca sovjetike nuk mbante parasysh parimet apo konkluzionet e logjikës së përbashkët? Sepse ajo i përshtatej dogmatizmit revolucionar dhe parimet që mbartin të vërtetën, vlejnë si të vërteta vetëm kur janë të dobishme për arritjen e qëllimit të shpallur. Kështu, duke ndjekur këtë arsyetim, e vërteta nuk ka kuptim universal, por përfshin vetëm ato mendime që i shërbejnë qëllimit përfundimtar të partisë. Pra, në përputhje me qëllimet, kemi disa të vërteta.

Borgjezia ka shkencën e saj dhe proletariati mund të krijojë shkencën që i shërben interesave të tij. Arsyetime të tilla i shpunë shkencëtarët biologë në kaos dhe përfundime absurde pas Luftës së Dytë Botërore. Ata, në kuadrin e luftës kundër ideologjisë borgjeze, filluan ta konsiderojnë gjenetikën dhe kibernetikën shkenca të krijuara nga borgjezia. Gjithçka lidhej me mbrojtjen e parimeve teorike dhe patosi me të cilin shkruanin, i shtynte këta krijues të dukeshin më parimorë se parimet. Por, sa u përket dhe vetë parimeve në shoqërinë sovjetike pati një evolucion logjik, vetë praktika i detyroi njerëzit të rishikonin shumë elemente të dogmës ideologjike.

Në jetën reale, mbrojtja e parimeve për anëtarët e partisë mori trajtën e mbrojtjes të avantazheve që gëzonin nga shkalla që zinin në nomenklaturën partiake. Komunistët, gjithnjë, kanë menduar se gjykimin final e jep historia dhe ja, në fund të shek. XX, komunizmi dështoi në teori dhe praktikë në gjithë versionet e tij. Këtë, deri diku, e kuptojnë tashmë dhe në Moskë. Autorët modernë rusë janë të detyruar të pranojnë dështimin e socializmit, por kurrsesi nuk pranojnë që ky proces u shoqërua me dezintegrimin dhe copëtimin e shtetit federal.

E kaluara perandorake ua zbeh arsyetimet dhe i shtyn në rrugën e nacionalizmit ekstrem dhe të përligjjes së aventurave e agresioneve. Rrugëtimi drejt demokracisë në Rusi, për hir të së kaluarës, do jetë proces i gjatë dhe tepër kompleks. Shoqëria demokratike nuk ka nevojë vetëm për ide dhe institucione, por dhe për shtet ligjor dhe shoqëri civile të zhvilluar. Në Rusi, elementët e këtij kuarteti: idetë, institucionet demokratike, shteti ligjor dhe shoqëria e zhvilluar civile, janë të distancuara nga bota perëndimore. “Historia,-ka theksuar Jacques Attali,-rrjedh në një drejtim të vetëm, kryeneçe, e veçantë, aq s asnjë tronditje, madje dhe e tejzgjatur, nuk ka mundur t’i ndryshojë drejtimin në rrjedhën e saj të qëndrueshme: nga shekulli në shekull, njerëzimi imponon përparësitë e lirisë individuale mbi çdo vlerë tjetër”.

Me që trajtojmë të ardhmen, d.m.th. zhvillimin e demokracisë në shek. XXI, mund të jetë më shumë se gjysma e atij të XX, shekulli i demokracisë: një shekull i demokracive që funksionojnë pjesërisht mirë, pjesërisht disi dhe pjesërisht keq, megjithatë, në ambientin e një numri të madh shtetesh autoritare dhe totalitare, që i kundërvihen demokracisë pjesërisht në mënyrë pasive dhe pjesërisht në mënyrë aktive”. Shumica e popullsisë së botës jeton në autokraci ose në demokraci me defekte. Demokracia nuk ka nevojë të idealizohet.

Jo vetëm studiuesit, por edhe opinioni i gjerë publik, duhet të njohin tendencat e kundërta dhe limitet e demokratizmit, sidomos në fushën e njohjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Lind pyetja, po Rusia në cilin grup përfshihet? Koha do të tregojë se sa dhe si do ta kuptojë këtë populli rus. Deri në stadin e tanishëm, demokracia ruse është demokraci me defekte po të kemi për bazë kriterin e përmbajtjes apo të funksionimit. Në qoftë se do të vështrojmë fazën e zhvillimit, Rusia ndodhet midis autokracisë dhe demokracisë.

Historia, për shumë njerëz që e njohin pak sociologjinë apo shkencat social-politike, nuk është gjë tjetër veç një paraqitje mistike e jetës shoqërore. Në rrjedhën e saj ka procese pozitive e regresive. Ka vuajtje, por ka edhe çlirim, ka tirani, diktatura, por ka edhe demokraci, ka vlera, por ka edhe antivlera. Nuk duhet harruar se gjithçka krijohet nga njeriu në kushte të caktuara. Individi, kur nuk realizon kërkesat, ngrihet dhe përpiqet për ato që dëshiron duke filluar një start të ri.

“E vërteta se çdo fund në histori,-ka thënë hana Arendt,-përmban domosdo një fillim të ri, ky fillim është premtimi, i vetmi ‘mesazh’ që fundi mund të prodhojë ndonjëherë. Fillimi, para se të bëhet një ngjarje historike, është aftësia më e lartë e njeriut, politikisht, ai është identik me lirinë e njeriut”. Në kohet moderne, kur rëndësi të dorës së parë marrin mjetet e komunikimit, njerëzve duhet t’u flasësh ose t’u bësh thirrje me gjuhën e nevojave, të interesave dhe idealeve, për të cilat ata janë ose mund të bëhen të ndërgjegjshëm. Jo rastësisht, Presidenti Xhon kenedi, presidenti më popullor i periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, thoshte “Motoja jonë mbetet ajo që ka qenë: po përparimit, jo tiranëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura