Libri i Zenelit si pasuri për shkencën dhe diplomacinë

May 20, 2016 | 13:36
SHPËRNDAJE

marjan_demaMARJAN DEMA

Kur lexova disa pjesë të librit të Ambasadorit Zeneli për Gjermaninë, më ra ndër mend vërdallë Nikolsoni, që me aq bukuri shpjegonte diplomacinë si shkencë të inteligjencës, virtualitetit dhe taktit.

Si një shkencë që kombet dhe shtetet mund ta përdorin vetëm në varësi të kapaciteteve dhe potencialeve të tyre inteligjente, shkencore dhe të fushave të tjera. Diplomacia si art dhe si rrugë e ecjes përpara pa dyshim që është histori suksesi për vendet e mëdha. Vendi ynë mik Gjermania, normalisht që është tregim i bukur, ngase siç thotë ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, “Gjermania është perceptim i fuqisë dhe i mbarëvajtjes ekonomike, i sigurisë botërore dhe i kontributeve të mëdha të zhvillimeve integruese europiane”.

Njohja e sfondit të njohurive të Rilindjes gjermane, në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore, është në mënyrë të padiskutueshme meritë dhe e arritur e jashtëzakonshme e autorit Bashkim Zeneli. Po shkoqit vetëm tri çështje, të cilat më vijnë parasysh, u mor vesh, si autor i ndryshëm nga fusha e studimit të autorit.

E para, duket i bukur trajtimi që autori bën për Gjermaninë, e cila, ndonëse e lodhur dhe e dërrmuar nga lufta dhe humbjet që ajo solli, shumë shpejt merr veten dhe fillon ringritjen. Planet gjermane për t’u ringritur në këmbë dhe për të gjetur aleatin e tyre strategjik jashtë tokës europiane, duke pritur në Berlin burrështetas si Zv.Presidenti Johnson dhe Presidenti Kenedi, tregojnë për sensin dhe ndjesinë e inteligjencës gjermane për vitet në vijim. Autori kap bukur dhe elaboron mrekullisht këto lëvizje në librin e tij.

E dyta, historia e diplomacisë moderne lidhet ngushtësisht me dramën gjermane, ndarjen dhe bashkimin e Gjermanisë. Sytë e botës po përcillnin lëvizjet gjermane se si ky vend po synonte bashkimin. Në mënyrë brilante autori elaboron ofensivën diplomatike Gensher – Kohl për ta bërë botën që bashkimin gjerman ta hiqte nga llupa e idesë së urryer dhe ta vendoste në dioptrinë e një diplomacie të admiruar.

E treta, është vërtet për t’u lakmuar një praktikë kaq e pasur dhe e larmishme e praktikës dhe historisë së kujtimeve diplomatike. Takime të shpeshta dhe të vazhdueshme me burrështetas me të cilët ndahen brengat dhe shprehen shqetësimet. Takime të shpeshta dhe praktike e histori e pazakontë për diplomacinë dhe zhvillimet kundrejt Shqipërisë dhe Kosovës, janë pasuri e histori jo vetëm për autorin, por edhe për lexuesin, ngado qoftë e kushdo qoftë ai.

Stili brilant i të shkruarit, burimet parësore të referimit, ndarja dhe struktura unikate e librit të autorit Bashkim Zeneli, pa asnjë dilemë, paraqesin vlerë shtesë dhe pasuri për opusin shkencor në veçanti dhe për diplomacinë në përgjithësi.

Admirim për gjeneratat e reja që kanë gjëra të bukura për të lexuar, praktika të bukura për të ndjerë dhe histori të papërsëritshme për të mësuar. Autorit, respektin më të lartë për punën dhe dëshirën e paepur për të na sjellë edhe libra të tjerë.

*Rektor i Universitetit të Prishtinës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura