Libri i ri, Lef Nosi: Me Shuteriqët jemi një fis

Nov 16, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

Kur nisi hulumtimin mbi figurën e Lef Nosit, Edelajda Cenaj-Çepa nuk e dinte se rreth figurës së këtij të fundit do të hapej së fundmi një debat i ndezur.

Ishte “Kandidati” i Ben Blushit, romani i tij më i fundit, që do të turbullonte ujërat dhe do të ngrinte shumë pikëpyetje rreth figurës së Lef Nosit, nga njëra anë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, dhe, nga ana tjetër, u bë anëtar i këshillit të regjencës gjatë pushtimit nazist. Përmes aktit të krijimit letrar, Ben Blushi ka rrëzuar monumentin e Lef Nosit, që ngrihet në qendër të Elbasanit, të cilin ai e “dënon” si kolaboracionist.

lef-nosi
Pikërisht në këtë atmosferë debati dhe në prag të Panairit të Librit doli monografia “Lef Nosi filolog” i Edelajda Cenaj-Çepas, pedagoge pranë Universitetit të Elbasanit, përfshirë në kolanën albanologjike të botimeve “Naimi”. Autorja me këtë vepër nuk ka pasur aspak për qëllim që të merrej me jetën e Lef Nosit dhe kontradiktat që vihen re gjatë veprimtarisë së tij politike, por të ndërtojë profilin e Nosit si filolog. Ky është i pari studim monografik kushtuar trashëgimit dorëshkrimor letrar, publicistik, etnografik, gjuhësor dhe folkloristik të këtij personaliteti në kulturën dhe identitetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Sipas studiuesit Shaban Sinani, drejtues shkencor i autores, studiuesja ka bërë kërkime disavjeçare në rezervatin e koleksioneve të Lef Nosit, një prej fondkrijuesve më të mëdhenj të burimeve arkivistike të Shqipërisë në të gjitha kohërat; si autor, si mbledhës dhe si kodifikues i tyre; si paraprijës i rrjetit arkivor kombëtar shqiptar. Për herë të parë, përmes këtij libri, kërkuesit shkencorë do të kenë në duar një udhërrë- fyes të sigurt për një lundrim efektiv në fondet arkivistike të Lef Nosit në të gjithë arkivat institucionalë të vendit: në AQSH, në arkivat vendorë, si dhe në rrjetin e arkivave shkencorë dhe të trashëgimisë që ruhen pranë institucioneve të dijes kombëtare shqiptare. Përveç përshkrimit arkeografik, paraqitet me qartësi edhe puna thuajse krejt e panjohur e Lef Nosit si ndërmjetës me albanologjinë e Perëndimit, siç ka qenë në traditën e studimeve shqiptare qysh në shekullin XVIII (M. Boçari për F. Pouqueville-in, T. Kavalioti për J. Thunmann-in, K. Kristoforidhi e A. Meksi për G. Hahnin, D. Voskopojari për W.

Lef Nosi (në qendër) me personalitete të kohës
Lef Nosi (në qendër) me personalitete të kohës

Martin-Leake-un, Th. Mitko për G. Meyer-in). Në këtë monografi për herë të parë bëhet i njohur një fjalor shqip-shqip i panjohur i Lef Nosit, me mbi 5 mijë njësi leksikore dhe me qindra idioma e fjalë të urta, që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse në gjendje të dëmtuar, pasuria e këtij fjalori është krahasuar me fjalorët normativë të shqipes (1954, 1984), dhe në këtë proces janë bërë të njohura fjalët dhe kuptimet e munguara prej tij. Autorja ka përfshirë në librin e saj edhe disa sprova botimi të këtij fjalori, duke manifestuar formimin e saj si filologe dhe leksikografe. Ajo ka bërë kërkime përtej dorëshkrimit të këtij fjalori, për të hapur perspektivën e një botimi të plotë të fondit leksikografik të Lef Nosit. Po ashtu ajo na sjell copë- za letërkëmbimesh dhe ajo çka mund t’i qasej edhe debatit që ka hapur libri i Blushit  është gjenealogjia e familjes së Nosëve. Sipas asaj çka shkruan vetë Lef Nosi, nga rrënja e madhe e Nosëve kanë dalë tri degë: Nosët, Shuteriqët dhe Markot. Madje, ai përmend në të edhe Simon Shuteriqin, stërgjyshin e Blushit…

“Si u vendosën Nosët në Elbasan”

Në një fashikull me njëzet e tri fletë Lef Mosi ka shkruar gjenealogjinë e familjes Nosi. Është një material dorëshkrimor i ndarë në dy pjesë. Në nëntë fletët e para është shkruar një historik i shkurtër i familjes së Nosëve ilustruar me episode të kujtimeve apo tregime të ardhura në rrjedhën e kohës nga pjesëtarë të ndryshëm të kësaj familjeje, gojëdhëna mbi origjinën e Nosëve dhe vendosjen e tyre në Elbasan.

“Gojdhana e familjes thot se Nost janë t’ardhur nga Greqia edhe i pari i ksaj familje qi ka ardhë këtu kishte pas ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenë i shtërnguem me dalë dheut. Po, sekurse kanë ardhë nuk dihet mirë porsi në familje nuk ndodhet asni dokument i shkruem që të na e dëftejë… Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemnin e vjetër e dy të tjerat e ndërruen tyke marrë njana mbiemnin ‘Shuteriqi’ e tjetra ‘Marku’. E shumta e emnavet që u ngjisin fëmijëvet këta tri barqe janë po ato… Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndëgjue nga i ati se i pari i familjes Nosi kishte pas qenë kapidani i një anie Nosi pasi kjo iu kshte mbytë, nga Korfuzi ishte hudh e kishte dalë mëktanë detut e kishte ardhë e kishte zanë vend ktu në Elbasan e prandaj e kishin qujtë Kapidan. Nost kanë ardhë nga Natja (Anna Nosi)”.

Ndërsa në pjesën tjetër, me anë të disa skicave, Lef Nosi ka ndërtuar një pemë gjenealogjike të Nosëve me fillesa në fillimin e shekullit XIX e me degëzimet e saj deri në fillimin e shekullit XX, kur dhe ai e ka shkruar. Në të jepen lidhjet martesore të trashëgimtarëve me pjesëtarë e trashëgimtarë të familjeve të ndryshme të qytetit të Elbasanit, rrethinave apo qyteteve të tjera, duke dhënë në këtë mënyrë informacion të tërthortë edhe rreth tyre. Në këtë mënyrë kemi një material burimologjik me vlera për sa i përket dëshmimit rreth prejardhjes dhe përdorimit të disa emra njerëzish, detajeve rreth disa familjeve qytetase të Elbasanit dhe marrëdhënieve mes tyre, traditave dhe ritualeve të festave fetare etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura