Libri i Fatos Kongolit/ Si u zhduk sportisti që shoqërohej me vajzën e Enverit

Feb 18, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

“Të gjitha personazhet e librit i kam njohur në të shkuarën time”. Kështu shprehet shkrimtari Fatos Kongoli, i cili dy ditë më parë promovoi romanin e tij më të ri “Gjemia e mbytur”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”.

(Majtas) Pranvera Hoxha, vajza e ish diktatorit. (Djathtas) Kopertina e Librit te Kongolit

“Gjemia e mbytur” është një anije që sot na del në sipërfaqe, duke sjellë në vëmendje ngjarje dhe personazhe, që kush ka jetuar në atë periudhë, i kujton fare mirë. “Lexuesi do të gjejë ngjarje të bujshme të kohës, do të bëjë lidhjen me personazhe konkretë”, thotë Kongoli.

Një nga këto ngjarje me shumë gjasë është edhe ajo e zhdukjes së basketbollistit arkitekt, djalit që shoqërohej me vajzën e “Të Madhit”, Enver Hoxhës. Djali VIP, që në roman vjen me emrin Roert Fusha, u mbyll në spitalin psikiatrik e më tej u degdis në burg, ku humbi jetën nga një masiv shkëmbor. Kur e pyet Kongolin për vërtetësinë e këtij episodi, ai të përgjigjet qetë: “Kushdo mund t’i bëjë leximin e tij librit”.

“Gjemia e mbytur” tërhoqi menjëherë vë- mendjen e lexuesit, jo vetëm sepse u fol se ai trajtonte deri diku çështjen e dosjeve apo se personazhet e tij janë ish-sigurimsa, por edhe për shkak të titullit të tij. “Më kanë pyetur shumë veta për këtë, por unë preferoj të mos përgjigjem. Titulli është një metaforë dhe kush lexon librin, e zbulon atë”, thotë Kongoli, teksa shton se për një shkrimtar është shumë e vështirë që të rrëfejë për librin e tij.

Kongoli e pranon se ashtu si do të shprehej edhe studiuesi Agim Baçi, ky roman e ka një lidhje me ata paraardhës, madje mund të quhet edhe një çelës leximi. “Ky është libër që e kam shkruar shpejt, që më ka mbetur pezull në mendje qysh se shkrova librin ‘Iluzione në sirtar’, i cili ngjalli shumë polemika në kohën kur u botua”, thotë Kongoli. “Unë u përkas shkrimtarëve të letërsisë së dhimbjes njerëzore. Çdo vepër e imja është një shprehje e drejtpërdrejtë e zhvillimeve dhe dhimbjeve të mia”, thotë Kongoli.

PERSONAZHET
Për Agim Baçin, përmes romanit të tij Kongoli ka përshkruar edhe ata njerëz që nuk kanë zë, nuk kanë guxim dhe mungesa e këtij guximi u ka shkaktuar jo pak probleme. Sepse kur ata guxojnë është tepër vonë. Romani i Kongolit, nisur nga e tashmja kthehet në të shkuarën. Ai ndërthur kohët, madje shkon deri në pakohësi, ashtu si jetët e njerëzve, që siç thotë botuesja Irena Toçi, kthehen në xhelatët e njëri-tjetrit.

Në librin e Kongolit gjejmë viktima të komunizmit, jetë të vjedhura që nuk kthehen më, që enden si frymë pa gjetur paqe, sepse dikujt ende nuk i është gjetur trupi, tjetri sepse i mbetën pengje në jetë, sepse la pas një të dashur, një fëmijë që nuk e njohu kurrë, sepse shkaktarët e vdekjes së tyre nuk janë ndëshkuar ende… Po janë edhe ata persekutuesit, të cilët nuk mund të mbajnë për shumë gjatë rolin e të kapardisurit, të atij që ngjall tmerr edhe në një tjetër sistem. Edhe ata përndiqen nga e shkuara, nga fantazmat e njerëzve që kanë shkelur me këmbë, kanë vrarë, kanë torturuar.

Luftojnë me hijet dhe emrat e atyre që ndonëse e dinë mirë që kanë vdekur, u dalin në gjumë dhe i kërcënojnë me vdekje. Por, pavarësisht se kemi të bëjmë me një roman, autori pranon se aty ka jo pak nga e vërteta. “Shumë nga personazhet janë të njohur të mitë të asaj epoke apo edhe më vonë. Lexuesi do të gjejë ndodhi shumë të bujshme të kohëve të ndryshme, do t’u shkojë mendja te persona konkretë. Por personazhet e librit dhe ata realë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Gjithnjë më ka grishur ideja e krahasimit mes personazhit real dhe atij romanesk. Janë tërësisht të ndryshëm. Por unë, pa personazhin real dhe pa një histori për të treguar e kam të vështirë të ngre një libër. Sigurisht letërsia nuk është histori, madje letërsia fillon atje ku mbaron historia. Është një proces shumë metafizik”, thotë Kongoli.

NGA LIBRI

Të përndjekur nga hija e së shkuarës, e materializuar në formën e një letre që i kërcënon me vdekje, ish-hetuesi i Ministrisë së Brendshme Dhimo Shkurra dhe ish-operativi i Sigurimit të Shtetit Veli Myrti, të ulur në një kafe, kthehen pas në kohë dhe rikujtojnë rastin e zhdukjes së djalit që shoqërohej me vajzën e ish-diktatorit Enver Hoxha, apo siç thonë ata “të madhit fare”.

Shkurra, që kishte një inat të vjetër me basketbollistin arkitekt, Robert Fusha, pasi ky i fundit e kishte rrahur paq, pasi mori urdhrin nga shefi, ministri i Punëve të Brendshme, me një zell të patreguar e arreston djalin në ambientet e Institutit të Projekteve të Ndërtimit.

Përmes fatit të Robert Fushës, Fatos Kongoli i bën homazh gjithë atyre djemve që e pësuan po njëlloj, në mos me urdhër të “të madhit fare”, të atyre poshtë tij. Madje, fati i tyre varej edhe nga hetuesit e operativët…

Ato kohë, shenja të shumta dëshmonin shpërthimin e afërt të një stuhie. Lloj-lloj palaçosh, po të përdor një term të zbutur për ata rrufjanë, po shkonin larg, e kemi biseduar, s’dua të zgjatem. Dhe kur më thanë se shefi më kërkonte me urgjencë, mendja më vajti vetvetiu te ndonjëri prej tyre.

Ti e di, me gjithë fatin e zi të atij njeriu, unë nuk kam menduar kurrë keq për të, pavarësisht se deri vonë s’ma mbante të hapesha as me ty. Të shkuara të harruara! Ai njeri më ngjallte respekt, ishte mik i tim ati, më përkrahu në çdo hap…

U futa, pra, në zyrën e tij me një lloj emocioni, dhe ai më ftoi të zija vend në një nga karriget e tryezës së gjatë në formë T-je. Në gjithë atë zyrë të madhe ndodheshim vetëm unë dhe ai. Po të mos kujtoj dy portretet e përhershme varur mbi mur pas shpinës së tij, që na vëzhgonin të heshtur.

-Të kam thirrur për një çështje delikate, tha ai sapo zura vend, je njeriu im më i përshtatshëm për ta mbaruar këtë punë. Interesohet i madhi fare, kupton?

-Ju kuptoj, ia ktheva, dhe sytë më vajtën vetvetiu te portreti i të madhit fare, më thoni ç’duhet të bëj!

Çfarë nuk prisja, arrestimin e ndonjë rrufjani të arteve, për shembull, por aty ku doli ai, e pamundur të më shkonte mendja.

-Ka disa muaj që e gjithë Tirana zien nga një thashethem, tha shefi. Një basketbollist me emrin Robert Fusha, me profesion arkitekt, aktualisht në Institutin e Projekteve të Ndërtimit, i bie në qafë vajzës së të madhit fare. I kanë tërhequr vëmendjen ta lërë të qetë, por ai karafil s’merrka vesh, vazhdon në të tijën.

Ngriva. Dhe bëra një lëvizje të pavetëdijshme, dora më vajti te cepi i vetullës ku, po ta prekja, ndihej ende shenja e çarjes së dikurshme. Shefit nuk kaloi pa i rënë në sy kjo lëvizje.

-Ndonjë problem?, më pyeti.

-Asnjë problem shef, iu përgjigja, po ju dëgjoj.

-Në rregull, vazhdoi ai, udhëzimi është që këtij vagabondi t’i jepet një mësim shembullor. Veç kujdes, arrestimi s’duhet të dalë i lidhur me motivin e vajzës së të madhit fare! Ky motiv të shmanget, të gjendet një tjetër, e kupton ç’dua të them? Edhe mua po të më qepesh, do të zbulosh ndonjë kleçkë, jo më atij. Është vendosur që arrestimi të bëhet sot në orën dymbëdhjetë, në Institut. Jo fort e përshtatshme kjo orë, do të bëhet bujë, në kundërshtim me rregullin që arrestimet të bëhen me sa më pak zhurmë. Po duket kështu është menduar nga lart, në këtë rast arrestimi të bëhet i bujshëm. Nga ana jonë, çdo gjë është e kopsitur. Nga ana e tyre, drejtori i institutit është instruktuar që sot, në orën dymbëdhjetë, të organizojë në drejtori një mbledhje arkitektësh për një projekt, ku të jetë i pranishëm edhe zotëria e tij. Do t’ia vini prangat sapo të dalë nga mbledhja, e cila nuk do të zgjasë shumë, punë minutash. Të tjerat ti i di vetë, shk… motrën atij horri. Nëse ke ndonjë pyetje, bëje. Nëse jo, nisu!

Më re në dorë, bir kurve, thashë me vete tek dilja nga zyra e shefit dhe vështrova orën: dhjetë fiks. Më mbeteshin dy orë të gjata deri sa të vinte çasti i hakmarrjes, të cilën nuk e kisha përfytyruar se do të realizohej kaq mrekullisht…

Ia hodhëm hekurat sapo doli nga mbledhja. Në korridorin para drejtorisë s’kishte njerëz, dyert e zyrave të tjera qenë të mbyllura. U ndodhën të pranishëm disa pjesëmarrës të mbledhjes dhe ai haleja deshi të bënte të for- tin.

-Protestoj,- thirri duke synuar të impresiononte kolegët dhe koleget e tij, -është një kurth i poshtër kundër meje, s’kam bërë asgjë të keqe, asgjë të kundërligjshme. Ju ftoj të mbani qëndrim!

Të pranishmit heshtën.

-Mos na luaj teatër këtu, i fola unë me zë të ulët, dhe mos bërtit. Do të të marrin për të çmendur!

-Unë s’po luaj teatër, thirri prapë ai duke iu drejtuar të tjerëve, dhe s’jam i çmendur. Ky është një kurth! Ju duhet ta merrni me mend përse dhe kush ma ka ngritur këtë kurth!

Kolegët dhe koleget e tij gjetën zgjidhjen më komode për ta, u ngutën të largoheshin, të mbylleshin prapë në drejtori. Atëherë m’u kujtua porosia e shefit, t’ia shk… motrën këtij rrufjani. Unë nuk e dija në kishte apo nuk kishte motër ai, por dija një gjë. Isha i autorizuar t’ia shk… edhe 20 motra. Kisha një motiv të vjetër, të mjaftueshëm për t’ia shk…, edhe po të mos isha i autorizuar zyrtarisht. Jo më shumë se pas pesëmbëdhjetë minutash u ndodha vetëm për vetëm me të në atë dhomën e katit të nëndheshëm, pa dritare. Ai me duar të lidhura, ulur në karrige, nën një llambë që varej nga tavani mbi kokën e tij dhe unë në këmbë, ende pa e besuar që dita e shpagimit kishte mbërritur. Iu afrova, ia ngula sytë, u përkula drejt tij, e çova gishtin te shenja e plagës së dikurshme nën vetull dhe e pyeta:

-E sheh këtë? Diçka duhet të të kujtojë!

Ai nuk foli.

-Të jam betuar atëherë, veç po s’më rafsh në dorë, të kujtohet?

-Ai prapë s’foli.

-Zagar, i shfryva, ja çfarë je, një mut muti. Më thuaj, ç’do të bësh tani?

Atë çast, duke përfituar që fytyra ime ishte shumë pranë surratit të tij, ai bëri veprimin më të pakëshillueshëm për të, më lëshoi një pështymë.

-Këtë mund të bëj, u përgjigj.

E kërkoi vetë. I dhashë një grusht turinjve, aq sa më dhembi dora. Atij i vajti koka prapa, i plasi gjaku, por unë isha i errur. Nxora shaminë, fshiva pështymën e tij, iu afrova prapë dhe kësaj here i dhashë një goditje me gjithë shpatull, dhe ai fluturoi tutje bashkë me karrigen, koka iu përplas në mur dhe u shemb mbi dysheme.

Vajta aty ku ai mbeti shakull, me sytë mbyllur, i larë në gjak. Nga grushti im i dytë qe çarë në vetull, aty ku doja unë, por të çarën më të madhe e kishte në kokë, nga përplasja e fortë pas murit.

-Hapi sytë qelbësirë, i fola duke e tundur, e di që po luan teatër, është më mirë për ty t’i hapësh!

Ai nuk i hapi menjëherë, kishte humbur ndjenjat. Erdhi në vete pasi i derdha në fytyrë ujin e një shisheje të mbetur atje, dhe i hoqa prangat. Kur hapi sytë i thashë:

-Që je maskara, e dinë të gjithë. Por qenke dhe i çmendur. Ndryshe nuk do ta përplasje kokën pas murit, të bëheshe kështu siç je bërë!

E lashë aty përtokë. Pa humbur asnjë sekondë u ngjita te shefi. E kuptova, kisha shkuar pak larg. Dhe për herë të parë i sajova shefit një gënjeshtër. I recitova një variant, që e përpunova me vete tek rrija në këmbë duke vështruar trupin e shembur mbi dysheme, pa asnjë shenjë jete, dhe të them të drejtën, për një çast më hyri frika, mos e kam vrarë fare këtë mut, mendova dhe mora frymë i lehtësuar si e njoma me ujë dhe ai hapi sytë. Interesimit të shefit nëse gjithç- ka kishte vajtur pa ndonjë problem me arrestimin e të pandehurit, iu përgjigja pozitivisht, përveç një problemi të paparashikuar nga ana ime.

Që në çastin e arrestimit, i raportova, më ra në sy një gjendje e rënduar mendore e të pandehurit. Ai zuri të fliste me zë të lartë, të këpuste broçkulla, me një acarim të cilit në fillim nuk i dhashë rëndësi. Gjendja e tij e çakërdisur vazhdoi gjatë rrugës për këtu, unë dhe operativi mezi e mbanim, e kjo mbërriti kulmin në dhomën poshtë. Sapo u futëm brenda, i hoqa prangat dhe i thashë të ulej në karrige, i pandehuri, fare papritur, duke lëshuar një klithmë, vajti përplasi kokën nja dy-tri herë pas murit. Gjithçka ndodhi me shpejtësi rrufeje shef, më vjen keq që nuk munda ta parandaloj. E kam lënë atje, të mbytur në gjak. Sipas meje, hëpërhë ai nuk është për ne, hëpërhë ai duhet çuar në psikiatri.

Nuk mund të them nëse shefi e hëngri këtë gënjeshtër apo bëri sikur e hëngri, ka të ngjarë më shumë kjo e dyta. Ai m’i nguli sytë, sikur po më peshonte. Dhe më pyeti nëse kur i pandehuri e përplasi kokën pas murit, në dhomë ndodhej edhe operativi. U nguta të saktësoja se në dhomë ndodheshim vetëm ne të dy, unë dhe i pandehuri. Ai u mendua për disa çaste që m’u dukën të gjata. M’i nguli sytë sërish e tha:

-Dakord, tani shko poshtë dhe merru me të, bëje gati ta nisësh për në spital. Unë po bisedoj me drejtorin e psikiatrikut, të dërgojë një autoambulancë dhe të marrë masa për shtrimin e tij. Kemi pasur një rast tjetër të tillë, kështu që ai e di se ç’duhet të bëjë. Po të porosis dhe ty, deri sa i pandehuri të qetësohet dhe t’i shërohen plagët, gjithçka të mbahet e fshehtë. Asnjë informacion, askujt, as njerëzve të familjes. Të tjerat më vonë!

E izoluam në psikiatrik nja dhjetë ditë. Të mjaftueshme që t’i shëroheshin plagët. Të mjaftueshme gjithashtu që t’i binin pendët. Në takimin tim të parë me të brenda spitalit, e pashë, s’mund të duronte më, do të pranonte çdo kusht për të dalë prej andej, edhe po t’i duhej të firmoste se gomari fluturon. Burra me bole e kishin bërë këtë, vetëm të shpëtonin, jo më ai bythëmut.! Kështu që i dola me një propozim. Ose të rrinte urtë e të qepte gojën për gjithçka kishte ndodhur, ose do të mbetej atje ku ishte, kushedi për sa kohë, midis të çmendurve, derisa të çmendej edhe vetë.

Më pas gjërat shkuan fjollë, asnjë vështirësi për të ngritur një padi penale, me akuzën agjtacion-propagandë. Përpunova një numër dëshmitarësh për ta fundosur, kolegë të tij, nga instituti dhe klubi sportiv. Ai u dënua, përfundoi në Spaç (ku e la top në vend në minierë një masiv shkëmbor). Unë u përgëzova nga shefi në emër të shokëve lart, kështu më tha shef 

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura