“Libri i Enverit për Stalinin, një marrëzi!”- Ish-Drejtori i Shërbimeve Inteligjente rrëfen bisedën me Ismail Kadarenë në Athinë më 1984

Sep 27, 2021 | 18:06
SHPËRNDAJE

Koçollari-kadareDiplomati, studiuesi dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Inteligjente, rrëfen një takim të rrallë me shkrimtarin Ismail Kadare në Athinë. Kadare kishte qenë idhulli i rinisë së tij, ishte formuar duke lexuar romanet e Kadaresë dhe takimi me shkrimtarin, në vitin 1984 e zemrës ishte i shumëpritur për të.

Në gazetës letrare “Ex Libris”, Koçollari tregon për vizitën e Kadaresë në Athinë, gjatë së cilës ai zhvilloi edhe një vizitë mjekësore, takoi bashkëshorten e shkencëtarit Aleksandë Fleming dhe një takim rastësor me shkrimtarin serb Danilo Kish. Por, ajo çka iu ngulit thellë në mendje dhe e tronditi ishte një bisedë me shkrimtarin teksa shëtisnin me makinë nëpër Athinë. Kadare e kishte quajtur marrëzi librin e Enver Hoxhës për Stalinin dhe shprehu idenë që edhe në Shqipëri të lejohej besimi fetar.

IRAKLI KOÇOLLARI

KADAREJA NË VITET E RRITJES SONË

Nuk e mbaj mend saktësisht se kush ka qenë krijimi i parë i Kadaresë, që kam marrë në duar për ta lexuar, nuk di nëse ishte poezi apo prozë, novelë, tregim apo roman. Edhe sot ajo më fshihet mes të panjohurave të këndshme, të korpusit të pafund të veprës së atij krijuesi që i solli aq shumë botës së letrave shqipe, pse jo edhe moralit civilizues shqiptar.

Megjithatë, mbaj mend mirë se në tetëvjeçare dhe në gjimnaz lexoja “Gjeneralin” që më fuste në një botë të çuditshme, të vranët dhe të ngarkuar me shi, personazhe varrmihësish të pazakontë, me imazhe ushtarësh kthyer në skelete dhe në vejusha të veshura në të zeza. “Qyteti në gur” dhe “Dasma”, më sillnin imazhe të tjera, të gjalla, të një qyteti të largët jugor dhe të fshatrave rreth tij me një botë e jetë të veçantë…

Ndërsa botimi i “Dimri i vetmisë së madhe” krijoi ato vite të rinisë sime një tjetër klimë. Ai u shfaq si një ciklon që përfshiu në vorbullat e tij lexues të rregullt dhe jo lexues, pasionantë të letrave dhe amatorë të tyre. Ai botim u duk se tronditi rutinën e heshtur të letrave shqipe, apo më mirë të them çeli një stinë të ndezur, përhapi një aromë të veçantë… ngjalli debate, nxiti vlerësime, kundërshti, madje edhe grindje mes lexuesve, të njohur apo anonimë, që flisnin tërë pasion, rrëmbim, simpati, adhurimin por dhe inate … shtypi, studiuesit, kritikët, nxitën mbledhje dhe analiza, një gjithëpërfshirje që ndoshta nuk do të përsëritet më në historinë e botimeve dhe të letrave shqipe.

“Ura me tri harqe” dhe veçmas novela “Kush e solli Doruntinën” ishte një tjetër rrëfim që do të më çonte aso kohe si me magji në mesjetën arbërore. Fillimisht, historinë e asaj vajze të mjerë, Doruntinës, ma kishte treguar gjyshja, ndjesë pastë! Vargjet e asaj kënge popullore të lashtë ajo mi nanuriste shpesh në mbrëmjet e fëmijërisë time. Gjyshja, një fshatare nga malet e larta të Çajupit përballë Gjirokastrës, dinte poemthin përmendësh dhe jo rrallë bënte komente për vargjet që më kallnin frikën, më mbanin në ankth dhe më fusnin si me çudi në botën e të vdekurve që ngjalleshin. Por, kur lexova Doruntinën e Kadaresë skenat që nuk i shpjegonte vargu popullor fjalëpak mi plotësoi me imazhe tronditëse Doruntina e Kadaresë….

Me një vëmendje të veçantë kam lexuar dhe stërlexuar ato vite “Autobiografi e popullit në vargje”, që më magjepste. Edhe tani ai libërth i vogël, i vjetërsuar nga koha dhe mbushur me nënvizimet e shumta nëpër vite, gjendet ende në bibliotekën e shtëpisë time si një relike nostalgjie dhe adhurimi të veçantë. Nuk e fsheh, ai më duket edhe sot se qëndron ende i denjë dhe sfidues pranë dhe krah botimeve të shumta në raftet e bibliotekës time, mes enciklopedive, filozofëve të mëdhenj të antikitetit dhe kohëve moderne, juristëve dhe statuteve të lashtë të qyteteve mesjetare shqiptare, poetëve dhe prozatorëve, tragjedianëve, piktorëve dhe monografive që rreshtohen bri këtij studimi aq të dashur…

STUDENT NË TIRANË…

Kur erdha në Tiranë, në vitet studentore, do të ndiqja edhe më tej botimet e tjera të shkrimtarit, madje tani do të kisha mundësinë ta shihja edhe fizikisht nga larg atë. Brezat e atyre kohëve e mbajnë mend mirë xhiron në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, çdo mbrëmje. Ishte një ritual i bukur dhe i veçantë, shumë i populluar, i frekuentuar kryesisht nga të rinj dhe të reja. Jo rrallë, në këtë xhiro shfaqej Kadareja. Me ecjen e tij të ngadaltë, pak buzagazas dhe më shpesh i menduar… Më kishte qëlluar t’i kaloja pranë, përballë apo në krah dhe e kisha parë nga afër shkrimtarin, por vetëm kaq.

Me bashkëmoshatarët në Tiranë, bisedat për krijimtarinë e Kadaresë kishin tjetër nivel dhe pretendime. Lexonim përkthimet e tij, veçmas vargjet e Eseninit dhe shpesh debatonim se te kush tingëllonte më bukur, përkthimi i poezisë “Letër Nënës”? Te Zikoja, Agolli apo Kadareja…

Vinim përballë tij Pushkinin dhe Lermontovin, antologjinë poetike të Hygoit, apo Gëten, Rambidronat Tagorën apo Ricon, Kavafin, por mua gjithmonë më është dukur se vargu i Kadaresë kishte një gjë disi të veçantë që e dallonte qartazi nga ata…. Por, nuk e dija çfarë!

Vite më pas do të lexoja shkrimet “Pallati i ëndrrave”, “Dosja H”, “Darka e gabuar”, “Eskili ky humbës i madh”, Homerin, do të mësoja për tragjeditë e lashta greke …. Frekuentimin e teatrove në botën antike dhe artin e madh të asaj bote. Çuditërisht, shekujt e largët të antikitetit dhe të artit të papërsëritshëm të epokës së klasicizmit, Kadareja do të na i sillte pranë, bri çapitjeve tona. Ai largonte misteret e një kohe të zhytur në katakombe të mistershme, të largët me shekuj, mbushur me mite dhe perëndi dhe na bënte të shkelnim në qendrat urbane të asaj kohe si qytetarë të lashtë veshur me tunika apo të hynim në arenat, amfiteatrot apo teatrot dhe të duartrokisnim mes turmave…

VITE MË PAS, ATHINË 1984

Në fillimin e viteve ’80 ndodhesha në Greqi si diplomat. Ishte viti i dytë i qëndrimit tim në Athinë, kur papritur një njoftim nga Tirana na bënte me dije se do të vinte aty, i ftuar në një takim të shkrimtarëve më në zë europianë, Ismail Kadareja.

Nuk e di për ç’arsye ambasadori nuk do të ishte në Athinë dhe menjëherë u thashë kolegëve se do të shkoja unë ta prisja në aeroport, Kadarenë. Tanimë do të kisha rastin ta takoja dhe flisja nga afër me të. Një dëshirë e hershme dukej se më ofrohej për t’u realizuar larg vendit tim. Sigurisht, në aeroport kishin dalë për të pritur shkrimtarin edhe organizatorët e eventit, të cilët i prezantuan edhe një herë programin dhe na përcollën në zonën e “Vulagmenit”, në një prej hoteleve më të mira të Athinës, “Astir Palace”. Në bisedat e shkurta që patëm me të dhe nga njoftimi zyrtar i MPJ, ishim vënë në dijeni se Kadareja kishte një shqetësim shëndetësor serioz, prandaj ne duhet të interesoheshim të organizonim një vizitë mjekësore për shkrimtarin. Pasditet vonë dhe mbrëmjet do të ishin kryesisht të lira, çka do të na jepte mundësinë për të qëndruar në shoqërinë e Kadaresë dhe organizuar shëtitje dhe vizitën e nevojshme mjekësore.

NË SHTËPINË E DEPUTETES GREKE AMALIA FLEMING

Ditën e dytë apo të tretë të qëndrimit në Athinë, në pasdite shkova në ambientet e “Astirit” për të takuar Kadarenë, që paraprakisht e kishim bërë me dije se ishte i ftuar për një darkë, në shtëpinë e një prej grave me të kulturuara dhe të njohura në Greqi, prej deputetes Amalia Fleming.

Flemingu ishte bashkëshortja e shpikësit të famshëm të penicilinës, britanikut Aleksandër Fleming. Banonte në një prej lagjeve më luksoze të Athinës. Ishte një grua e moshuar me një reputacion evident dhe mjaft e dashur për opinionin e gjerë në Greqi. Një antifashiste dhe antijuntiste e njohur, e burgosur disa herë prej juntës së kolonelëve. Arratisur nga burgjet dhe mandej me një aktivitet të shquar politik nëpër Europë, për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për përmbysjen e juntës së kolonelëve. Një ndër themelueset e PASOKut dhe deputete e Parlamentit grek në disa legjislatura.

Flemingu ishte një grua mjaft e kulturuar, por ajo që na lidhte më shumë me të ishte fakti se ajo ishte një dashamirëse dhe një mikeshë e deklaruar dhe e vërtetë e vendit tonë. Asnjëherë nuk e mësova faktin se nga i buronte ai respekt dhe ajo ndjenjë e thellë emocionale dhe dobësie për vendin tim, Shqipërinë! Shpesh e kisha në mendje ta pyesja, por ndoshta mosha ime fare e re përballë autoritetit dhe moshës e saj të thyer më bënte të ndjehesha i pavendosur ta kërkoja këtë të panjohur të këndshme!

Lexonte pareshtur. Në disa biseda me të kishte përsëritur vlerësimet dhe emocionet e saj për librat e Kadaresë, botimet në greqisht të të cilit i kishte në raftet e bibliotekës. Në shtator të vitit 1984, kur mori vesh se në Athinë do të vinte vetë Kadareja në një takim të shkrimtarëve më në zë europianë, Amalia kërkoi me insistim që një mbrëmje shkrimtari ynë të ishte mik i ftuar në shtëpinë e saj. Ftesën ia përcollëm Kadaresë dhe ai e pranoi atë me kënaqësi.

Mbasi ia njoftuam përgjigjen pozitive të Kadaresë, në biseda i bëmë me dije Amalisë se shkrimtari kishte një shqetësim shëndetësor, që dukej se ishte serioz. Ajo menjëherë u tregua e gatshme për të na ndihmuar dhe na tha se mjekun më të mirë ortoped e kishte mikun e saj e me këtë rast nëse do të ishte e nevojshme mund ta ftonte edhe atë që ta shihte nga afër. Dhe vërtet atë mbrëmje Ismaili shfaqi një gjendje të rënduar shëndetësore, çka alarmoi Amalinë të thërriste menjëherë mjekun aty.

Ortopedi, një burë i moshuar, i thatë dhe i gjatë, diplomuar në shkollat britanike, që erdhi menjëherë atë natë e pa me kujdes, e pyeti gjatë Kadarenë dhe mandej filloi të prekte me gishtërinjtë e tij vertebrat e shtyllës …. Heshti gjatë dhe foli fare pak. Në thelb ai shprehu bindjen e tij se problemi nuk ishte serioz, por skaneri ishte i nevojshëm të kryhej. Sidoqoftë, mbrëmja kaloi nën një klimë mjaft të ngrohtë dhe miqësore dhe me kërkesën e Amalisë u bënë edhe fotografi, të cilat mbetën të rralla dhe unike në fondin e kujtimeve të mija të bukura me shkrimtarin!

NJË BISEDË QË MË TRONDITI!

Mbas vizitës dhe skanerin e kryer në një prej klinikave të Athinës, që konfirmuan se shqetësimi nuk lidhej me sëmundjen e keqe, të paktën mua më dukej se Ismaili ishte shumë më i qetë. Ditën tjetër në pasdite, meqë në axhendën e shkrimtarëve nuk kishte ndonjë aktivitet të veçantë, e kishim lënë të shkoja përsëri në “Astir Palace” për ta marrë Kadarenë dhe bërë një guidë të shkurtër nëpër Athinë.

Në hollin e Hotelit e dallova Ismailin të ulur në një prej kolltukëve. Iu afrova dhe pasi më ftoi të ulesha filluam të bisedonim. Por, pas pak aty erdhi një burrë i gjatë, tip i çliruar në qëndrimin dhe komunikimin e tij, me një çantë të hedhur në njërin sup që e mbante pak më të varur se supin tjetër, me flokë të shpupuritur. Ai iu afrua Kadaresë, diçka bisedoi me të në frëngjisht dhe mandej Kadareja e prezantoi të porsaardhurin me mua duke i treguar se isha një bashkëpatriot i tij. Burri më zgjati dorën, ndërsa Kadareja më tha se ishte shkrimtari serb Danillo Kish. (“E kam thënë vazhdimisht, shtoi serbi, duke u ndarë nga ne, që ju shqiptarët jeni njerëz të pashëm”.)

Mbas përshëndetjes me serbin, së bashku me Kadarenë nuk u ulëm më, por dolëm jashtë, morëm makinën dhe filluam të lëviznim nëpër kryeqytetin helenik. Kisha rastin të bisedoja dhe të dëgjoja nga afër një idhull të formimit dhe kulturës time që prej adoleshencës dhe më tej nëpër vitet e mia. Kisha dëshirë ta pyesja për shumë e shumë gjëra, por bashkë me të edhe droje të madhe.

Megjithatë, folëm jo pak me njëri-tjetrin, por një çast, papritur rrjedhën rutinë e bisedave tona ndryshoi! Në njërën prej sediljeve të makinës time ndodhej libri “Me Stalinin”, i cili ato kohë do të përkthehej në Greqi. Kadareja e pa librin dhe nën vetullat e ngrysura dhe u drejtua nga unë duke thënë:

“Po ky është në terezi me këto që shkruan? Ç’i thotë mëndja këtij njeriu që vazhdon dhe merr në mbrojtje Stalinin?! Heshta, i tronditur, me atë që lëshoi si pa të keq shkrimtari kundër Enver Hoxhës!!!

“Po, Stalinin nuk e marrin në mbrojtje vetë sovjetikët, madje as vetë gjeorgjianët me ato që ka bërë, tani na del ky dhe na e mbron. Jo vetëm kaq, por shkruan edhe një goxha libër? Marrëzira!

Përsëri heshta dhe u shqetësova jo pak. Kadareja e dinte fare mirë që unë isha i Shërbimeve Inteligjente, ashtu sikurse e dinte që ato që ai deklaroi nuk ishin as më shumë dhe as më pak veç “agjitacion e propagandë”, sikundër përcaktoheshin në fjalorin ligjor të kohës.

Heshta përsëri, pa u prononcuar në ato që lëshonte tek unë shkrimtari me një kurajë të çuditshme!

Dhe pa kaluar gjatë, ashtu duke vazhduar rrugën, ndaluam në një semafor në krah të të cilit ishte një kishë e ritit ortodoks, ndoshta e ndërtuar rishtazi. Me kokën e kthyer nga kisha, sikur të mos ishte mjaftuar me ato që më tha, Kadareja vazhdoi:

“Po ja, me thuaj, ç’të keqe ka të hapen kishat dhe xhamitë?

Përse duhet të qëndrojnë të mbyllura vetëm tek ne? Përse ne duhet të bëjmë ndryshe nga e gjithë bota? Po le të besojë kush të dojë në atë zot e perëndi që do! Çfarë e keqe do t’i vinte Shqipërisë nga liria e besimit dhe bindjeve religjioze?

Me këto e shumë të tjera në marrim përsipër urrejtjen e botës, sepse kështu do e mendon ai…

Heshta, heshta, heshta…. Megjithatë, edhe mbrëmja e asaj nate para largimit të Kadaresë për në Shqipëri kaloi bukur.

RRËFIMI TE NJË MIK…

Por, duhet të them se bisedat për Stalinin, lirinë e fesë etj., kishin lënë jo pak gjurmë e tronditje tek unë dhe më kishin vënë në mendime të thella. Pra, kishte edhe një tjetër mënyrë të menduari, kishte edhe alternativa të tjera gjykimi rreth çështjeve që gjer atëherë konsideroheshin tabu… për më tepër kur këto i thoshte një mendje që e vlerësoja racionalisht prej vitesh.

Por, duke qenë njohës i mekanizmave të shërbimeve inteligjente, sigurisht nuk kish si të mos deduktoja se ky njeri, siç foli me mua mund të flasë edhe me të tjerë dhe nuk përjashtohet që në rrethet njerëzore të ishte i pranishëm edhe ndonjë bashkëpunëtor i Shërbimit, i cili me siguri do të informonte për rebelimet e Kadaresë kundër qëndrimeve zyrtare të sistemit!

Pas disa javësh, erdha me një shërbim nga Athina në Tiranë. Sigurisht, kërkova të takoja menjëherë Ferid Hudhrin, një mikun tim, i cili ishte gjithashtu mik i afërt i Kadaresë. Mbas bisedave të para i tregova me hollësi dhe shqetësim Feridit gjithë ç’më kishte folur Kadareja dhe në vazhdim i thashë ta porosiste, si mik i afërt i shkrimtarit, të ishte i kujdesshëm e të mos fliste vend e pa vend se mund të kishte pasoja.

Feridi më dëgjoi me kujdes, qetë dhe për çudinë time përsëri me një qetësi të habitshme më tha:

“Ohooo, po ti e ke për herë të parë, prandaj shqetësohesh. Por, Kadareja ashtu flet vazhdimisht”

Përsëri i shqetësuar, i thashë Feridit se me atë mënyrë të foluri Kadareja mund të rrezikohej…

“Mirë, more, mirë, thua ti, por ja që ai është Kadareja, ashtu siç i mendon gjërat ashtu edhe i flet. Ne ia dimë këto Ismailit”.

Nga përgjigjet e Feridit kuptova se do të ishte e kotë që miqtë e tij të merrnin kurajë për “të ndrequr apo kthyer nga rruga e tij Kadarenë…”. Mesa dukej ajo ishte udha e tij, e pëlqenin ose jo të tjerët, e pranonin ose jo të tjerët, e kundërshtonin ose jo të tjerët. Itinerarin e atij shtegu dukej qartë se ai e kishte përcaktuar me bindje të plotë, prandaj dhe çapitej qartas në të dhe koha do të provonte saktësinë e orientimit drejt horizonteve te të cilët ai shkonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura