Libri, botime me pagesë dhe deformim shijesh. Studiues e pedagogë kërkojnë një strategji për të frenuar antivlerat

Apr 24, 2015 | 13:57
SHPËRNDAJE

Në një krizë botimi dhe leximi e gjeti Shqipërinë Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit, edhe pse gjatë vitit që shkoi janë botuar rreth 1 mijë tituj.

Për të tetin vit, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë organizoi një kalendar aktivitetesh kushtuar librit, duke përfshirë promovime librash të rinj, përkujtime shkrimtarësh që nuk jetojnë më, por edhe debate mbi problematikën që hasim këto kohëra kur vjen puna te cilësia e botimeve, antivlerat që shiten si vlera dhe deformimi i shijeve te lexuesit. Morën pjesë në këtë takim ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe ministri i Kulturës së Kosovës, zv.kryeministri Kujtim Shala.

Burim debati u bë shpalosja e një panorame mbi botimet letrare gjatë vitit 2014, nga shefja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri. Përmes një pune qëmtuese, Shehri kishte renditur të gjitha botimet e vitit që lamë pas. Flitet për 954 libra letrarë të botuar (329 poezi, 303 romane; 93 tregime dhe novela; 73 përralla; 43 fabula, 35 kritika letrare), ku kreun e listës vazhdon ta mbajë poezia.

Këtë temë serioze, Shehri e paraqiti jo pa humor, teksa renditi me radhë titujt e formateve klishe me dashuri, lot, shi, qiell, atdhe, me pasthirrma e ofshama, deri te konkursi për titullin më të “bukur”, ku kokë më kokë konkurronin “Hingëllima uni” i botuar në Shqipëri dhe “Kur era teshtin” dhe “Mbi flokët e ullukëve”. Prodhim i dendur i autorëve nga Shqipëria e Kosova, por rekordmeni ishte pa dyshim poeti nga Kosova, Adem Zaplluzha, i cili prej vitesh është në top-listë, por kësaj here kishte kaluar edhe vetveten me plot 24 vëllime në poezi.

DEBATI

Për të pranishmit në tryezën e debatit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, studiues, kritikë, gazetarë, botimi brenda një viti i 627 titujve nga autorë shqiptarë nga 954 gjithsej, fsheh krizën e rëndë të botimeve, deformimin e tregut dhe të shijeve të lexuesit. Botimi pa kriter i gjithfarë librash dhe autorësh kanë sjellë në një inflacion titujsh, që siç do të thoshte studiuesi dhe botuesi Pirro Misha kanë krijuar neveri te lexuesi.

“Nga këto fotografime që janë bërë, vërejmë se botimet janë kthyer në një pazar të vërtetë”, u shpreh pedagogu dhe studiuesi i letërsisë, Kastriot Gjika. Në një kohë që liria e të shprehurit u jep të drejtën të gjithëve që të shkruajnë e të botojnë, është e pamundur të ndalosh kënd, por ama, të gjithë të pranishmit ishin në një mendje se duhen gjetur mekanizmat e duhur për t’u vënë fre botimeve të këtij lloji.

Për gazetarin dhe përkthyesin Ben Andoni, do të duhej që çdo botim të kalonte në filtrat e kritikës. Për pedagogun Adem Jakllari edukimi i shijeve do të mund të bëhej në bashkëpunim mes kritikës dhe mediave.

Përkthyesja Saverina Pasho propozon ngritjen e komiteteve të leximit pranë shtëpive botuese, ndërsa për pedagogun dhe kritikun Mark Marku do të duheshin të gjendeshin mekanizma të rinj, në përputhje me format e reja që ka marrë komunikimi përmes librit. E pranishme në këtë takim, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, preferoi të mos diskutonte rreth temës, por të mbante shënime shqetësimet apo idetë e hedhura nga diskutuesit.

Pirro Misha: Lexuesi neveri nga botimet, duhet strategji

Botuesi Pirro Misha vuri në dukje se fiktiviteti është një nga problemet e mëdha të botimeve shqiptare. Sipas tij, përkundër kritereve të forta që viheshin dikur për botimet, sot vazhdojnë të botohen libra me para të grafomanëve, të cilët janë edhe një arsye për rënien e lexueshmërisë.

“Shënohet një rënie e lexueshmërisë së letërsisë artistike. Në Kosovë kjo është edhe më dramatike. Na thonë të mos u çojmë libra letrarë, në një kohë që porositë më të mëdha i marrin librat universitarë”.

Sipas tij duhet të nxitet kultura e të lexuarit. Një zgjidhje sipas Mishës është riaktivizimi i bibliotekave të rretheve, të cilat kanë probleme të mëdha fondesh, çka do të tejkalonte problemet financiare të shumë të rinjve. Po kështu, ai do të ngrinte edhe problemin e tenderëve të Ministrisë së Arsimit për tekstet jashtëshkollore apo furnizimin e bibliotekave të shkollave.

E quajti “batërdi” atë çka ka ndodhur në MA, edhe pse kjo e fundit e anuloi tenderin. Por, sipas Mishës, anulimi nuk është zgjidhje. “Duhet të ketë strategji për librin”, tha ai.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura