Fëmijët gjejnë eshtrat e një femre të vrarë në Librazhd. Dyshohet krim nga goditja në kafkë, trupi i dekompozuar

Apr 27, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

Kufoma e një femre u gjet dje pranë një përroi në komunën Babje të Librazhdit. Paraditen e djeshme, fëmijë të zonës pranë lagjes “Qershizë” u tronditën kur panë disa qen rrugësh që tërhiqnin kocka të një njeriu. 

Foto ilustruese

Ata lajmëruan familjarët e tyre e këta të fundit Policinë e Librazhdit, duke zbuluar një krim të dyshuar. Mendohet se kufoma i përket një femre të re, e cila është goditur në kokë, pasi kafka ishte e dëmtuar.

NGJARJA
Mësohet se fëmijët e lagjes “Qershizë” në Babje janë larguar nga fshati, duke luajtur pranë përroit, në një zonë ku ndahen dy lagjet e fshatit Babje. Në këtë zonë, ata kanë fiksuar disa qen duke ngrënë disa kocka që nga dukja, sipas fëmijëve, nuk ishin kocka të ndonjë kafshe, por ndryshe. Menjëherë ata kanë lajmëruar banorë të fshatit dhe këta të fundit Policinë e Librazhdit.

Ekspertë të Policisë mbërritën në vendin e ngjarjes, duke rrethuar zonën dhe nisur hetimet, ndërsa kanë marrë në pyetje së pari fëmijët dhe më pas banorët e fshatit. Njëri nga banorët ka pohuar për “Panoramën” se “nuk dimë nëse kufoma e dekompozuar i përket seksit femër apo mashkull, por që Policia erdhi dhe mblodhi të gjitha kockat që kishin mbetur nga qentë dhe më pas na mori në pyetje për të mësuar nëse në fshatin tonë kishte të deklaruar ndonjë të humbur apo jo”.

Po nga i njëjti burim konfirmohet se në zonën ku u gjetën eshtrat nuk ka persona të zhdukur. Vendi ku u gjet kufoma e dekompozuar është rreth 10 metra larg rrugës së makinave, por shumë larg zonës së banuar nga 2 lagjet e fshatit Babje. Ky është dhe shkaku që kufoma nuk është hasur më parë nga banorët e zonës. Duke qenë një përrua në formën e një kanali, kalimi i këmbësorëve në këtë anë thuajse nuk kryhej fare.

HETIMET
Sakaq të kontaktuar për ngjarjen, zyrtarët e Policisë së Elbasanit nuk e konfirmojnë se bëhet fjalë për një kufomë. Paraprakisht burimet thonë se “rreth 50 metra larg varrezave të fshatit janë gjetur disa kocka të vjetra dhe se është bërë vlerësimi, duke i dërguar kockat në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë”.

Por, banorët e zonës së Babjes thonë se në vendin ku u gjet kufoma e dekompozuar nuk ka varreza, duke hedhur poshtë faktin se eshtrat i përkasin një të vdekuri në kohë të hershme. Një pjesë e fshatit i varrosin të afërmit e tyre në Librazhd, ndërsa një pjesë tjetër shumë larg vendit ku u gjet trupi i dekompozuar në një kodër.

Sakaq, burime jozyrtare bëjnë të ditur se dyshohet se kufoma i përket seksit femër, nga 18-23 vjeç dhe se nga kafka e gjetur është konstatuar një goditje në kokë që mund t’i ketë marrë jetën. Dyshohet se kufoma është vrarë diku tjetër dhe është hedhur në këtë zonë. Sipas banorëve mësohet se asnjë banor i fshatit dhe fshatrave përreth nuk rezulton i humbur dhe se kufoma mund të jetë nga ndonjë qytet apo fshat tjetër i Shqipërisë. MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura