Librat më të mirë që, ndoshta (nuk) i humbët në Panairin e Librit, “Anjeza nuk u zgjua”, Preç Zogaj befasues me prozën e tij

Nov 19, 2019 | 10:17
SHPËRNDAJE

panairi1-1140x570-770x433

Atdhedashuri nga Andi Bejtja

(me 50 poezi t’i thuash të gjitha)

Botimet Dudaj

Andi Bejtja njihet si gazetar dhe analist politik dhe fare pak si poet. Vetëm njerëzit  e lidhur me librin e dinë se ai ishte një prej poetëve të brezit të ri të viteve ’90. Përmbledhja e Bejtjes është një përzgjedhje e librave me poezi të rinisë, një ‘dhuratë’ që ia bën vetes në 50 vjetorin e lindjes.

Rëndësia e librit të Bejtjes, ndoshta, nuk është dhe aq te vendi i poezive të tij në Letërsinë shqipe, një pretendim që ai nuk e ka ndoshta, edhe pse citon kryeministrin Rama që i ka thënë diku se ‘poezia atdhedashuria është një prej 10 më të mirave të letrave shqipe’, se sa është te nostalgjia e individit dhe shoqërisë, jo si emocionalitet por si përmasë e së përbashkëtës dhe bashkëkohësisë.

Bejtja ‘rikthehet te vetja’ me këtë libër, ndoshta edhe duke e pyetur veten se cili do të kishte qenë ai dhe vendi i tij në shoqëri nëse nuk do ishte marrë me gazetari, me kronikën e ditës me debatin politik nëpër studio, por të shkruante poezi e prozë.

Anjeza nuk u zgjua- nga Preç Zogaj

UETPress

Zogaj është befasues me prozën e tij, në një libër të punuar gjatë, sa në mendje edhe në kompjuter, ndoshta edhe për të shkundur nga kritizerët çdo lloj presupozimi se ai është shumë i mirë i poet, por si prozator… eh!

1572438917_anjez

Me këtë prozë të gjatë që i afrohet 500 faqeve, Preç Zogaj e fut veten në radhën e  romancierëve të racës të letrave shqipe. Ai ofron me Anjezën… jo vetëm një opus estetik, por edhe ravgimet e kohës, të asaj kohe që qerthullon në vitet ’80 të shekullit të shkuar. Kur duket se perzonazhet janë Anjeza Jakaj dhe David Gjika, dhe përreth tyre një zhgan joprotagonistësh, janë vitet ’80 në fakt që qendërzohen në romanin e Zogajt. ‘Mbyllja’ në Patalanë, një fshat ngjitur me Lezhën është vetëm një iluzion: autori ka vitet ’80 si personazh kryesor. Duke e ngjyer në to penën e krijimit ai flet për vete, të ngjashmit, personazhet e tij dhe gjithë Shqipërinë.

Romani është i shkruar me atë ngashnjim që duket se Preç Zogaj e zotëron, ose e ka masterizuar, për fjalën dhe për gratë.

Ditar (1942-1944) nga Tajar Zavalani

Botimet Artini

Tajar Zavalani, në një nga mendjet e holla të gjysmës së parë të shekullit 20, ka punuar për radion publike britanike BBC gjatë viteve përmbyllëse të Luftës së Dytë Botërore. Ai është një dëshmitar par excellence i atyre ngjarjeve që shënuan historinë, të Shqipërisë dhe të botës. Mbreti Zog me shpurën e tij ndodhej në Angli asokohe; britanikët dhe gjermanët ishin të mbërthyer në një luftë që do të përcaktonte fatin e gjithë Luftës. Zavalani ra në kontakt me mbretin Zog pak arratisjes së tij, pasi edhe vetë ishte arratisur pas pushtimit të Shqipërisë, në drejtim të Zvicrës. Ai iu bashkua Zogut në Francë dhe pas pushtimit gjerman të Parisit ata u hodhën përtej kanalit në ishullin britanik.

Ditarai i Zavalanit është një rast për të kujtuar historinë dhe personazhet e saj nëpërmjet këndvështrimit të një njeriu të kulturës.

Me Mbretin Zog në mërgim- nga Gjenço Naçi

Botimet Artini

Gjenço Naçi ngulmon se simpatizonte komunizmin dhe urrente regjimin e Zogut. Megjithatë, ishte pjesë e shpurës së Mbretit për një kohë të gjaë në mërgim pasi kishte qenë më parë në administratën e tij. Ai ka qenë sekretar i Mbretit, emërim që e mori menjëherë pas zhvendosjes nga Shqipëria, kur monarku kalonte nëpër Stamboll.

Ilir Ikonomi shkruan për kujtimet e Naçit: Gjeço Naçi na sjell një rrëfim të rrallë për Mbretin Zog në mërgim. Eshtë i rrallë sepse është autentik, sepse vjen nga një njeri që i ka përjetuar ngjarjet vetë, i pandikuar nga persona të dytë apo të tretë. Kujtimet gjithnjë kanë një dozë subjektivizmi, por libri i Naçit përmban një vlerë të shtuar që nuk e kanë të tjerët: autori i gjykon ngjarjet nga pozitat e një kritiku dhe nuk rrëzohet në humnerat e lavdeve. Ai është i besueshëm, flet lirshëm dhe qorton aty ku duhet.

Përçmimi nga Alberto Moravia

Botimet Pegi

Pse ky roman? Epo mirë, sepse është Moravia dhe, janë ca autorë që e fitojnë besimin e lexuesit me dy-tre libra të parë dhe të bëjnë të dorëzohesh para çdo teksti që del nga duart e tyre. Shkrimtari italian ka një ‘kthjelltësi urbane’ në trajtimin e  ngjarjve ‘bashkëkohore’, pak të ndeshur nga autorë të tjerë. Moravia nuk ka ngjarje të mëdha, por trajtimet i ka të tilla.

Ky është një roman ‘i vjetër’ duke qenë se është botuar në vitin 1954 (u ekranizua nga Jean Luc Godard në vitin 1963), që shpleks botën e borgjezisë italiane të kohës, por letërsia ‘klasike’ na mëson diçka për të gjitha kohët: duke na mprehur intuitën e shijes.

Të cilën e ndihmon edhe puna e përkthyeses Aida Baro.

Forca e Faktit nga Hans Rosling

Botimet Pema

Bill Gates e konsideron ‘një prej librave më të rëndësishëm që kam lexuar’. Nuk është ‘ndërmjetësimi’ i Gates arsyeja e përzgjedhjes së këtij libri, se sa është nevoja e anti-klisheve sociale. Ka thuajse një konsensus rreth një ‘mjerimi’ sociologjik, politik e moral të botës sonë që kundërshtohet me fakte (jo statistika shtetërore, jo të nxjerra për qëllime propagande) nga Rosling. Libri hapet me një test, i kompozuar prej një grupi pyetjesh që të fusin në kurthin e mendimit ‘të përgjithshëm’. Eshtë kjo lloj injorance që Rosling ‘lufton’ me anë të këtij libri, një përpjekje që mendimi njerëzor të mos formulohet nga shtampat dhe klishetë, por nga kureshtja dhe dijet.

Serotenina nga Michel Houellbecq

Scanderbeg Books

Hollebecq, i quajtur edhe ‘Profeti ogurzi’, nuk është vetëm një shkrimtar, por edhe një lloj magu i antropologjikes. ‘Jelekverdhët’ para se të shfaqeshin në rrugët e Francës, u relievuan në letërsinë e tij; një përplasje e re e islamit politik me Francën sekulare, gjithashtu.

‘Serotenina’, një roman tjetër në vazhdën e librave tronditës dhe kundërthënës është një premtim: nëpërmjet tij ju me gjasë mund të zbuloni të nesërmen.

/Politiko.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura