Libra të rinj: Vajzat e rritura nuk qajnë

Sep 8, 2014 | 15:10
SHPËRNDAJE

Titulli: Vajzat e rritura nuk qajnë
Autori: Fay Weldon
Përktheu: Ilir I. Baçi
Zhanri: Roman
Numri i faqeve: 346
Çmimi: 800 lekë
Vjen në shqip libri i britanikes Fay Weldon

“Ku ka pushtet, ka burra. Ku ka libra, ka gra”. Për Fay Weldon kjo nuk ëhstë thjesht një thënie e mençur, por një e vërtetë jete. Këto ditë, shtëpia botuese “Pegi” ka sjellë për lexuesin librin “Vajzat e rritura nuk qajnë” e autores britanike Fay Weldon, pjesë e kolanës “Lotus”. I sjellë në shqip nga Ilir Baçi, ky roman flet për jetën e një grupi grash që krijojnë një shtëpi botuese feministe. Është historia e fillimit të Lëvizjes feministe në Londër, rrëfyer nga autorja pas një reflektimi të gjatë në kohë dhe me një ndjenjë shpotitëse humori.
Në një mbrëmje të butë të vitit 1971, pesë gra mblidhen në një dhomë ndenjeje të vogël në rrethinat e Londrës. Të pakënaqura me burrat dhe të lodhura me jetët e tyre të pakëndshme, ato krijojnë Meduzën, një shtëpi botuese e bazuar mbi parimin e hakmarrjes. Megjithatë ato janë njerëzore dhe është njerëzore të gabosh, ndaj ato bëjnë gabime e armiq, përleshen e shahen, pajtohen e dashurohen, lindin e dështojnë, duke u shpërqendruar
kështu, pak nga pak, nga beteja e tyre të dikurshme. Me një humor të mençur dhe ironik, autorja na shoqëron përmes vijimit njëzetvjeçar të jetës së këtyre grave, teksa qëllimet e mira lihen mënjanë, pre e politikës, seksit dhe tradhtive. Midis të tjerash ky roman përmban edhe një denoncim të hollë të aspiratave  demagogjike të çdo lëvizjeje shoqërore, jo vetëm asaj feministe. E megjithatë, autorja lë në fije shprese. Pasi, një ditë, do të vijë një brez tjetër femrash, brezi i femrave të lindura nga këto gra idealiste. E këto femra do të kenë potencialin dhe dëshirën për t’i ndryshuar vërtet gjërat, madje edhe në kurriz të vetë lëvizjes feministe.

Kritika
Në debatet tona të apasionuara dhe shpesh të hallakatura mbi trashëgiminë – por edhe mbijetesën – e feminizmit, Weldon-it i duhet zënë besë për një cilësi të rrallë: në duart e saj, asgjë, vërtet asgjë, nuk është e shenjtë.
The New York Times

Një roman i admirueshëm dhe krejtësisht bindës, i gjallë, i zgjuar. E palëkundur, autorja nuk pranon për asnjë çast të tregojë nëse po bën shaka, apo jo.
The Times Literary Supplement

Përtej stereotipeve të gruas së mirë dhe burrit të keq, Weldon-i arrin të krijojë një familje të trilluar që është thellësisht reale, e pisët dhe guximtare.
The Washington Times

Fay Weldon është e vetmja shkrimtare bashkëkohore që na kujton se si i trajtonte idetë serioze Bernard Shaw. “Vajzat e rritura nuk qajnë” është një komedi tmerrësisht gazmore e udhëhequr nga një objektivitet i fortë.
The Daily Telegraph

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura