Libra te rinj: Shqipërohet “Revolta e Atlasit”

Jan 7, 2013 | 13:40
SHPËRNDAJE
Titulli: Revolta e Atlasit – Vëllimi I
Autore: Ayn Rand
Përktheu: Amik Kasoruho
Zhanri: Roman
Numri i faqeve: 422
Çmimi: 1000 lekë

Vijnë në shqip dy vëllimet e para, të një prej best sellerve amerikanë. Bëhet fjalë për librin “Revolta e Atlasit” të Ayn Rand, shqipëruar nga Amik Kasoruho dhe botuar nga shtëpia botuese “Pegi”. “Revolta e Atlasit” është romani i katërt dhe i fundit i Ayn Rand-it. I botuar për herë të parë në vitin 1957 në SHBA, ai konsiderohet si kryevepra e saj. Historia zhvillohet në një shtet të identifikuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë shtet, politikat sociale dhe ndërhyrjet shtetërore, gjithmonë e në rritje, kthehen gradualisht në pengesë për aktivitetin e njerëzve “të ndritur”. Protagonistja, Denji Tagart, mundohet të luftojë shkatërrimin e ngadaltë të sistemit, duke iu kundërvënë ndryshimeve e duke angazhuar edhe disa aktorë të tjerë. Jeta e saj private do të përzihet me funksionin e saj publik të pavetëdijshëm. Pyetja që rrëshqet në çdo faqe të librit, fillon të bëhet gjithmonë e më e qartë: “Parazitët” do të ngadhënjejnë apo do të vetëshkatërrohen? Tema e romanit “Revolta e Atlasit”, siç e ka përshkruar vetë autorja, është “roli i mendjes së njeriut të lirë”. Libri eksploron disa tema si mbrojtja e arsyes, e individualizmit, e kapitalizmit dhe falimentimet e veprimeve shtetërore. Libri ka 1160 faqe dhe, për këtë arsye, në shqip do të botohet me tri vëllime që do të ndjekin ndarjen origjinale në tri pjesë.
Që nga viti i botimit të tij, “Revolta e Atlasit” ka qenë në mënyrë të vazhdueshme një nga librat më popullorë në SHBA. Libri u rendit në vendin e gjashtë në listën e librave më të shitur të “New York Times”-it, tri ditë mbas botimit. Ai mbeti në listë për 21 javë dhe arriti në vendin e katërt. Në një sondazh të vitit 1991, “Revolta e Atlasit” rezultoi si libri i dytë më influencues pas Biblës. Libri ka shitur mbi 30 milionë kopje gjatë gjithë historisë së tij dhe është botuar në 23 gjuhë të ndryshme. Ai ka shitur 3 milionë kopje vetëm në tri vite, nga 2008-a deri në 2010-n, periudhë kur libri u “rikthye në modë”.

Titulli: Revolta e Atlasit
– Vëllimi II
Autore: Ayn Rand
Përktheu: Amik Kasoruho
Zhanri: Roman
Numri i faqeve: 430
Çmimi: 1000 lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura