Libra të rinj: Poetja Silvia Plath, arti i lindjes, vdekjes dhe rilindjes

Jan 14, 2013 | 12:43
SHPËRNDAJE

Botohet studimi monografik për poeten amerikane, që në 30 vitet e shkurtër të jetës së saj do të linte gjurmë në letërsi dhe thyerjen e mentalitetit maskilist
Silvia Plath jetoi shumë pak, vetëm 30 vjet, por mjaftueshëm për të lënë gjurmë në letërs, duke u bërë një nga zërat më interesantë të poezisë amerikane të shek. XX. Ajo ishte: “një nga ato heroinat e mëdha klasike”, siç do të shprehej Robert Loëell, në hyrjen e vëllimit të saj “Ariel” (1965). Silvia Plath ishte autore e “një prej librave poetikë më tronditës, mallëngjyes dhe universal të publikuar në shekullin XX”, do të shkruante gazeta “Time”. Këtij personazhi, që vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë i diskutueshëm për mënyrën si shkroi, si jetoi e si vdiq, studiuesja Arjetë Luani i ka kushtuar një studim monografik, titulluar “Silvia Plath: arti i lindjes, vdekjes dhe rilindjes”. Ajo ka tërhequr vetëm një aspekt të veçanësisë së saj që janë imazhet. Imazhet janë një nga armët e saj më të forta dhe që e dallon poezinë e saj: “Unë duartrokas përdorimin e fjalëve si mjete për të skalitur imazhe nga ajri i hollë dhe për t’iu dhënë atyre substancë”, ka thënë Silvia Plath. Ky libër ka të bëjë me gruan dhe me kalvarin e saj në një shoqëri maskiliste. Plath ka dhënë një kontribut të madh në thyerjen e tabuve ne vitet 1960. Ajo solli një stil krejt të ri në të shkruar dhe në tematikë. Kjo do ta bënte atë të radhitej ndër autoret më të veçanta, duke marrë parasysh edhe tiparet rrëfimtare, që bëri që të tërhiqej më shumë vëmendja drejt jetës së saj. Ndër veprat e saj më të rëndësishme janë “The Colossus and Other Poems” dhe “Ariel”. Nën depresion, prej të cilit vuante prej moshës 20-vjeçare dhe dëshpëruar prej ndarjes me bashkëshortin e saj, poetin Ted Hughes, ajo kreu vetvrasje. Në 1982, ajo u nderua me çmimin “Pulitzer” pas vdekjes për “Poema të zgjedhura”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura