Liberalizimi i vizave, Zbogar: Luftoni korrupsionin dhe pastrimin e parave

May 4, 2015 | 14:23
SHPËRNDAJE

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës, Samuel Zbogar u ka bërë thirrje liderëve institucionalë që të fokusohen në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, sidomos siç ka thënë ai, në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Samuel Zbogar

“Fatkeqësisht këtë vit keni humbur shumë kohë në krijimin e institucioneve dhe jeni përballur me ikjet masive që kanë ndodhur në fillim të vitit. Kjo do të thotë se, nëse nuk fokusohemi, nuk kemi shumë kohë për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Zbogar, raporton ‘lajmi.net’.

Në takimin e nëntë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të drejtuar nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, Zbogar ka thënë se Kosova duhet t’i miratojë edhe tetë ligje të tjera, si dhe të punojë më shumë në riatdhesim dhe integrimin e atyre që kthehen.

“Siguria dhe sundimi i ligjit vazhdojnë të mbeten fushat më të ndjeshme. Prandaj, përmirësimi i sundimit të ligjit, adresimi i korrupsionit dhe shpëlarjes së parave të pista, duhet të jenë prioritete që raporti, i cili do të dorëzohet për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, të merr përgjigje pozitive”.

Sipas Zbogar BE është e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura