Parlamenti Europian vendos për liberalizimin e vizave për Kosovën

Sep 13, 2018 | 12:26
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Parlamenti Europian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën. 420 deputetë të PE kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër. 22 kanë abstenuar.

Tanja Fajon, para fillimit të votimit tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, dhe ka kërkuar votën e të gjithë eurodeputetëve të Parlamentit Europian që të votojnë me votë pro.

Fajon: Qytetarët e Kosovës po i afrohen liberalizimit të vizave

Tanja Fajon, raportuesja për Kosovën, është shprehur e lumtur për këtë votim.

“Qytetarët e Kosovës një hap më afër lëvizjes pa viza në Evropë. E lumtur që kam marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian me një shumicë për negociatat me Këshillin Evropian për liberalizim vizash për Kosovën. Përballja vazhdon me qeveritë e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ndalem deri ta arrijmë”, ka shkruar Fajon në Twitter pas votimit.

PE

Liberalizimi i vizave për Kosovën/ Parlamenti Evropian vendos sot

Parlamenti Evropian do të votojë këtë të enjte rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian.

C41C132F-94A4-400E-AF9B-6F2F844672AA_cx0_cy1_cw0_w1023_r1_s (2)

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese.

Radio Evropa e Lirë raporton se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perendimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura