Libër që të bën krenar…

Feb 16, 2020 | 11:38
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI

Josif-Papagjoni-649x365

Ferid Hudhri, kolegu im dhe mik i hershëm, është një burrë i urtë, i paqmë, dhe në biseda më shumë dëgjues e marrës sesa kuvendues e dhënës. E kam ende në sy imazhin e shtatit të tij thuajse imcak në vitet e bukura të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ku qemë së toku në atë godinë madhështore mermeri, por në drejtime të ndryshme të arteve: unë për teatrin, ai për artet figurative.

Rëndom e shihja në sallën e bibliotekës së atij instituti, aty në katin e parë, në fund të korridorit, djathtas. Shfletonte albume me piktura: tablo, grafika, vizatime; albume me skulptura, libra të ilustruar për arkitekturën. Ishin fundvitet ’60 dhe fillimvitet ’70, ku ndihej “aroma” e çeljes së “arkapiave” të zymta e të ftohta të ndoca parimeve mortifikuese që na kishin trullosur me gjithsej. Dhe ne, si të dehur por edhe të habitur, ashtu syshqyer, shikonim e shikonim deri vonë natën ato albume ku arti që bëhej tutje deteve, tutje kloneve të kufirit e mendjes sonë, ishte aq… aq… i ndryshëm… paradoksal… tjetërfarë… thuajse i pakuptueshëm. Më mirë me thënë, i kuptueshëm nëse kishe në mendje një kyç, një kod, një doktrinë estetike. Por ne s’e kishim atë kyç, atë kod, atë doktrinë estetike. E ku ta gjenim të shkretët ne, “kyçin” e portës së Perëndimit që na e kishin fshehur kushedi në ç’skutë të ndërgjegjes perverse të kohës?! Askush s’na e mësonte. Ishte e ndaluar. Një blasfemi.

Një herezi. Tinëz ne kishim frikë. Profesorët tanë më shumë. Nëse rrekeshe diçka të komentoje me zë të lartë, munxa dhe anatema e vetullngrysurve të teorisë së realizmit socialist të shajnonte dhe ti mund ta pësoje. Të hiqnin nga shkolla, për shembull. Prandaj dhe ne veçse shushuritnim nën zë asaj salle të ftohtë të bibliotekës: “Shih çfarë linje, çfarë ngjyre, çfarë kompozimi, o Zot?! Ç’janë këto përzierje të habitshme gjësendesh si nëpër ëndrra e jerm? Po kjo tablo pse nuk ka figura, por është e gjitha e mbushur me vija, njolla, pika, hapësira boshe, kuadrate! Ç’janë këto pikturat e Pikasos me fytyra e gjësende në formë kubesh, e megjithatë shih se çfarë fuqie ka kjo tablo me titullin ‘Guernika’. Po ky piktori fantastik me emrin Salvador Dali, që krijon realitete tjetërsoj, të sendërgjuara kryekreje, midis mitit dhe të njëmendtës, ca përzierje të habitshme imazhesh ku nga fytyra e një njeriu mbin e lulëzon një pemë a dalin ca zogj!!!… Diçka abstrakte, si e pakuptimtë, absurde, mbase një kllapi, një imazh onirik… një… mendje prej alienësh… një…!!!…”.

Por hamendoj se libri i Feridi Hudhrit “Shqiptarët në artin botëror”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ashtu si bebja kur nis të ngrihet në këmbë, mu aty e ka hedhur hapin e parë, në ato shfletime me orë të tëra mbi albumet e “ndaluara”, si të “vjedhura” nga punonjëset dashamirëse të bibliotekës. Shi në atë frushullimë liberalizmi në krye të viteve ’70 apo në atë iluzion të bukur lirie, që fill më pas u bë gur e dru (kërbaç) dhe nga diç e shkrifët për zemrat tona u shndërrua në “zjarr e hekur”, tashmë për mendjet tona, për t’u kthyer në një kurth të vërtetë politik, mes mijëra makthesh e tmerresh pa fund për të gjithë artistët. Ja, në ato imazhe të “përtejdetit”, Ferid Hudhri mbase imagjinoi, ashtu turbull, siç nga nebulozat lindin galaktikat dhe yjet e rinj, projektin e tij të gjithëjetës, i pari dhe i fundit, vetanak dhe i papërsëritshëm: Shqipëria dhe shqiptarët në artin botëror.

Më vjen mirë të them atëherë, në fillimvitet ’70, sepse gjithë po asaj kohe nisi edhe ëndrra e brezit tonë, u ngjiz pasioni prej studiuesi. Por edhe nëse projekti u ideua pakëz më vonë, kur Feridi rropatej studiove të piktorëve e skulptorëve nëpër qytetet e hirtë e të fjetur të Shqipërisë, si redaktor i gazetës “Drita”, udhë pa udhë, për të promovuar artin e tyre, eh… ca më mirë akoma! Sepse ai mund të ravijëzonte edhe një kontrast të fortë: çka bënim ne dhe çka bënin të tjerët. Sot duket qesharake, por asaj shkretie e zezone kur artistët qenë shtrënguar si delet në vathë, ngujuar mes klisheve estetike që motivonin anësinë dhe shterpësinë, të ëndërroje një udhëtim diku në Australi, Francë, Itali a Greqi, ishte një guxim i tepruar, diç e pamundur, thuajse një marrëzi.

Mirëpo duhej një “hile” si ajo e Odiseas ndaj Polifemit. Dhe “hileja” u gjet. Shtetit ciklopik i leverdiste që të krijonte butaforitë e veta nacionaliste propagandistike, sado provinciale, duke krijuar iluzionin e një kujdesi të “veçantë” ndaj imazhit përndritës që vinte nga disa artistë europianë me emër mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, paçka se kryesisht në rrafshet ekzotike, romantike, etnografike dhe antropologjike. Shqipëria komuniste e refuzuar dhe e braktisur nga Perëndimi, gjithsesi, nëpërmjet përzgjedhjes së disa imazheve vërtet të bukura e sugjestivë, mbytur nga simpatia dhe admirimi për natyrën e virgjër e madhështore të viseve tona, për virtytet, racën, kostumet, doket shqiptare, krenarinë etj., mund t’i mburrej vetvetes, atyre pak miqve marksistë-leninistë që i paguante vetë, por edhe syrin tinëz mund t’ia shkelte shoqërive të sofistikuara të përtejdetit: dikur, bijtë tuaj të mëdhenj na admironin, kurse sot ju, pinjollët e tyre të mbytur në luks, limonti dhe degjenerim, na përçmoni!

Afërmendsh se kjo logjikë djabolike prej majtistësh të egër, ortodoksë sa dhe nacionalistë e të vetizoluar mund të zhdrivillohej diku nëpër zyrat e Godinës së Kuqe (Komitetit Qendror) apo Godinës së Bardhë (Kryeministrisë), prandaj dhe Ferid Hudhrit iu dha “visto”-ja, nga të rrallët e atyre viteve, që të shkelte me këmbë vende që të tjerët as në imagjinatat e eksituara onirike nuk mund t’i ndërmendnin.

Por unë jam thellësisht i bindur se Feridin e çoi në ato vende, në ato galeri, muze e arkiva të pasura, veçse pasioni i tij i jashtëzakonshëm, i kthyer në autosugjestion, në thelb të brendshëm, në “vetvete”. Por edhe urtësia e tij, mirësia që bëzan kudo te ky njeri, të “ngjiturit” apo ajo që në shqipe i themi “o e bëj, o plas!”, pa anashkaluar afërmendsh aftësinë e sigurinë maksimale prej hulumtuesi, që ai e reflekton gjithkund, gjithherë e te gjithkush. Kam 50 vjet që njihem me Feridin dhe na lidh një miqësi e shenjtë, por shkon nga shkon muhabeti dhe do bjerë rishtazi te po e njëjta temë: “Sot gjeta këtë burim të ri, edhe këtë pikturë, atë piktor, krijues, tablo…”.

Mua më kujtohet, vite para shembjes së diktaturës që, teksa bujtja në apartamentin e tij të vogël një dhomë e një kuzhinë në lagjen e quajtur “Porcelani”, në Tiranë, ai hapte dosjet e tij, disa qindra që atëherë, dhe më tregonte fletë librash, gazetash, albumesh, foto apo imazhe të skanuara, shkrime në gjuhë të huaj, zëra enciklopedikë. Që atyre viteve më bënte përshtypje biblioteka e tij, disi “ndryshe” nga ato tonat me libra, sepse qe e mbushur cit me këto dosje; pastaj me diapozitiva, albume, katalogë. Tani Feridi ka vite që banon në një apartament më të gjerë. Dhe… dhe… biblioteka e tij, e rimbarsur nga koha e re, është bërë shumë më e madhe se atëherë. Janë mbi 600 dosje, radhë-radhë. Aty janë të gjitha: “eshtrat” e projektit të tij. E “mbarsur” nga koha, kishte ardhur gjithëpo koha që kjo bibliotekë të pillte. Në fakt, projekti ka disa sivëllezër të mëhershëm, të cilët i lidh tematika, si të thuash opusi ideor.

Ai i ngjiz të gjithë tok, ashtu si indet në një trup; pastaj janë gjuhët, shqip dhe anglisht, gjithashtu periudhat, hapësirat e hulumtimit këtu-aty. Libri pjell librin. Por projektit të tij, formën e plotë, vendimtare, të vetëmjaftueshme, atë që mund të quhet ndryshe edhe “libri i jetës”, Feridi vetëm tani mundi t’ia japë! Dikush mund të thotë pas 25 vjetësh. Por pse mos t’i themi plot pas 50 vjetësh, qysh atëherë, në sallën e ftohtë të bibliotekës së Institutit të Lartë të Arteve, kur Feridi fare i ri, 20-vjeçar, rrinte përkulur mbi ato albume e revista mbushur ding me piktura, imazhe, drithërima. … Qysh aty bulëzoi ideja e F. Hudhrit, dritën e së cilës, ashtu si xixëllonja në terr, ai sikur e mori me vete, i dha strehë në mendje e në zemër, krijoi “erosin” e ëndrrës së tij. Thuhet se xixëllonja ndrit më fort në kohën e erosit, si bilbili dhe kanarina cicërijnë më bukur atij moti; edhe delfinët kërcejnë më lart, edhe bimët e drurët shpërthejnë në një mijë ngjyra shi atij çasti epror e sublim. Metafora e “Erosit” te çdo studiues, thënë më poetikisht “dashuria” e tyre, ndryshe nga shkrimtarët dhe artistët, është mbushja e “materies gri” të trurit me pasionin dhe ngulmin për të mbërritur te qëllimi fundor.

Këtë qëllim duket se F. Hudhri e ka arritur, libri është dëshmia e hulumtimit shumëvjeçar të tij. Unë e kam herë librin e tij nëpër vite duke e parë se si ai rritej e zgjerohej, e redaktova atë në trajtën përfundimtare, domethënë e lodha syrin enkas mbi gjithë vëllimin prej 800 faqesh përfshi dhe imazhet. Thashë “e lodha”, për të nënkuptuar gjithashtu se dhe e “çlodha”. Një libër i mirë gjithmonë të lodh (për të mësuar) dhe të çlodh (për t’u kënaqur).

Jam i bindur se si mua, edhe lexuesit, sidomos atij të kualifikuar e njohës i “vuajtjeve” të profesionit tonë, s’ka se si mos t’i bëjë përshtypje ajo punë e jashtëzakonshme hulumtuese që Hudhri ka bërë. Studime të këtij lloji e formati të sjellin në mendje padashur heshtjen e murgjve nëpër manastire, vullnetmëdhenjë që tretin e kullojnë sytë mbi germa dhe imazhe nëpër qela, depo e hangarë librash, pastaj ai pluhur pergamenash, aromat e letrës së vjetër, aromat e pikturave nëpër galeri arti, myku dhe ajri i lagësht i dhomave të mbyllura shpesh nën dhe, që bashkë më frymëmarrjen bëhen pjesë e mendjes… Edhe F. Hudhri ka qenë dhe është pjesë e kësaj ushtrie “heshtanësh” që, ashtu si milingonat, kanë bredhur përtej folesë së tyre, strehës së ngrohtë të shtëpisë, dhe rivijnë në sofrën e botimeve albanologjike me “thasë” ngarkuar: të dhëna të reja, informacion të ri shkencor, gjetje, zbulime, befasi, burime bibliografike, qasje, përshtypje nga takimet me të tjerët, galeri, skeda.

Por as këto s’mjaftojnë, unë e di. Të tjera ditë, dhe net pa fund, dhe vite, dhe energji, mblidhen e mblidhet si retë e mrrolura, si në ankth, atje në studio, mes vetmisë së meditimit e përsiatjes, mes përhumbjes, për të nxjerrë mëpastaj strukturat e ngjeshura enciklopedike të zërave, artikujve, sythave, që shënjojnë emra të veçantë artistësh nga bota, tablo e vepra të veçanta që kanë fiksuar në ngjyra e silueta figura shqiptarësh të sertë e trima, vendthet e bekuara të Shqipërisë, malet dhe luginat, vallet burrërore, shpatat dhe jataganët, heroin e madh të shqiptarëve Gjergj Kastriotin dhe zulmën e bëmave të tij, vezirin e tmerrshëm e mizor të Janinës Ali pashë Tepelenën i dashuruar e në pëqi të Vasiliqisë e gjer te maja e lartë e shkrimtarisë, Ismail Kadare… Burimet janë aq të shumta dhe tejet të ftillëzuara, konkrete, të përimtuara, sa çdo studiues i ri do të kishte çfarë të çmonte e përfitonte, në mos të merrte e të aplikonte si eksperiencë dobiprurëse.

Enciklopedia “Shqipëria dhe shqiptarët”, si e tillë, ka karakter shterues. E theksoj: janë 1500 piktorë, skulptorë e grafistë dhe 1000 riprodhime të zgjedhura e disa mijëra njësi bibliografike dhe burime të larme, në disa gjuhë. Rrinë aty, përballë historisë së shqiptarëve, ardhur nga vende, kohë, drejtime e stile të ndryshme, – një afresk i madh, që veçse na blaton neve si lexues respekt për ata që e bën të njohur imazhin tonë në botë. Libra të tillë, vështirë se përsëriten. Duhet një jetë. Dashuri pa fund. Vullnet të paepur. Eksperiencë. Dhe fat. Fati i ndriti Feridit e ai shkoi nga i thanë Moirat. Dhe mbërriti aty ku të gjithë kemi qejf të shkojmë, në Edenin e kënaqësisë.

Dhe kur mbërrin në Eden, të tundon ajo, “molla”. Siç komentohen shkrimet e shenjta, “molla” s’është vetëm metafora e mëkatit fillestar, por edhe dija e zbuluar e Zotit. Kësaj dijeje s’i dalim dot përballë, prandaj dhe tundohemi t’i qasemi disi anash, që ta shijojmë ëmbëlsinë e saj përmes zbulimit: dikush me një melodi, dikush me një rrëfim, dikush me ca vargje, dikush me lojën e ngjyrave dhe imazheve, dikush tjetër me filozofi, matematikë, fizikë, inxhinieri, kibernetikë, politikë…

Feridi iu qas me këtë libër fort tërheqës. Një libër që nderon vendin e tij, historinë e shqiptarëve, mbamendjen tonë. Libër që e ka brenda dashurinë për malet, fushat, brigjet dhe detet e dheut tënd. Hirin dhe flakën e shpirtit. Libër që të bën krenar… Unë mund ta mbyllja këtu shënimin tim, por grishem nga paradhënia e “Tempullarit” të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, që e ka nderuar Feridin duke i bërë edhe parathënien. “Kultura shqiptare, – shkruan ai, – ka qenë përherë mirënjohëse ndaj çdo mesazhi miqësor që vinte nga popujt e tjerë. Mirëkuptimit, ajo i është përgjigjur me mirëkuptim, miqësisë me miqësi…”. Ja pra, ndër vlerat e shumta, e parë përtej kloneve të dikurshme kulturore, kjo enciklopedi është edhe një mesazh i ndërsjellët kulturor e miqësor mes popujsh..

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura