Libani si dhimbje dhe mësim

Aug 10, 2020 | 10:10
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ARBEN MALAJ arben-malaj-1

Ngjarja tragjike në portin e Bejrutit apelon për solidaritet, por edhe për të mësuar nga pasojat tragjike që pësojnë popujt dhe vendet, të cilat keqqeverisen nga politikanë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. Dhjetëra viktima, mijëra të plagosur, mijëra të pastrehë, miliarda dollarë humbje ekonomike dhe rritje borxhesh, qindra mijëra më shumë të papunë dhe të varfër, por me shpresë nga e ardhmja, gjëja e parë që kërkuan në orët e para pas tragjedisë nuk është uji, buka, dritat, shkollat, por kërkesa plot dhimbje për pastrimin e vendit nga të korruptuarit. Kjo ishte kërkesa unanime dhe e fuqishme e çdo libanezi, që vetëm një ditë pas tragjedisë makabre ia drejtuan me shpresë dhe proteste Presidentit francez Macron. Jo vetëm si të parit President që mbërriti për solidaritet dhe ndihmë, por ndoshta edhe për rrënjët historike të marrëdhënieve të Libanit me Francën, të sintetizuara edhe në përcaktimin e Bejrutit si “Parisi i vogël”.

Gjashtë herë organet doganore të portit të Bejrutit u kërkuan autoriteteve përgjegjëse shtetërore të Libanit të zhvendosnin sasinë e plehrave kimike nga porti, duke paralajmëruar saktësisht përmasat e pasojave që mund të sillte një fatkeqësi prej kësaj “bombe atomike”. Asnjë reagim shtetëror për të zhvendosur 2750 tonë nitrat.

Në rrënjët e fatkeqësive të popujve, pavarësisht nga format e shfaqjes së tyre, gjenden efektet e rënda negative të qeverisjeve të papërgjegjshme, thellësisht të korruptuara dhe të kapura. Prandaj, këto qeveri vlerësohen si metastazat kanceroze që po vrasin demokracitë e pakonsoliduara në vendet që kanë dekada që përballen me varfërinë dhe pamundësinë për t’u qeverisur nëpërmjet një demokracie funksionale dhe një sistemi politik, ku pushtetet ndahen, balancohen dhe kontrollohen. Përcaktimi i Makiavielit se pushteti korrupton dhe se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, është sot një realitet i hidhur dhe i përkeqësuar. Nga përqendrimi i pushteteve në shërbim të interesave të oligarkëve dhe për përfitime korruptive personale, kërcënohet realisht e ardhmja e shumë vendeve, ku fatkeqësisht rrezikon të përfshihet edhe Shqipëria.

Prandaj, mësimi nga kjo tragjedi është konkret edhe për ne. Në fushën e demokracisë, ne ndodhemi në një situatë të përkeqësuar të mosfunksionimit të demokracisë dhe të pengimit e vonimit të perspektivës europiane. Në aspektin e sigurisë kombëtare, fatkeqësi të tilla janë një mësim i përgjakur. Prandaj, Këshilli i Sigurisë Kombëtarë duhet të bëjë një rivlerësim thellësisht profesional për risqe potenciale në portet dhe aeroporte, të magazinave të biznesit apo ushtarake mbi sigurinë publike e kombëtare. Në vitin 1997, tmerri për ne ishin disa tunele të mbushura me municione luftarake që ndodheshin afër qyteteve apo qendrave të banuara. Disa tunele afër Lushnjës rrezikonin seriozisht gjithë qytetin, prandaj u urdhërua që ushtarakët tanë t’i betonuan përkohësisht, që të mos futeshin protestuesit e irrituar nga kriza e piramidave. Rasti i dytë ishin depozitat e karburanteve në Portin e Durrësit. Në 2003, një raportin analitik i bërë nga specialistët e Wilbur Smith Associates (https://www.roadsbridges.com/ wilbur-smith-associates), TEC Infrastructure Consultants (https:// www.portstrategy.com/directory-entries/ tec_infrastructure_consultants_llc) dhe EnerSource Engineering (https:// ww.engineerunion.org/branch-chemical) mbi inspektimin e depozitave dhe veprimtarisë së karburanteve në Portin e Durrësit vlerësonte se ekzistonin rreziqe reale për derdhje karburantesh, zjarre dhe eksplozione me pasoja në port dhe komunitetin përreth. Bazuar në konkluzionin e këtij studimi se depozitat e karburanteve ishin ‘bombat me sahat’ për qytetin e Durrësit, Ministria e Ekonomisë menjëherë urdhëroi zhvendosjen e tyre. Koordinimi midis ministrive ishte efikas, mbështetja nga Kryeministri ishte maksimale. Banka Botërore akordoi një fond prej 150 mijë dollarësh për projektin e zhvendosjes së depozitave të naftës nga Porti i Durrësit.

Ndryshe nga sa provokohej në shtyp, se firmat greke do të bllokonin këtë zhvendosje, përfaqësuesit e firmave “Global Petrolium”, “Mamidoil” dhe “Evroil” ranë dakord me vendimin e qeverisë shqiptare për largimin e depozitave nga Porti i Durrësit. Në atë kohë, në Portin detar të Durrësit ishin të instaluara 21 depozita, 19 prej të cilave i përkisnin tri kompanive greke dhe 2 të tjerat firmave shqiptare “Armo” dhe “Kastrati”. Zhvendosja ishte jetike sepse prania e tyre në studim ishte klasifikuar një rrezikshmëri e lartë për sigurinë e popullatës përreth, por edhe një vështirësi e madhe për zhvillimin e Portit të Durrësit si porta kryesore e Korridorit 8.

Vetëm një prej kompanive fillimisht kërcënoj me penalitete që do të paguante shteti shqiptar për këtë zhvendosje, sipas tyre joligjore. Argumenti ynë ligjor për riskun e depozitave të tyre mbi sigurinë publike prevalonte mbi çdo “argument ligjor” apo interes tjetër.

Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi, i vetmi kompromis ishte t’u njihnim shpenzimet e zhvendosjes nëpërmjet lehtësimit të qirasë në Porto Romano. Investimi parë në Porto Romano për depozitat e naftës dhe të gazit ka nisur gjatë qeverise Nano 2002- 2005. Pas këtij investimi privat në një zone të re, u bë e qartë për çdo investitor privat në fushën e importimit të naftës dhe gazit se Porti i Durrësit kurrë më nuk do të ishte një mundësi për ta.

Fatmirësisht, Porti i Durrësit u pastrua nga depozitat dhe qyteti i Durrësit shpëtoi nga “bombat me sahat”. Zhvendosja ndodhi pa ndonjë gjobë për taksapaguesit shqiptarë nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare, sepse vendimi i zhvendosjes se depozitave ishte për interesa kombëtare.

Nga tragjedia e Bejrutit, mësimi i parë vjen në fushën e demokracisë dhe mësimi i dytë në fushën e sigurisë.

Në fushën e demokracisë kërkohen reforma të thella për të luftuar keqqeverisjet, të papërgjegjshme, arrogante dhe të babëzitura.

Në fushën e sigurisë kërkohem strategji parandaluese, prandaj Këshilli i Sigurisë Kombëtarë duhet të bëjë rivlerësime profesionale periodike të magazinave të biznesit apo ushtarake për risqet potenciale në portet, aeroportet dhe në zonat e populluara.

* “Vendimi për zhvendosjen e depozitave të karburanteve nga Porti i Durrësit, te cilat paraqesin një rrezik të madh për sigurinë e banorëve të qytetit dhe janë pengesë për zhvillimin e portit, u mor në janar të këtij viti, 2003. Koka e Korridorit 8 dhe qytetaret e saj filluan të marrin fryme lirisht dhe e konsideruan një hap rëndësishëm takimin e realizuar në fillim të janarit mes ministrit të Ekonomisë, Arben Malaj, mes përfaqësuesve të tri firmave greke, të cilat kanë depozitat e karburanteve të instaluara në territorin portual të Durrësit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura