LGBTI/ Xheni Karaj: 9 të prekur nga SIDA vdiqën në 2020, diskriminimi vret më shumë se sëmundja

Dec 2, 2020 | 11:22
SHPËRNDAJE

Xheni karaj-HIVSi ishte 2020 për të prekurit nga HIV/AIDS? Si e gjen Shqipërinë Dita Botërore e AIDS? 2020 ka qenë një vit veçanërisht i vështirë për personat që jetojnë më Hiv/Aids.

Gjatë periudhës së karantinës shumë prej tyre e kanë pasur të pamundur të aksesojnë shërbimet dhe ilaçet për shkak të mungesës së transportit, duke u detyruar në shumë raste të ndërpresin terapinë. Gjthashtu për shkak të mbingarkesës së sistemit shëndetësor vëmendja gjatë këtij viti ka qenë më pak e fokussuar tek problemet me të cilat përballen personat që jetojnë me Hiv/Aids ose sëmundje të tjera kronike.

Për fat të keq si rrjedhojë e stigmës shumë persona edhe pasi marrin vesh që janë të infektuar me Hiv/Aids nuk drejtohen pranë institucioneve përkatëse duke lënë semudjen të avancojë. Gjatë 2020 rreth 9 veta humbën jetën për shkak të komplikacioneve nga Sida. Është thelbësore të luftohet stigma në mënyrë të tillë që personat që jetojnë me Hiv/Aids të drejtohen tek specialistët në momentin e duhur. Diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm sepse lejon njerëzit të fillojnë trajtimin shpejt, rrit shanset e tyre për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe parandalon transmetimin e mëtejshëm.

Shqipëria ka ruajtur një lloj stabiliteti në shifra, ndonëse këto vitet e fundit ka pasur një rritje. Kujt i dedikohet ky lloj “stabiliteti”?

Gjatë viteve të fundit falë mbështetjes së Global Fund është vënë në praktikë koncepti i ofrimit të shërbimeve në komunitet, domethënë janë vetë organizatat që punojnë me minoritete dhe target grupe të ndryshme ato që ofrojnë shërbimin e testimit, shpërndarjes së kondomve dhe materialeve të tjera informuese dhe këshillimin. Ky fakt ka ndikuar në uljen e frikës së ekspozimit dhe rritjen e numrit të testimeve dhe këshillimeve. Ka një ndërgjegjësim më të madh sidomos tek moshat e reja për rëndësinë e kryerjes së testimeve dhe marrjen e masave parandaluese gjatë marrëdhënieve seksuale. Gjithësesi duhet të ketë ndërgjegjësim akoma më të madh sidomos në shkolla dhe univeristete. Në vende të ndryshme të botës janë vetë shkollat që kanë falas makineri të shpërndarjes së kondomve dhe masave të tjera mbrojtëse, një praktikë e nevojshme për tu zbatuar dhe në shqipëri.

Një nga kategoritë më në rrezik janë punonjëset/punonjësit e seksit. Ju ofroni këshillime për këtë kategori. Sa ka ndikuar ky proces në ndërgjegjësimin e tyre, në mënyrën e sjelljes dhe mbrojtjes?

Punonjëset e seksit janë target grupi më vulnerabël dhe i diskriminuar në shoqërinë tonë si rrjedhojë dhe më i riskuari për sa i përket shëndetit. Për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike dhe stigmës shumë prej tyre e kanë të vështirë aksesin në shërbime shëndetësore, prandaj dhe prej organizatës sonë i është kushtuar shumë vëmendje parandalimit duke shpërndarë kondom dhe materiale informuese pikërisht në pikat ku ata qendrojnë dhe punojnë ose duke kryer testime në terren. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren masa për ndryshimin e realitetit për punonjëset e seksit duke nisur së pari me legjislacionin për dekriminalizimin e punës së seksit. Ky do të jetë hapi i parë për të luftuar stigmën rreth punës së seksit dhe rrjedhimisht dhe pasojat që vijnë prej saj.

Një sërë shoqatash operojnë në fushën e këshillimit, të mbështetura nga Global Fund, sa i rëndësishëm ka qenë roli i tyre në parandalimin e përhapjes së HIV-AIDS?

Shërbimet në komunitet rezultojnë në mbarë botën si praktikat më ë frytshme për parandalimin e Hiv/Aids dhe rritjen e numrit të testimeve. Tashmë ne kemi mundësinë që përmes njësisë mobile të udhëtojmë në të gjithë shqipërinë dhe të sjellim shërbimin e testimit pranë shtëpisë së kujtdo që dëshiron të testohet. Gjithësesi mbetet akoma shumë punë për të bërë në fushën e ndërgjegjësimit, i cili nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e organizatave por e vetë shtetit shqiptar. Fushatat ndërkombetare të ndërgjegjësimit nuk duhet të jenë të fragmentarizuara vetëm në një ditë të vetme si 1 dhjetori, por duhet të jenë pjesë e një plani disa vjeçar për të ulur stigmën ndaj Hiv/Aids dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe vetë përsonave që jetojnë më Hiv/Aids.

A është ulur stigma ndaj të sëmurëve me HIV-AIDS?

Në ditët e sotme të jetosh më Hiv/Aids është njëlloj si të jetosh me çfarëdo sëmundje tjetër kronike. Personat me Hiv/Aids jetojnë po aq gjatë dhe shëndetshëm si gjithë të tjerët. Nëse ekziston një rrezik i vetëm për shëndetin e tyre janë pasojat e stigmës dhe diskriminimit. Për fat të keq në shoqërinë shqiptare për shkak të mungesës së informacionit një pjesë e madhe e njerëzve akoma vazhdojnë të mendojnë që personat që jetojnë me Hiv/Aids janë një kërcënim dhe që sëmundja mund të transmetohet në forma nga më absurdet si prekja, përqafimi, puthja etj. Kërcënimi nuk janë personat me Hiv/Aids, por injoranca dhe keqinformimi të cilin duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke dhënë më shumë informacion në shkolla, media, qëndra shëndetësore, familje etj.

A kemi një mesazh në këtë ditë?

Nuk është Hiv/Aids, ai që rrezikon jetën e personave që jetojnë me të por diskriminimi, stigmatizimi dhe përjashtimi që individët përjetojnë nga familja, institucionet dhe shoqëria. Është shumë e rëndësishme që personat të cilët jetojnë me Hiv/Aids të marrin sa më shumë dashuri dhe solidaritet jo vetëm nga familjarët e tyre por dhe nga të gjithë ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura