Lezhë, kreu i komunës debaton me prefektin: Deklarata e Kokëdhimës për drogën po nxit mbjelljen

Apr 15, 2015 | 22:02
SHPËRNDAJE

Deklarata e deputetit Koço Kokëdhima për legalizimin e kultivimit të drogës është bërë pjese e debatit midis drejtuesve vendorë dhe prefektit të Lezhës Ndrec Deda, gjatë një takimi të zhvilluar për luftën kundër mbjelljes së lëndëve narkotike në këtë qark.

Kreu i Komunës Ungrej, Gjovalin Gjoni

Ka qenë kreu i komunës Ungrej, zonë kjo problematike për sa i përket kultivimit të drogës, i cili është shprehur se fillimisht maxhoranca qeverisëse duhet të qartësojë qëndrimin e saj të unifikuar dhe më pas të flasë për luftën kundër mbjelljes dhe kultivimit të lëndëve narkotike. Kryekomunari Gjovalin Gjoni tha se deklaratat e Kokëdhimës janë ndikuese te kultivuesit.

“Unë ka 12 vite që jam kryetar komune në Ungrej. Jemi mbledhur dhe e kemi luftuar këtë fenomen. Por nuk e kuptoj, në njërën anë deputeti i kësaj maxhorance kërkon për të kultivuar, ndërsa ne kërkojmë për të luftuar. Kjo më duket qesharake”, u shpreh në takimin e djeshëm kryekomunari Gjoni. Në takim, veç prefektit, ishin edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit e të institucioneve të tjera vendore.

Prefekti Deda i është drejtuar kryekomunarit se nuk ishin mbledhur për të bërë politike. Por, Gjoni nga ana tjetër këmbënguli se ajo çka ai po thoshte ishte deklaruar nëpër ekrane dhe se një deklaratë e tillë e një deputeti të maxhorancës po u jep shkas e madje po nxit banorët që të dalin e ta mbjellin.

“Unë po them mendimin tim, pasi deklarata e deputetit nuk më duket normale”, u shpreh më tej kryekomunari. Ndërkaq, përfaqësuesi i Policisë së Shtetit, Idajet Faskaj, u shpreh se Policia e Shtetit është e vendosur për t’i bërë ballë këtij fenomeni i cili dënohet me ligj, duke i quajtur deklaratat e Kokëdhimës si personale. “Duhet të marrësh edhe qëndrimin e Ministrit të Brendshëm Tahiri i cili thekson se do ta luftojmë deri në fund këtë fenomen. Dua t’ju bëj me dije se kjo është një vepër penale dhe është nen i veçantë në Kodin Penal. Nuk duhet të nisemi nga opinioni personal, por duhet të shohim atë çfarë parashikon ligji. Në qoftë se ndonjëri është me atë mendim se do të legalizohet droga dhe duhet ta kultivojë, le të vazhdojë me mendimin e tij. Ne jemi këtu për të shprehur atë që thamë që është një luftë të cilën do ta çojmë deri në fund”, u shpreh Idajet Faskaj, përfaqësues i Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit të zhvilluar në Lezhë për luftën kundër mbjelljes dhe kultivimit të bimëve narkotike, drejtuesit e Policisë kanë kërkuar që monitorimi të mos jetë vetëm me metodat tradicionale. Sipas tyre, tashmë ka ndryshuar edhe mënyra me të cilën zhvillohet ky aktivitet kriminal. Ata janë shprehur se do të ketë penalizim në bazë të ligjit për të gjithë kultivuesit

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura