Falsifikuan pronësinë për 15 mijë m2, pranga zyrtarëve

Nov 27, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Gati 10 vjet pas tjetërsimit të një prone prej 15 mijë metrash katrorë zbulohet abuzimi, duke u vënë në pranga disa ish-zyrtarë në Kurbin.

Tre persona u ndaluan mbrëmë nga Policia e Lezhës për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Në hetim në gjendje të lirë janë tre të tjerë dhe 1 noter është shpallur në kërkim, për këtë çështje.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Sipas burimeve zyrtare të Policisë bëhet e ditur se, pas 3 muajsh hetimi, nga Sektori për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Hipoteka”.

Në fund të këtyre hetimeve paraprake u bë ndalimi me iniciativë i tre personave: Haxhi Lika, 36 vjeç, ish-kryetar i Komisionit të Tokës në ish-NB Gjorm, Kurbin; Ndue Gega, 52 vjeç, me profesion inxhinier topograf, ish-specialist në ZVRPP Kurbin; Halit Ajazi, 51 vjeç, ish-përgjegjës i Sektorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kurbin.

Ndërkohë, hetimi në gjendje të lirë po realizohet për: Fran Zymajn, 64 vjeç, ish-regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin; Idriz Koçi, 61 vjeç, ish-përfaqësues i Këshillit të Rrethit në Komisionin e Ndarjes së Tokës në Bashkinë Kurbin, si dhe Pashke Leka, 55 vjeç, banuese në Laç, ish-përgjegjëse e Sektorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Bashkinë Kurbin.

Përveç tyre, në kërkim është 73-vjeçari Nikoll Kola, banues në Tiranë, i cili në vitin 2006 ka qenë noter në Laç. Ata akuzohen se në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementet e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin”.

Konkretisht, në vitin 2006, ata dyshohen se kanë falsifikuar dokumentacionin e një sipërfaqeje prej 15 mijë metrash katrorë tokë arë të përfituar me Ligjin Nr. 7501 “Për tokën”.

Fillimisht, me anë të falsifikimit ata e kanë kaluar tokën nga pronësia e tre shtetasve, me inicialet L.M., Gj.M. e F.M. në tokë “shtet” dhe pastaj në pronësi të dy shtetasve të tjerë, N.P. dhe P.C.

Pasi është bërë ky veprim, është bërë regjistrimi i pasurisë në emër të pronarëve të rinj, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin. Hetimet po vazhdojnë edhe për raste të tjera të dyshimta, ku mendohet se janë implikuar këta persona.

ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura