Basha: Nuk do kërkojmë koalicion me LSI

Mar 1, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryetari i Partisë Demokratike ka përjashtuar bashkëpunimin në zgjedhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Gjatë takimeve të zhvilluara dje në Lezhë, Basha është shprehur se si LSI, edhe PS janë shkaktare të krizës që ka përfshirë vendin.

Lulzim Basha ne Lezhe

“Mund të keni parë spekulime në shtyp se PD po kërkon koalicion me këtë apo me atë prej dy gjysmave të kalbura të mollës së koalicionit. PD nuk do të kërkojë dhe as do të bëjë koalicion me asnjë prej pjesëve të problemit të shqiptarëve. As PS e as LSI nuk janë zgjidhja. Ato janë të dyja pjesë të problemit, të krizës. Janë shkaktare të krizës ku është zhytur Shqipëria”, tha Basha.

Gjatë takimeve, Basha ka dhënë dhe alternativën e PDsë për zgjedhjet vendore.

“Alternativa jonë është puna, punësimi, zhvillimi. Ne jemi partia e taksave të ulëta, partia e iniciativës së lirë, partia e zhvillimit. Me ne zhvillimi do të zgjidhet nga laku i taksave të larta dhe shpenzimeve të luksit. Me ne zhvillimi do të niset më fuqishëm se kurrë”, është shprehur Basha.

Ndërsa ka nënvizuar se në Lezhë PD do të rrisë “ndjeshëm investimet për bujqësinë dhe blegtorinë, do të rrisim ndjeshëm investimet për transportin ujor, peshkimin dhe industrinë e peshkut, do të rrisim investimet për turizmin”.

Gjatë takimeve, Basha u shpreh se e vërteta e qeverisjes në vend është krejt tjetër nga ajo që propagandon qeveria. Sipas tij, në këto dy vite të mandatit të së majtës kemi “përkeqësim, tkurrje, rrudhje, shtrydhje, rrokullisje, braktisje të detyrave si kurrë ndonjëherë, shpërfillje e njerëzve si asnjëherë, distancë rekord, hendek i paparë midis qeverisjes dhe qytetarëve, fyerje, dhunë, demagogji, korrupsion gjithnjë e më galopant”, pohoi Basha.

Ndërsa dhe një herë ka nënvizuar se nga rritja e çmimit të energjisë, çmimit të karburanteve dhe ilaçeve, shqiptarëve “nuk u dalin në asnjë lloj kombinimi llogaritë për të jetuar e mbijetuar në sistemin e taksave dhe tarifave të ngritura”.

Megjithatë, ai nënvizoi se me resurset që ka Shqipëria “na lejon të flasim për një të ardhme të re, që na mundëson të ndërtojmë një të ardhme të re për të gjithë shqiptarët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura