Leximi i gabuar dhe spekulativ i protestave

Dec 16, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

Përfaqësuesit e shumicës qeveritare nuk po befasojnë me qëndrimet e tyre ndaj protestës së madhe të 8 dhjetorit. Në vend që të lexojnë, qoftë edhe në mënyrën e tyre, ndonjë mesazh me vlerë të protestës, i shohim të impenjuar si qëmoti t’i vënë bishta, ta denigrojnë dhe mundësisht ta deligjitimojnë me lloj-lloj spekulimesh e anatemash, të përshtatura nga manualet e politikës së vjetër.

Çfarë fiksoi vetë zoti Kryeministër nga gjithë fjalimet, parullat, ankesat, kërkesat dhe thirrjet e protestës? Asgjë më shumë se shprehjen që nuk dihej nga e kishte marrë: “Humbëm si popull mirëqenien e dy viteve më parë”, të cilën ua citoi socialistëve të Sarandës në fundjavë, duke shtuar në stilin e udhëheqësve leninistë: “E dëgjuat?” Të pranishmit heshtën ose tundën kokat kot.

Asnjeri s’kishte dëgjuar gjë dhe vetë Rama nuk mori mundimin t’i ndriçonte. Nuk e bëri këtë, jo sepse ky lloj opozitari apo ish-qeveritari që vajton mirëqenien e humbur të dy viteve më parë nuk ekziston në Shqipëri, por sepse asnjë prej folësve që drejtojnë politikën në PD nuk është dëgjuar të ketë thënë “jemi këtu sepse humbën si popull mirëqenien e dy viteve më parë”.

Rama e ka nxjerrë këtë shprehje nga mendja e tij. Me të njëjtën logjikë që hartuan një inventar të fryrë e të falsifikuar dëmesh, që nuk janë bërë, po sajojnë edhe deklarata që nuk janë thënë. Pse duhet t’i pyeste Edi Rama sarandjotët “a e dëgjuat” nëse shprehja “armiqësore” do të ishte thënë vërtet? Një gjë që nuk është thënë, nuk ka si dëgjohet. Por, si gjithnjë, partia dhe udhëheqësi dëgjojnë edhe të pathënën, shohin edhe të padukshmen, kuptojnë më qartë e më thellë se populli në brendi të mesazheve të armikut.

Gjithë qëllimi i Ramës dhe i makinerisë propagandistike antiprotestë dhe antiopozitë, që shumica e tij ka vënë në punë me ngarkesë të plotë, është të ngulisë andej-këndej bindjen se opozita nuk ka hall tjetër, veçse të kthejë të shkuarën. Jo atë të shokut Enver-ky është ekskluziviteti ynë, motra dhe vëllezër, që po e avancojmë me kujdes në kushtet e reja të hapjes- por të shkuarën e afërt, kur opozitarët e sotëm ishin vetë në pushtet. Paraqitja si djall i qeverisë së mëparshme është përdorur barbarisht nga Edi Rama.

I ka dhënë rezultat në fushatë, kur e kontrastonte me premtimet e tij elektorale. Ka vazhduar të ketë njëfarë tingëllimi në dy vitet e para të qeverisjes së tij. Edhe pse asnjë politikan serioz dhe modern nuk qëndron më në këtë retorikë pasi fiton zgjedhjet, por merret me programin për të cilin është votuar nga zgjedhësit. Nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë, fjala vjen, Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama, të merret me trashëgiminë, realisht të rëndë, që la paraardhësi i tij Xhorxh Bush i Riu në ekonomi!

Fituesi emërohet nga zgjedhësit për të zgjidhur probleme. Jo për t’ua sjellë çdo ditë në mendje si dordolecë. Ca më pak për t’ua shtuar e përkeqësuar, siç ka ndodhur me qeverinë aktuale të Ramës. Përpjekjet e tij për të lozur edhe në vitin e tretë të qeverisjes kartën e gogolit të qeverisë së shkuar janë shprehja më e qartë e dështimit, dhe madje e kapitullimit të tij de fakto para detyrës.

Por janë edhe një spekulim i trashë, i kapërcyer nga kultura politike mesatare e shoqërisë sonë. Tani janë me mijëra votuesit prosocialistë të para dy viteve, që e përjetojnë qeverisjen e Ramës si një kalim nga shiu në breshër. Për të vazhduar në stilin figurativ të të shprehurit, kjo nuk do të thotë se shiu është alternativa. Tetë dhjetori nuk ishte një protestë e nostalgjisë.

Protestuesit kërkuan largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike, që ndërsa duhet të përgatisë për një datë të negociuar nga të gjitha palët zgjedhjet e reja parlamentare, do të duhet të marrë në dorë me urgjencë financat e çoroditura të shtetit, t’i japë pak oksigjen shprese dhe besimi ekonomisë në agoni, të ndalë arrogancën që po vret njerëz me mitin e shtetformimit, të mbyllë menjëherë rubinetat e kontrabandës dhe evazionit në nivelet e larta, e tjerë. E gjithë kjo është të shohësh përpara, jo prapa.

Protesta e madhe e datës 8 dhjetor ishte pikësëpari një protestë e atyre që nuk kanë: e të zhgënjyerve, e të goditurve, e të varfëruarve, e shpresëvrarëve, e të shpunësuarve, e të papunëve. Kjo është shumë e thjeshtë për t’u verifikuar. Por ishte edhe një protestë e atyre që kanë një biznes që është rrudhur, kanë të ardhura dhe kursime që u janë pakë- suar, kanë standarde ekonomike, sigurie, etike dhe kulturore që u janë cenuar apo rrezikuar.

Ky është shtresimi i mesëm ekonomik dhe intelektual, kolona e shoqërisë së lirë edhe në Shqipëri. Protestuesit e kësaj shtrese përfaqësojnë e duhet të përfaqësojnë bërthamën e një proteste të thirrur nga një forcë politike e qendrës së djathtë, siç është PD. Askush nuk mund t’i kompleksojë këta njerëz me pasurinë e ligjshme, me veshjen shik apo me paraqitjen e hijshme, duke dashur t’u privojë të drejtën e protestës.

Ky shtresim nuk ka asgjë të përbashkët me të korruptuarit e qeverisë së mëparshme. Duke dashur të denigrojë protestën dhe mesazhet e saj, Rama me të tijtë kanë ngritur një fushatë pa emra kundër kostumeve apo makinave të opozitarëve. Në mënyrën si shtrohet dhe kur shtrohet, ky është një diskutim sa populist, aq edhe spekulativ.

Populist sepse drejtuesit politikë të një partie të madhe, që alternohet në qeveri, sikurse protestuesit e saj të shtresimit të mesëm, nuk imagjinohet të mos jenë të veshur mirë apo të mos kenë makina të mira. Politikanët nuk dalin në protestë për bukën e tyre, dalin për bukën e atyre që nuk kanë, për të drejtat e qytetarëve pa dallim. Po të ishte për çmimin e veshmbathjeve, Edi Rama nuk do të vinte kurrë në pushtet sipas kritereve populiste.

Fushata ndërkaq është spekulative, sepse flitet në përgjithësi, pa përmendur emra. Qeveria i ka të gjitha mundësitë të flasë me emra për çdo ish-zyrtar të qeverisë së më- parshme që ka makinë shumë të shtrenjtë, orë shumë të shtrenjtë apo pasuri të tjera të pajustifikueshme. Institucioni i deklarimit dhe kontrollit të pasurisë këtë detyrë ka.

Pse nuk e bën? Nuk e bën, sepse të korruptuarit eventualë të qeverisë së mëparshme nuk janë me sa duket në vijën e parë të opozitarizmit. Madje, ka mundësi të jenë më afër qeverisë sesa opozitës. Këta nuk kanë asnjë problem dhe asnjë padurim të rrinë në opozitë. Ndihen komodë dhe të mbrojtur nga korrupsioni i ri, akoma më i madh, i zyrtarëve të qeverisë së Ramës. Përmendja e tyre me emër do të ishte një boomerang për fushatën që kanë ndërmarrë pushtetarët për të denigruar protestën e opozitës.

Ndaj flasin në përgjithësi, duke ia lënë emrat fantazisë. Por shmangia e emrave e rrëzon në themel fushatën antiprotestë dhe nuk bën gjë tjetër veçse e distancon dhe shurdhon akoma më shumë qeverinë nga mesazhet e protestës. Që nuk janë një e dy, por shumë. Mjafton të përmendim faktin e pjesëmarrjes masive. Bulevardi nuk do të mbushej siç u mbush po të mos ketë një zgjim dhe një vlim të madh popullor. Me qëllim apo nga mendjengushtësia, qeveria ka dëshirë ta shohë atë si protestë të kundërshtarëve politikë, ngaqë e ka thirrur opozita. Po kush mund ta thërrasë tjetër?

Mesazhi tjetër ka të bëjë me nevojën për reflektim dhe veprim të menjëhershëm përkundrejt eksodit të madh fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve. Qeveria duhet të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të kërkojë zgjidhje me opozitën e vendit. Shpopullimi i tentuar dhe i kërkuar në këto përmasa duhej t’i prishte të gjitha skemat klasike politike dhe t’i ridimensiononte të gjitha ambiciet politike të politikanëve kryesorë. Këtu nis reflektimi, reagimi, zgjidhja e urtë.

Çfarë i mbetet një populli kur i mbyllën të gjitha rrugët, përveçse të ngrihet? Përgjigjen e dinë të gjithë. Me përjashtim të atyre që kujtojnë se populli është sovran vetëm në letër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura