Lëvrohet kësti 36.1 mln euro/ FMN: Reformat për biznesin kanë mbetur prapa

May 28, 2016 | 9:48
SHPËRNDAJE

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundon shqyrtimin e shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë dhe u mundësoi autoriteteve shqiptare kredinë e radhës në vlerë 36 milionë euro, duke e çuar e shumën e huasë të marrë 263 milionë euro.

 

 

Një nga konferencat e FMN-së
Një nga konferencat e FMN-së

Pas diskutimeve të bordit, zëvendësdrejtori dhe menaxheri i parë, David Lipton ndërsa vlerësoi ecurinë pozitive të ekonomisë, kërkoi miratimin e reformave për përmirësim të klimës të biznesit.

“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po përshpejtohet. Perspektiva afatmesme mbetet e favorshme, me kusht që vrulli i reformës të ruhet. Angazhimi i autoriteteve për zbatimin e reformave strukturore dhe fiskale është i lavdërueshëm. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit kanë mbetur prapa”, – thuhet në deklaratën e Fondit Monetar.

Bordi i FMN-së, teksa vlerëson reformat fiskale të qeverisë, nuk mbështet uljen e shpenzimeve për investimet publike. Fondi Monetar Ndërkombëtar i kujton Qeverisë të kufizojë rreziqet fiskale nga partneritetet publike private.

“Angazhimi i autoriteteve për të zbatuar reformat strukturore fiskale dhe për të zvogëluar rreziqet fiskale është inkurajuese. Forcimi i kornizës afatmesme buxhetore dhe menaxhimi i investimeve publike është kritike. Rreziqet fiskale nga partneritet publike private duhet të jenë të kufizuara dhe t’i nënshtrohen analizave të kostos dhe përfitimit në mënyrë transparente në përputhje me normat ndërkombëtare”. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi shlyerjen e detyrimeve ndaj subjekteve private, por ngre shqetësimin e borxhit të pashlyer nga pushteti vendor.

“Autoritetet kanë bërë progres të rëndësishëm me pastrimin e borxheve të qeverisjes qendrore. Shumat e papaguara në nivel lokal duhet të auditohen dhe të trajtohen me shpejtësi”, vlerësohet në deklaratë.

Autoritet ndërkombëtare përsërisin edhe një herë rekomandimet për qeverinë për të mbajtur rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për anëtarësim në BE.

“Reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Fokusi duhet të jetë për zbatimin e reformës gjyqësore, forcimin e të drejtave të pronësisë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe arsimit. Këto hapa do të ndihmojnë të hapet rruga drejt anëtarësimit në BE dhe rritjes të qëndrueshme”, thuhet në deklartën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura