Lëvizja e re politike nuk do të na bjerë nga qielli

Feb 14, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE

arjan-starovaARIAN STAROVA

Pas shkrimit tim të fundit të datës 24 janar i cili i paraprin këtij të sotmit, thirrjet me telefon, mesazhet miqësore mbështetëse dhe bisedat nxitëse nuk kanë reshtur krahasuar me shkrimet e tjera të mëparshme. Thelbi i përbashkët i asaj që më thuhej ishte miratimi jongurrues i idesë së shprehur në të për nevojën e një lëvizjeje të re politike.

Në njëfarë mënyre, miqtë kërkonin të më thoshin me dashamirësi se gjërat i dimë ne dhe shumë të tjerë si ne, por më e rëndësishme sesa të shpjegohen, është të veprohet për t’i ndryshuar ato. Të gjithë ata që, në mënyra të ndryshme, ma shprehën përkrahjen e tyre, përfshirë edhe shqiptarë të nderuar jashtë Shqipërisë, më kanë shtuar dëshirën për të vazhduar më tej dhe unë u jam shumë mirënjohës.

Këtë qëndrim ndaj shkrimit tim të fundit unë e mora natyrshëm si këshillë apo ftesë për të vepruar duke qenë fare i sigurt se ndryshimet madhore nuk bëhen kurrë vetëm. Prandaj, si fillim do të doja të them qartë dhe pa lëkundje se unë i kërkoj dhe i mirëpres të ngjashmit e mi në mendime kudo dhe kurdo që ata të shfaqin interes, por natyrisht me vetëdijen se koha nuk pret. Në fund të fundit, asgjë e gjykuar gjerësisht si e rëndësishme nuk mund të bëhet as vetëm, as me hapat e breshkës apo të kërmillit.

Megjithëse njerëzit të cilët mendojnë për rikthimin e shpresës popullore për të ardhmen nëpërmjet një lëvizjeje të re politike janë pa dyshim të panumërt, krahasuar me ata që sapo kam përmendur më lart, është e arsyeshme që fillimisht të themi edhe një herë diçka se përse nevojitet kjo lëvizje e re politike. Unë kam folur mbi arsyet që e përligjin, sipas meje, themelimin e një lëvizjeje të re politike, madje kam folur shumë nëpërmjet shkrimeve të mi të javëve të fundit.

Megjithatë, për një lëvizje të re politike, jam i vetëdijshëm se të folurit miqësor dhe publik me shkrim dhe me gojë duhet të jetë i pareshtur, kudo dhe kurdoherë. Janë të shumtë njerëzit që do të donin të dëgjonin dhe lexonin për idetë që, sipas mendimit tim, e përligjin këtë nevojë. Në njëfarë mënyre, ata kanë të drejtë, sepse parti politike tashmë kemi me shumicë. Po ashtu, me shumicë kemi pasur edhe nisma dhe lëvizje politike gjithfarëshe.

Të tjerë njerëz dhe lexues mund të pyesin me të drejtë se përse nuk qenka e mundur që synimet e një lëvizjeje të re politike të arrihen nëpërmjet partive ekzistuese. Ka edhe mbështetës të ndershëm të partive të Opozitës që duan të dinë se përse u dashka një lëvizje e re politike, kur e kemi Partinë Demokratike dhe traditën e saj të koalicioneve zgjedhore.

Mbështetës të tjerë të partive qeverisëse dhe të Partisë Socialiste besojnë se ndryshimet e rëndësishme është duke i bërë qeveria e tanishme. Edhe në qoftë se nuk do t’ia vinim emrin lëvizje e re politike idesë për të cilën po flas, a nuk është fakt se, përtej kësaj larmie të mendimeve të njerëzve për nevojën për ndryshim, të gjithë ata bashkohen përreth të njëjtit mendim se gjërat duhet të ndryshojnë, se kështu nuk mund të vazhdohet më.

Prandaj, më tej në këtë shkrim do t’i ripërmend në një formë të re dhe sa më të përmbledhur që të jetë e mundur arsyet e nevojës së vendit për një lëvizje të re politike. Unë i mendoj këto arsye sipas një këndvështrimi që qëndron larg skemës klasike politike Qeveri-Opozitë.

Njëzet e pesë vjetët e kaluar si shoqëri demokratike me probleme që nuk po na mbarojnë kurrë, edhe me prirjen time të brendshme më dashamirëse, më kanë çuar drejt mendimit se shkaku i këtyre problemeve janë partitë politike kryesore që rrotullohen pa pushim nga Qeverisja në Opozitë dhe anasjelltas.

Dhe brenda këtyre partive, përgjegjësitë më të mëdha të problemeve tona rëndojnë pa dyshim mbi partitë e mëdha, të cilave, për hir të së vërtetës, duhet t’u pranojmë edhe meritat më të mëdha të arritjeve të njohura dhe të pamohueshme të vendit. Gjatë njëzet e pesë vjetëve tona në “demokraci”, çuditërisht, disa probleme janë ngulur thellë në trupin e shoqërisë sonë si “tumore” të paluftueshme, pavarësisht prej “rrufeve” dhe premtimeve që lëshojnë nëpër fushata zgjedhore si njëra, edhe tjetra prej dy partive të mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Sa herë që ndërrohet qeverisja, ne kemi parë vetëm se si ndërrojnë vend lëshuesit e “rrufeve” dhe të premtimeve, ndërkohë që “problemet-tumore” vazhdojnë të futen më thellë në trupin e shoqërisë sonë demokratike. Kur janë në opozitë, partitë e mëdha premtojnë “hënën” për t’i zgjidhur këto “probleme-tumore”, kurse në qeverisje tregojnë “bërrylin”. Të gjithë e dimë se cilat janë këto probleme, por unë po i rreshtoj edhe një herë ato më kryesorët për lexuesit.

Janë pesë të tilla:

(1) paaftësia për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme,

(2) korrupsioni i stërmadh në elitën drejtuese dhe atë të drejtësisë, bashkë me mosbesimin e njerëzve në to,

(3) mungesa e theksuar e idealizmit dhe përkushtimit në elitën politike,

(4) politika partiake përçarëse e shoqërisë nëpërmjet shpërdorimit të idesë së pluralizmit dhe

(5) mosshtimi i pasurisë kombëtare dhe moshapja e vendeve të reja prodhuese të punës. A nuk quhet dështim i elitës sonë politike fakti i pambulueshëm që në njëzet e pesë vjet vazhdojnë të ekzistojnë njëjtat probleme duke u shndërruar në “tumore” të shoqërisë sonë?! Logjika e zakonshme të thotë se problemet krijohen dhe zgjidhen vazhdimisht, porse nuk mbeten të njëjtat për kaq shumë vjet.

A është e drejtë, atëherë, që të mos themi se këto “tumore” i kanë krijuar dhe i mban gjallë paaftësia politike, po ndonjëherë edhe synimi i fshehtë i këtyre partive kryesore dhe e udhëheqësve të tyre?! A mund të shërohen ato probleme me të njëjtat parti dhe të njëjtët udhëheqës?!

A kemi më nevojë të bindemi se politika e partive kryesore është tallëse dhe përqeshëse e skajshme me zgjedhësit, kur mjafton të kujtojmë aktet e komedisë politike që po luhet që prej vjeshtës së kaluar me të ashtuquajturin “dekriminalizim” dhe “reformë në drejtësi”?!

A mundet që mbështetësit e kriminalizimit dhe “pronarët politikë të drejtësisë së padrejtë” të mund të luftojnë vetveten?! E di mirë se askush prej shqiptarëve nuk ka as më të voglin dyshim për këtë. E di mirë edhe se shqiptarët nuk mendojnë se, për t’i ndrequr gjërat do të mjaftonte vetëm që t’i dinin ato.

Jo, nuk do të mjaftonte vetëm ideja për të krijuar një lëvizje, e cila do të shprehte dhe përfaqësonte më mirë atë çka duan shqiptarët. Prandaj tani dua ta theksoj se qëllimi im nuk është renditja e arsyeve që përligjin nevojën për këtë lëvizje. Edhe pa i ripërmendur, këto arsye dihen nga të gjithë, ndihen edhe pa u thënë, sepse njerëzit po e kërkojnë pa e ditur ndryshimin madhor në Shqipëri.

Unë fola shkurtimisht për ato arsye, vetëm për t’i lënë sa më pak vend zellit të kudondodhur të përfolësve budallenj, kohëshpërdorues, ose “të paguar”, të cilën asnjëherë nuk mungojnë kur bëhet fjalë për t’i hapur rrugën diçkaje të ndryshme. Qëllimi im kryesor është të menduarit për mënyrën se si nevoja për këtë lëvizje të re politike të mund të plotësohet çka, në fund të fundit, nënkupton mënyrën se si njerëzit mund ta sjellin ndryshimin.

Pavarësisht prej asaj çka mendoj dhe shkruaj, unë përpiqem të mbetem gjithnjë një shprehës i asaj çka kërkojnë njerëzit, të cilët i dëgjoj pa u lodhur çdo ditë dhe ku të mundem. Po e mbyll pa u zgjatur, sepse do të kem raste të panumërta për të shkruar e folur përsëri, duke iu drejtuar atyre që kërkojnë t’i shkurajojnë njerëzit, duke u thënë, gjoja si pa dashje, se lëvizjet e reja politike “nuk ecin” në Shqipëri se janë provuar dhe kanë dështuar etj., etj.

Të jeni të bindur, o bashkëqytetarët e mi, se këta lloje të njerëzve janë vetëm thashethemexhinj të paguar që bëjnë “lojën” e politikës së korruptuar. Mos u besoni atyre, por mendjes suaj! Ne si shqiptarë nuk jemi me më pak kulturë se popujt e tjerë të Ballkanit për të lejuar të na rrëmbejnë të ardhmen tonë.

Për ndonjë përfolës të tejzellshëm dhe e fundit që do të doja të them në këtë shkrim është se unë kam vendosur të shkruaj publikisht për të metat e politikës me synimin që të mos u shmangem përgjegjësive të mia politike, të cilat janë krijuar, gjithsesi, nga besimi im i tepruar deri në naivitet i së kaluarës te përkushtimi dhe ndershmëria e aktorëve kryesorë të politikës. Analiza e përgjegjësive nis gjithnjë prej vetvetes, jo duke ua vënë fajin të tjerëve, siç kemi parë aq shpesh në politikën tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura