Leva për rekord, Myler “macja e zezë” e katalanasve. Barcelona përballet me makthet e të kaluarës

Dec 8, 2021 | 15:22
SHPËRNDAJE

Barcelona do të luajë sonte në mbrëmje në Mynih sfidën e vitit. Katalanasit do të kërkojnë fitoren ndaj Bajernit për t’u kualifikuar në 16 më të mirat në Champions. Në Spanjë flasin për një mrekulli që i duhet Barçës. Përballë janë dy skuadra në antipod të njëratjetrës.

barca

Nga njëra anë është Bajerni që komandon në Bundesligë dhe ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grupe në Champions. Krejt ndryshe situata e Barcelonës. E varur në mëshirën e Bajernit në Ligën e Kampioneve dhe 16 pikë larg Realit në La Liga. Por, nëse në Spanjë flasin për një mrekulli, në realitet, më shumë se mrekullia Barcelonës i nevojiten golat.

Me vetëm dy gola të shënuar në 5 takimet e deritanishme në grupe, Barcelona ka ndër sulmet më të dobëta në Champions, si kurrë më parë në historinë e saj. Nga krahu tjetër do të ketë përballë një makinë golash si Bajerni i Mynihut. Bavarezët kanë shënuar 64 gola në këtë sezon në të gjitha kompeticionet (19 në Champions).

Goli ka qenë një nga problemet e mëdha të Barcelonës në këtë sezon, krejt ndryshe nga Bajerni që pa arritur mesi i sezonit ka shënuar 64 rrjeta. Për të treguar se cilat janë diferencat aktuale mes dy ekipeve mjafton kjo e dhënë për të turpëruar katalanasit.

Mes kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve, Barcelona ka shënuar vetëm 25 gola, ndërkohë që Levandovski i vetëm ka shënuar 27 rrjeta, gati-gati diçka absurde. Polaku është kthyer në një makineri golash, ku 16 janë në Bundesligë, 9 në Champions e 2 në Superkupë. Ndërsa e gjithë Barcelona numëron 25 rrjeta, nga të cilat vetëm 2 në Champions.

PËR REKORDIN E CR7 – Edhe trajneri i Bajernit, Julian Nagelsman, e ka bërë të qartë se Leva do të jetë në fushë ndaj Barcelonës. Për polakun nuk ka pushim. Madje, vetë ai ka kërkuar të jetë në fushë sepse në horizont është një rekord. Deri më tani ai numëron 9 rrjeta në Champions dhe është vetëm dy gola larg rekordit që mbahet nga Ronaldo në sezonin 2015-2016, i cili shënonte 11 gola në fazën në grupe.

“MACJA E ZEZË” – Por, Barcelona nuk i druhet vetëm Levandovskit. Në fushë do të jetë dhe “macja e zezë” e saj ose ndryshe Tomas Myler. Gjermani i ka shënuar 7 gola Barcelonës në Champions, si askush tjetër. Si ai dhe Leva do të jenë në fushë dhe Barça e di mirë se çfarë ndodh me ta. Mund të kujtojnë takimin e parë 0-3, ku të dy shënuan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura