Letrat e Amnesty International për Enverin: Lironi Musine Kokalarin. Diktatori nuk u përgjigj

May 25, 2015 | 15:06
SHPËRNDAJE

Musine Kokalari ka qenë ndër të rrallat të burgosura të ndërgjegjes së perandorisë komuniste europiane, që ka preokupuar për dekada me radhë organizatat prestigjioze të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Të interesuara për fatin e saj, ato kanë apeluar pranë autoriteteve shqiptare qysh në momentin e arrestimit si kundërshtare e regjimit deri kur ka ndërruar jetë në kushte të mjerueshme.

Musine Kokalari perpara gjyqit ne vitin 1946

Të parët kanë protestuar diplomatët e paktë perëndimorë që kishin mbetur në Shqipëri pas luftës. Me ta janë bashkuar pastaj qeveritë e tyre dhe një mori organizatash të njohura ndërkombëtarisht për misionin në mbrojtje të të dënuarve politikë. Shpërfillja e Tiranës zyrtare ndaj kërkesave të tyre për të mësuar arsyet e arrestimit të Musine Kokalarit dhe kushtet, në të cilat vuante dënimin, ka qenë një ritual që ka shoqëruar tërë kohën, gjatë së cilës Kokalari vuante dënimin.

Deri në vitin ’60, gjurmët e korrespodencës së perëndimorëve për shkrimtaren dhe politikanen disidente, kanë mbetur fragmentare. Të vetmet dokumente që për fat kanë mbetur të ruajtura, janë ato që i përkasin periudhës kur Kokalari kishte dalë nga burgu dhe jetonte e izoluar në Rrëshen. Së paku në arkivin e shtetit janë ruajtur katër të tilla që datojnë në vitin 1966. Letra e parë me autorësinë e Harald Thiis të Amnesty International (seksioni i Norvegjisë) mban datën 25 mars 1966 dhe i drejtohet Enver Hoxhës, në cilësinë e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror.

(Më herët organizata në fjalë ka konsumuar disa kërkesa të tilla në adresë të autoriteteve zyrtare që merreshin drejtpërdrejt me çështjet e të burgosurve dhe të dënuarve). Që në rreshtat e parë letra e mbërritur në kabinetin e kreut të regjimit nga Oslo, shpreh interesimin për statusin specifik të të dënuarës Musine Kokalari. “Jemi njoftuar se është arrestuar në 1945 për aktivitet politik me burgim të përjetshëm, por ende s’dimë nëse përfitoi nga amnistia e vitit 1962, apo është akoma në burg”, vë në dukje autori i saj, duke shpjeguar se grupi që përfaqëson është përgjegjës për një të burgosur nga Rodezia, një nga India dhe një nga Shqipëria.

Gati i njëjti tekst përsëritet në letrën e dytë që mban firmën e Hans Leganger, lider i grupit The Amnesty International me qendër në Londër, që interesohet për fatin e një të burgosuri në Pakistan, një në Portugali dhe një në Shqipëri. Ndryshe nga grupi i Norvegjisë, ai i Leganger është disi më konkret në kërkesat e veta për shefin e regjimit të Tiranës. “Në dhjetor 1965, zonjushë Kokalari e kreu dënimin e saj prej 20 vitesh dhe ne dëshirojmë të dinim në rast se ajo është liruar, nëse ndodhet akoma në burg ose është transferuar në ndonjë fushë përqendrimi”, shkruan ai, ndërsa tërheq vëmendjen e Hoxhës se i ka dërguar dhe më parë një kërkesë të tillë, por nuk ka marrë përgjigje.

Një përmbajtje të kësaj natyre ka dhe letra e seksionit suedez të Amnesty International me qendër në Stokholm e datës 15 nëntor 1966, që interesohet për një të burgosur nga Perëndimi, një nga Lindja, dhe një nga Bota e Tretë. Ndryshe nga dy të parat, në të bie në sy kërkesa për të mësuar institucionin kompetent, të cilit mund t’i drejtohen dhe krijimin e mundësive për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me të burgosurit e ndërgjegjes.

Pak a shumë kjo është kronologjia dhe përmbajtja sensitive e letrave që Amnesty International i drejtonte Enver Hoxhës në vitin 1966. Nga procedura zyrtare e korrespodencës së pazakontë ruajtur në arkivin e shtetit, konfirmohet se Hoxha i ka lexuar të gjitha. Madje, në faqen e parë të çdo njërës prej tyre, me dorën e tij ka bërë shënimin: Mos t’i kthehet përgjigje!

Heshtja që urdhëronte kreu i regjimit, më shumë se shpërfillje për autorët e letrave, ishte një lloj hakmarrjeje e pamëshirshme ndaj kundërshtares së tij, me të cilën kishte ndarë vitet e fëmijërisë në qytetin e ngurtë dhe ishte përballur për jetë a vdekje në kapërcyell të luftës… 

LETRA E PARË
Amnesty International
Seksioni i Norvegjisë
Një lëvizje për liri, opinion dhe feje
Oslo, Norvegji, 25 mars 1966
Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror
Enver Hoxha
Tiranë

Shkëlqesia Juaj,

Po ju shkruajmë si anëtarë të një grupi të “The Amnesty International” në Londër. Sikurse mund ta dini, kjo lëvizje punon për lirimin dhe lehtësimin e kushteve të të burgosurve të ndërgjegjes në mbarë botën, siç do të keni mirësinë të shihni në deklaratën shpjeguar këtu ngjitur.

Grupi ynë është përgjegjës për një të burgosur nga Rodezia, një nga India dhe një nga Shqipëria, për zonjushën Musine Kokalari. Sipas njoftimeve që kemi, ajo është arrestuar në 1945 për aktivitet politik me burgim të përjetshëm. Duke ditur se aty ka pasur një amnisti të përgjithshme në 1962 dëshirojmë të dimë nëse ajo ish ndërmjet të burgosurve të liruar apo ajo është akoma në burg. Ne mund të jemi disinformuar për të.

Në këtë rast ne do të çmonim shumë nëse do të na bëni të ditur për sa më sipër. Duke ditur që qeveria juaj po ndihmon për të krijuar kushte të mira për çdo njeri, shpresojmë se do të merrni në konsideratë këtë çështje. Lutemi pranoni, shkëlqesia juaj, sigurimet e konsideratës sonë më të lartë.

Tuajt plotë respekt
Harald Thiis

Faksimile e letrës origjinale të “Amnesty International” dhe të përkthyer, adresuar Enver Hoxhës në vitin 1966

 

Faksimile e letrës origjinale të “Amnesty International” dhe të përkthyer, adresuar Enver Hoxhës në vitin 1966

LETRA E DYTË
Amnesty International
Zotit Sekretar i Parë i KQ
Enver Hoxha,
Tiranë, Shqipëri

Po ju drejtohemi juve si anëtar i një grupi që bën pjesë në “The Amnesty International” në Londër. Siç mund ta dini ndoshta, kjo lëvizje punon për lirimin dhe përmirësimin e kushteve të të burgosurve në të gjithë botën. Grupi ynë është përgjegjës për tre të burgosur: Një në Pakistan, një në Portugali dhe një në Shqipëri, d.m.th. për zonjushën Musine Kokalari Sipas informatave që kemi marrë, ky person është arrestuar në vitin 1945 për veprimtari politike dhe është dënuar me 20 vite burg.

Në dhjetor 1965, zonjushë Kokalari e kreu dënimin e saj prej 20 vitesh dhe ne do të dëshironim të dinim në rast se ajo është liruar, nëse ndodhet akoma në burg ose është transferuar në ndonjë fushë përqendrimi. Është e dyta letër që po ju dërgojmë lidhur me znj.Kokalari dhe ne do të ishim të kënaqur sikur të merrnim përgjigje nga ju. Të jeni të sigurt se letra jonë ka vetëm qëllime humanitare. Ju lutem të pranoni, Shkëlqesi, sigurimin e ndjenjave tona më të sinqerta.

Për “Amnesty International”
Hans Leganger, Oslo, 1 tetor 1966.

Faksimile e letrës origjinale të “Amnesty International” dhe të përkthyer, adresuar Enver Hoxhës në vitin 1966
Faksimile e letrës origjinale të “Amnesty International” dhe të përkthyer, adresuar Enver Hoxhës në vitin 1966

LETRA E TRETË
Amnesty International
Seksioni suedez Stokholm,
15 nëntor 1966

Z.Enver Hoxha
Sekretari i Parë i KQ Tiranë, Shqipëri

I nderuar zotëri,
Po ju shkruaj në emër të grupit 24 të seksionit suedez të organizatës Amnesty International. Siç mund të jeni në dijeni dhe siç sqarohet në këtë letër, Amnesty International është një lëvizje me neutralitet strikt, si politikisht, ashtu edhe nga pikëpamja fetare dhe që punon për lirinë e mendimit.

Amnesty International kërkon të ndihmojë/shpëtojë “të burgosurit politikë” të të gjitha vendeve, d.m.th. njerëzit që janë burgosur për shkak të ideve dhe mendimeve të tyre, pa përdorur apo rekomanduar forcën. Amnesty International është e ndarë në grupe, ku secili prej tyre përpiqet të ndihmojë tre të burgosur, një nga Perëndimi, një nga Lindja, dhe një nga bota e tretë. Sekretariati i organizatës ndodhet në Londër.

Aty kemi hartuar një regjistër me emrat e mijëra të “burgosurve politikë” nga e gjithë bota. Çdo grup merr drejtpërdrejt nga Sekretariati emrat dhe datat e tre të burgosurve. Pastaj pritet që grupi të bëjë atë që mundet për të vendosur kontaktet/komunikimin me të burgosurit dhe, nëse është e mundur, të lehtësojë mjerimin e tyre. Në këtë kontekst, na është kërkuar “të adoptojmë” një të burgosur nga Shqipëria.

Por na është thënë se ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të merret një shenjë jete nga të burgosurit shqiptarë, apo të arrihet në një komunikim me autoritetet shqiptare. Gjithashtu, për asnjë arsye në botë, ne nuk do të donim t’i krijojmë probleme të burgosurit, duke bërë ndonjë gabim.

Për këtë arsye, do t’ju lutesha shumë të kishit mirësinë të na informonit për çështjet e mëposhtme:

1. Cila është instanca/institucioni shqiptar i përshtatshëm, të cilit t’i drejtohemi kur bëhet fjalë për “të burgosurit politikë”?

2. Nëse kemi marrë emrin dhe adresën e burgut, a është e mundur t’u shkruajmë të burgosurve për t’i zbavitur dhe për t’i inkurajuar sadopak, a u lejohet të burgosurve të përgjigjen?

3. A është e mundur në parim të kemi adresat e familjeve të tyre për t’i ndihmuar materialisht, nëse kanë nevojë?

4. Si shihet Amnesty International në vendin tuaj? A inspiron ajo vlerësim, mosbesim, apo indiferencë? Me shpresën e madhe se do të marrim përgjigjen tuaj për këto pyetje,

Ju shpreh vlerësimet e mia më të veçanta,
Eva Moberg 

PEN Club International: Disidentja nga Shqipëria

Musine Kokalari u lind në shkurt 1917 në Adana, Turqi dhe tre vjet më vonë u zhvendos me familjen në Shqipëri. Në vitin 1938 shkoi në Itali për të studiuar në Universitetin Mbretëror të Romës, La Sapienza, ku u diplomua në vitin 1941, duke arritur një doktoraturë në Letërsi.

Pas kthimit në Shqipëri botoi koleksionin e saj me krijime “Seç më thotë nëna plakë”. Thuhet se është vepra e parë nga një shkrimtare grua e publikuar në Shqipëri. Në vitin 1944 botoi librin tjetër “Rreth vatrës” dhe në vitin 1945, atë me titull “Sa u tund jeta”. Gjatë periudhës 1943 -1944, Musineja u bë një nga themelueset e Partisë Social Demokrate dhe u lidh ngushtë me gazetën e partisë “Zëri i Lirisë”. Dy vëllezërit e saj, pronarë të një ndërmarrje shtypi në Tiranë, u ekzekutuan nga forcat komuniste në vitin 1944.

Në vitin 1946 Kokalari u arrestua dhe u dënua me njëzet vjet burg, me motivacionin “armik i popullit”. Para arrestimit ajo i kishte dërguar një letër Komandës së Forcave Aleate të bazuar në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, duke bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Është emblematike deklarata e saj në sallën e gjyqit, ku u drejtohet autoriteteve komuniste: “Nuk kam nevojë të jem komuniste për ta dashur vendin tim.

Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij, edhe pse juve keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet. Ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshe politike nga tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më ndëshkoni mua për idealet e mia!” Kokalari bëri tetëmbëdhjetë vjet burgim dhe në vitin 1961 u transferua në një kamp internimi.

Aty u sëmurë nga kanceri dhe vdiq në kushte të mjerueshme në 14 gusht 1983. Krijimtaria e saj ka qenë e ndaluar nga autoritetet shqiptare. PEN International deri tani nuk ka qenë në gjendje të njihet me shkrimet e Kokalarit dhe po punon duke shpresuar për të gjetur dorëshkrimet e saj të ruajtura në koleksione private për t’i botuar në një kohë të mëvonshme. Në Tiranë është shpallur “Martir i demokracisë” dhe një shkollë në kryeqytet ka emrin e saj.

Musine Kokalari, emblema e disidencës shqiptare

Musine Kokalari është pa dyshim shkrimtarja e parë shqiptare dhe njëherazi disidentja e parë e perandorisë komuniste europiane, me një jetëshkrim sa interesant, aq dhe dramatik. Bijë e një familjeje gjirokastrite me emër, ajo u bë e njohur fillimisht në institutin “Nana Mbretneshë” në Tiranë, të cilën e përfundoi shkëlqyeshëm në vitin 1937 dhe më vonë gjatë studimeve në Universitetin e Romës, ku u diplomua për Letërsi.

Në vitin 1939 botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”, për të vijuar me të tjerët “Rreth vatrës”(1944) dhe “Sa u tund jeta”(1945). Përveç suksesit në letërsi, Kokalari u bë e njohur për protagonizmin e saj në krijimin e Partisë Socialdemokrate në vitet e luftës. Profili politik antikomunist i familjes dhe i saj, e vendosi në krahun tjetër të barrikadës të kryesuar nga bashkëqytetasi i saj, Enver Hoxha. U përball për herë të parë me barbarinë staliniste më 12 nëntor të vitit 1944, kur revanshi komunist i pushkatoi dy vëllezërit, Muntaz e Vesim Kokalari.

Katër ditë pas tragjedisë së tyre, Musineja përfundoi edhe vetë në qelitë e burgut të Tiranës, ku qëndroi 17 ditë. Më 23 janar të vitit 1946, u arrestua për së dyti nga të ashtuquajturat Forca të Mbrojtjes së Popullit dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1961, por asnjëherë s’provoi lirinë e vërtetë. Pas burgut përfundoi në internim në Rrëshen, ku deri në fund të jetës jetoi me punë të rëndomtë krahu.

Vdiq në kushte të mjerueshme pas një sëmundjeje të rëndë në vitin 1983. “Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”, shkruante Musineja vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. Dhjetë vite më vonë, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Martir i Demokracisë”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura