Jetimorja/ 12-vjeçarja letër Ramës: Na ndihmoni, ose do të vras veten!

May 25, 2016 | 8:00
SHPËRNDAJE

“Nuk duroj dot më të qëndroj te Shtëpia e Fëmijës dhe do të vras veten!”. Me këtë fjali të rëndë, K.B., vetëm 12 vjeçe, i drejtohet me një letër Kryeministrit Edi Rama pas skandalit të ndodhur. Vajza e mitur letrën që ka shkruar brenda institucionit ia ka dhënë nënës së saj Natasha Bajrami, e cila e bën publike duke treguar situatën e vështirë në të cilën ndodhet vajza e saj bashkë me dy motrat e tjera që janë në atë institucion.

Ambientet e brendshme të Shtëpisë së Fëmijës
Ambientet e brendshme të Shtëpisë së Fëmijës

Natasha, një ditë pasi ndodhi ngjarja e rëndë, shkoi te Shtëpia e Fëmijës për të takuar 3 vajzat e saj dhe u shpreh e shqetësuar, e trembur dhe e tronditur për çfarë kishte dëgjuar. Letra e 12-vjeçares është shkruar më 21 maj dhe është postuar në adresë të kreut të qeverisë. Në letrën e saj, 12- vjeçarja i tregon për familjen e saj me 12 fëmijë dhe faktin që vetë me dy motra më të vogla strehohet në Jetimoren e Shkodrës. Por brenda saj dhuna ka qenë e zakonshme.

“Unë kam vuajtur shumë nga një vajzë e rritur dhe nga disa djem të mëdhenj këtu. Motrat e mia i çonte në një dhomë kjo vajza dhe i rrihte shumë. Unë po e shkruaj këtë letër me sytë me lot. Shela më rrihte mua dhe vajzat e tjera. Ajo merrte shkopin që ishte në raft dhe na rrihte. Shkopi ishte prej hekuri dhe ajo na godiste pa mëshirë. Shela thoshte fjalë të pista me të tjerët më të mëdhenj dhe ajo më detyronte të thosha edhe unë fjalë të pista, por unë nuk pranoja dhe haja dajakun e Shelës”, i shkruan vajza Kryeministrit.

Në letër ajo tregon më tej, duke thënë se ish-drejtoresha Albana Llazani, që u ndalua bashkë me 4 punonjëse të tjera, ka qenë në dijeni të dhunës.

“Kur mami na merrte në shtëpi, ne i tregonim mamit dhe mami shkonte te zyshë Albana, por ajo i thoshte se unë gënjeja dhe nuk merrte fare masa. Mami na ka sjellë nga e keqja sepse s’ka shtëpi dhe është shumë e sëmurë, por mami na thoshte që të duronim deri sa të merrte shtëpinë, por unë nuk duroj dot më. Ju lutem shumë të ndihmoni mamin sepse e kam shumë të sëmurë dhe nuk ka më fuqi për të dalë për të lypur me vëllanë e vogël. Kush është biznesmen, të vendosë dorën në zemër”.

Më përpara, vajza i ka shkruar letra të ndryshme edhe nënës së saj duke i treguar për situatën, por duke i kërkuar që ta marrë nga aty dhe të jetojnë së bashku.

“Pse mami duhet të rrimë te Shtëpia e Fëmijës? Edhe unë jam si të tjerët. Të di se çfarë është familja. Unë atyre s’mund t’i thërras mami e as babi. Dua të jetoj me ty”, i drejtohej vajza e mitur nënës së saj përpara se të ndodhte skandali, letra të cilat i ka bërë të ditura vetë Natasha.

Pjese nga letra e K…për Kryeministrin Rama

“I dashur Kryeministër, unë quhem K.B. Unë jam 12 vjeçe dhe motrat e mia: T.,11 vjeçe dhe L.,7 vjeçe. Unë kam 6 vëllezër dhe 6 motra. Unë kam vuajtur shumë nga një vajzë e rritur dhe nga disa djem të mëdhenj. Motrat e mia i çonte në një dhomë kjo vajza dhe i rrihte shumë. Unë po e shkruaj këtë letër me sytë me lot. Shela më rrihte mua dhe vajzat e tjera.

Ajo merrte shkopin që ishte në raft dhe na rrihte. Shkopi ishte prej hekuri dhe ajo na rrihte pa mëshirë. Shela bënte fjalë të pista me të tjerët më të mëdhenj dhe ajo më detyronte të bëja edhe unë fjalë të pista, por unë nuk pranoja dhe haja dajakun e Shelës. Kur mami na merrte në shtëpi, ne i tregonim mamit dhe mami shkonte te zyshë Albana, por ajo i thoshte se unë gënjeja dhe nuk merrte fare masa.

Shela më merrte mua dhe më çonte në banjë për të bërë fjalë të pista dhe unë nuk pranoja dhe e kisha shumë frikë, prandaj nuk tregoja se kisha shumë frikë. Mami na ka sjellë nga e keqja sepse s’ka shtëpi dhe është shumë e sëmurë, por mami na thoshte që të duronim deri sa të merrte shtëpinë, por unë nuk duroj dot më, ju lutem shumë të na ndihmoni mamin sepse e kam shumë të sëmurë, sepse nuk ka më fuqi për të dalë dhe për të lypur me vëllanë e vogël.

Kush është biznesmen, të vendosë dorën në zemër, ju lutem nëse bëni ndonjë strehim për mamin tim, ju lutem me gjithë shpirt dhe dhimbjen që na kanë shkaktuar Shela bashkë me çunat e mëdhenj. Nëse ju nuk e ndihmoni dot mamin tim, unë do të bëj ndonjë skandal të vras veten time sepse nuk duroj dot vuajtjet që kam ngrënë nga Shela. Unë me sytë duke qarë e kam shkruar këtë letër, ju lutem ndihmojeni mamin tim, ju lutem. Me respekt, me dhimbje dhe shumë dashuri, K.”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura