Letra sekrete e ambasadorit shqiptar në OKB: Kongresmenit DioGuardi ia financoi fushatën vëllai i Xhemës, që njihet si psikopat (fotot)

SHPËRNDAJE

Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1986 ku ambasadori shqiptar në OKB, Bashkim Pitarka, informon eprorët e tij në Ministrinë e Jashtëme lidhur me krerët e mërgatës kosovare në SHBA të inkuadruar në Shoqatën “Jusuf Gërvalla”, të cilët ishin lidhur dhe bashkëpunonin me kongresmenin amerikan me origjinë arbëreshe, DioGuardi, dhe kryetarin e Senatit, Bob Dol, duke zhvilluar protesta e demonstrata në mbrojtje të çështjes së Kosovës.

dioguardi

Raporti i ambasadorit Pitarka: “Shihet qartë se kosovarët këtu, si Gjeto Sinishtaj, Shyqëri Ismailaj, Shaban Gjonbalaj, Gjergj Kalaj e të tjerë, tregohen entuziastë dhe kanë shumë iluzione për kongresmenin DioGuadi dhe senatorin Bob Dol, kërkojnë që këta t’i përkrahin për çështjen e Kosovës, të paraqesin dhe të miratojnë në Kongres e Senat rezoluta lidhur me të drejtat e kosovarëve, që Kosova të fitojë statusin e republikës”

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Politika e egër dhe represive që zbatoi regjimi komunist i Enver Hoxhës me emigrantët kosovarë dhe atyre nga viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi që erdhën në Shqipëri nga viti 1949 e deri në fundin e viteve ’80-të, ku një pjesë e madhe e tyre përfunduan burgjeve politike dhe internime me akuzat e montuara si “agjentë të UDB-së”, duket se nuk kanë qenë gjëra sporadike apo veprime të shkëputura dhe të ndërrmara nga segmente të atij shteti që përbënin dhe anën më të egër të “diktaturës së proletariatit”, siç ishin ato në vartësi të Ministrisë së Brendëshme; Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria, apo dhe Gjykatat. Sjellja e egër dhe pritja brutale që iu rezervua shumë e shumë emigrantëve kosovarë në “atdheun amë”, të cilët “nga shiu ranë në breshër”, padyshim që përbën një nga njollat më të errta në gjithë historinë e shtetit shqiptar të 100 vjetëve të fundit.

Kjo gjë ishte si rezultat i vijës politike që ndiqte ai regjim dhe personalisht Enver Hoxha, ku prapa çdo kosovari që vinte në Shqipëri shikohej një “agjent i UDB-së”, apo faktit tjetër që vëllezërit shqiptarët të anës tjetër të kufirit, propaganda zyrtare i quante; “miqtë nga Kosova”?! Sa më sipër, pra, vija politike që ndiqte Tirana zyrtare ndaj Kosovës dhe kosovarëve, veç të tjerash shihet qartë edhe nga një shënim i Enver Hoxhës mbi një raport-informacion të Ministrit të Brendshëm, Feçor Shehu (dt. 29 korrik 1980), ku midis të tjerash ai shkruan: “Kosovarët të vijnë si turista dhe të bëjnë propagandë të mirë, por sigurisht Sigurimi do ketë telashe, se s’ka pa telashe…”.(Shiko Gazeta TemA, dt. 25 gusht 2018, shkrimi i D.K.) Si për t’ju përgjigjur flakë për flakë porosisë së Enverit për “turistët kosovarë”, (vetëm pak kohë pas korrespodencës së Ministrit të Brendshëm me Enverin), Sigurimi i Shtetit filloj survejimin dhe goditjen ndaj një grupi emigrantësh kosovarë, kryesisht intelektualë, si; Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, (kushërinjë me njëri tjetrin që punonin si arsimtarë në shkolla të mesme të Fush-Krujës, Lezhës dhe Shkodrës) dhe Namik Luca, ing.

Kimist që punonte prej vitesh në Kombinatin Kimiko-Metalurgjik të Laçit. Si përfundim ata u arrestuan dhe pas disa muajsh hetuesie dhe torturash në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës me hetues Nexhat Selimin, u dënuan në vitin 1984, duke u akuzuar se: “Në bashkëpunim me njëri tjetrin, në vitin 1980 kishin dashur t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor të Partisë (Enver Hoxhës), gjatë vizitës që ai do të bënte në përurimin e Muzeut të Skënderbeut në Krujë”.

Si rezultat, në bazë të kësaj akuze ata fillimisht u dënuan me vdekje, “për akte terrorizmi” dhe më pas ajo akuzë e pabazuar nuk u provua dot dhe ata u dënuan për “agjitacion e propaganda” etj dhe u liruan nga burgu vetëm në vitin 1991 me shëmbjen e regjimit komunist. (I akuzuari kryesor, Selim Kelmendi, pedagog i Letërsisë në gjimnazin e Fushë-Krujës, vdiq në rrethana misterioze në Burgun e Burrelit). Të gjitha këto gjëra, ndodhnin pikërisht pas pranverës së vitit 1981, ku rinia kosovare dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën dhe dolën në demostrata masive me parrullën kryesore “Kosova Republikë” dhe kundër politikës së egër e genocidit serbomadh që ndiqte dhe zbatonte Beogradi zyrtar ndaj Krahinës Autonome të Kosovës.

Po të kemi parasysh këtë gjëra që ndodhnin në Shqipëri me emigrantët ksoovarë dhe qëndrimin që mbajti Tirana zyrtare ndaj demonstratave të pranverës së 1981-it, (kujtojmë këtu shkrimet e bujshme në “Zëri i Popullit”, me pasqyrën e shtypit botëror rreth ngjarjeve në Kosovë, shkrimet e korrespodentit gjerman në Kosovë, Viktor Majer etj, programet dhe edicionet e lajmeve në RTSH, serinë me libra “Ç’thonë dhe kërkojën kosovarët”? etj etj,) duket qartë se qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj çështjes së Kosovës, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një qëndrim “sa për sy e faqe” ndaj opinionit publik botëror dhe gjithashtu një qëndrim për konsum të brendshëm.

Pra, thënë më shkurt, Tirana zyrtare ndryshe fliste dhe propagandonte dhe ndryshe vepronte në të vërtetë me çështjen e Kosovës dhe emigranët kosovarë që ndodheshin prej vitesh në Shqipëri, apo edhe më ata që erdhën në Shqipëri në mesin e vitit 1981, pak kohë pas fillimit të demonstratave, të cilët pasi i mbajtën për disa kohë nën survejim te Kulla e Previzit (qëndra e infiltrimit të kosovarëve) në qytetin e Laçit, i kthyen përsëri në Jugosllavi, pasi dyshonte se ishin “agjentë të UDB-së”. Nuk është i pavënd ajo që është thënë nën zë që atëhere (pas demonstrtave të ’81-it) dhe publikisht pas viteve ’90-të, se; Enver Hoxha nuk ka dashur kurrë që Kosova të merrte statusin e Republikës, pasi do kishim dy shtete shqiptare dhe Kosova do bëhej faktor në botën e jashtëme, ndërsa Shqipëria komuniste e tij do vinte gjithnjë duke u zhvlerësuar në sytë dhe politikën ndërkombëtare të Perëndimit. (Kjo vijë politike ndaj Kosovës dhe kosovarëve vazhdoi edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha).

Sa më sipër, në pamje të parë këto gjëra duken të ekzagjeruara apo dhe të stisura, por po të kemi parasysh se si vepronte regjimi komunist i Tiranës (underground) ndaj mërgatës kosovare në SHBA dhe shtete të tjera të Perëndimit, që luftonin me të gjitha mënyrat demokratike në vëndet ku ata ishin për çështjen e Kosovës, do të shohim të tjera gjëra. Kjo gjë, veç të tjerash shihet qartë dhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë shkrim dhe që i përket vitit 1986, ku ambasadorit shqiptar në OKB, Bashkim Pitarka, informon eprorët e tij në Ministrinë e Jashtëme në Tiranë, lidhur me krerët kryesorë të mërgatës kosovare në SHBA të cilët ishin angazhuar dhe zhvillonin aktivitete të ndryshme dhe protesta e demonstrata në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Madje duke angazhuar aty edhe figura të njohura të jetës publike dhe politike të SHBA-së, si kongresmeni Joseph DioGuardi, apo kryetarin e Senatit Bob Dol?! (Në vitin 1996, Robert (Bob) Dole ishte kandidati i Partisë Republikane në zgjedhjet për President të SHBA-së dhe humbi përball kandidaturës së demokratëve, Bill Klinton).

Por siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, çuditërisht, misioni diplomatik shqiptar në OKB, nëpërmjet ambasadorit Bashkim Pitarka, (me origjinë nga Dibra e Madhe dhe i mbështetur e i përkrahur direkt nga Nexhmije Hoxha) i cili, jo vetëm që nuk i mbështeste ata, por përkundrazi, i dekurajonte dhe i pengonte, duke u thënë: “Ju dini çfarë bëni, ju i njihni këta dhe punët tuaja, ne nuk ushqejmë iluzione për kongresmenët dhe senatorët republikanë të Reganit dhe as për ata demokratë. Republikanët janë më reaksionarët e ekstremistët, më antikomunistët kundër qeverive sadopak demokratike që tregohen ato, po punojnë dhe luftojnë të përmbysin qeveri të tilla si ajo e Nikaraguas, nuk përkrahin popujt të tërë që shtypen e persekutohen, siç janë palestinezët, populli i Afrikës së Jugut, i Namibisë, etj, e jo të përkrahin kauzën e drejtë të kosovarëve e shqiptarëve në Jugosllavi, në një kohë që këta mbajnë në këmbë dhe përkrahin me miliarda dollar dhe politikisht regjimin shovinist të Jugosllavisë….?! Për më shumë rreth kësaj e të tjera, na njeh ky dokument arkivor që e publikojmë për herë të parë në këtë shkrim, ekskluziv për gazetën TemA.

(Bashkë me faksimilet përkatëse, po publikojmë edhe një seri fotosh të ish-kongresmenit, Dio Guardi dhe senatorit Bob Dole, ku ata kanë dalë me ish-presidentët e SHBA-ve etj, si dhe misionin shqiptar në OKB të kryesuar nga Bashkim Pitarka, etj)

LETRA E AMBASADORIT SHQIPTAR NE OKB PER MINISTRINE E JASHTEME NE TIRANE

PERMANENT MISSION

OF THE PEOPLE’S SOCIALIST OF ALBANIA

TO THE UNITEDF NATIONS Nju Jork, më 26 qershor 1986

184 LEXINGTON AVENUE

NEË YORK N.Y. 10016

Nr. 109

Ministrisë së Punëve të Jashtëme

(Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare)

T I R A N E

Lënda: Mbi disa qëndrime të kosovarëve këtu

Kohët e fundit vihet re afrim i kosovarëve të Klubit “Jusuf Gërvalla” me kongresmenin republikan Joseph Dio Guardi dhe nëprmjet tij, edhe me kryetarin e Senatit D. Dole.

Kongresmeni Joseph Dio Guardi është me origjinë arbëreshe dhe di e flet pak shqip. Ai thotë se familja e tij ka ardhur në Amerikë nga jugu i Italisë para 200 vjetësh dhe flet me krenari për prejardhjen e tij shqiptare. I pari që e ka njohur atë nga kosovarët është Xhim Xhema. Ky është vëllai i Ramadan Xhemës, i cili njihet nga ne si një njeri psikopat, tip i veçantë që u shkruan letra konfuze Reganit, kongresmenëve e senatorëve, si dhe kryetarëve të shteteve e kryeministrave të vëndeve të ndryshme të botës, lidhur me problemet e Kosovës. Sipas disa kosovarëve, kjo ishte mënyra e lidhjes së midis kongresmenit Joseph Dio Guardi dhe Xhim Xhemës, pra nëpërmjet letrave që shkruante Ramadani e përgjigjieve të kongresmenit. Lidhjet u trashën aq shumë sa puna arriti që Xhim Xhema, për të cilin thonë se është pasuruar këtu, të financojë në fushatën elektorale për kongresmen të Dio Guardit. Ky është kandidat nga distrikti i 20 i Nju Jorkut dhe ka zyrë këtu në Ëashington.

Më 1 prill të këtij viti ai erdhi nga Ëashingtoni për të filluar fushatën elektorale në Nju Jork. Kosovarët e Klubit “Jusuf Gërvalla”, që kishin përgatitur demonstratën për të nesërmen para OKB dhe konsullatës e misionit jugosllav, shkuan dhe e takuan në mbrëmje vonë, i folën për problemet e Kosovës dhe iu lutën që ai të shkonte qoftë dhe për pak kohë në demonstratën e tyre. Kongresmeni premtoi dhe të nesërmen shkoi. Pas fjalimeve që u mbajtën gjatë demonstratës nga kosovarët në bazë të programit, Gjeto Sinishtaj që ishte organizatori kryesor i tha kongresmenit që të thoshte edhe ai disa fjalë. Ky nuk nguroi. Morri mikrofonin dhe, mbasi i përshëndeti në gjuhën shqipe “si jeni motra dhe vëllezër, a jeni mirë, unë jam i lumtur që ndodhem këtu me ju”, vazhdoi në anglisht: “Babai im është nga Shqipëria dhe mbi 200 vjet më parë ai u vendos në Itali.

Do të dëshironte të ishte këtu sot, por nuk mundi sepse është me pushime. Megjithatë unë do e sjell atë këtu midis jush herë tjetër. Unë jam shumë krenar që jam amerikan, por në të njëjtën kohë jam shumë krenar që në trupin tim ka gjak shqiptari”. Dhe më tej vazhdoi: “….disa shokë më kanë treguar se në Jugosllavi janë rreth tre milion shqiptar, të cilët jugosllavët nuk i lënë të lirë siç duhet të jenë, u bëjnë diskriminime ekonomike dhe u mohojnë të drejtat që u takojnë. Ata veprojnë ndaj shqiptarëve njëlloj sikurse Bashkimi Sovjetik ndaj çifutëve, njëlloj si regjimi i Afrikës së Jugut…! Dy javë më parë jugosllavët nxuarrën nga shtëpitë, punët dhe shkollat e tyre mbi 160 shqiptarë dhe i futën në burgje. Një gjë e tillë ndodh në Jugosllavi. Unë e di që shqiptarët sot në Jugosllavi trajtohen si qytetarë të kategorisë së tretë, pas serbëve dhe kroatëve. Të gjitha këto që i bjënë jugosllavët ndaj shqiptarëve ne i konsiderojmë gjenocid”. Në fund ai u tha kosovarëve që sa herë të kënë nëvojë ta kërkojnë dhe ai do të jetë kurdoherë i gatshëm për të dhënë ndihmesën dhe për ta ngritur zërin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi.

Pas kësaj, një grup kosovarësh shkoi në çeljen e fushatën që ai çeli për t’u rizgjedhur kongresmen, në fund të këtij viti, duartrokitën dhe brohoritënm për të pas fjalëve për “lirinë e demokracinë e vërtetë që ekziston në Amerikë për të gjithë dhe jo si në vëndet komuniste”, etj. Në këtë rast kongresmeni përsëri tha disa fjalë për Kosovën dhe kosovarët, për shtypjen që u bën Jugosllavia. Më 22 qershor 1986, kosovarët organizuan një piknik dhe i dërguan përsëri ftesë kongresmenit. Ai u premtoi dhe shkoi për një kohë të shkurtër. U foli përsëri disa fjalë për Kosovën, tha se nga shqiptarët kanë dalë njerëz të mëdhenj si Nënë Tereza, etj dhe u largua. Kishte edhe një gazetar të “Nju Jork Tajmsit”, që e shoqëronte tërë kohën, por që nuk shkruajti asgjë në gazetë nga fjalët që Dio Guardi u tha kosovarëve.

Në një rast tjetër, ky erdhi në Nju Jork bashkë me kryetarin e Senatit, R, Dole. Kosovarët përsëri iu qepën nga pas, u njohën me Dolen, brohoritën për disa fjalëve që edhe ky tha në çelje të fushatës së vet elektorale për në Senat. Pas kësaj, i shkuan këtij në zyrë në Ëashington, mblodhën dhe i dhanë kongresmenit Joseph Dio Guaredi 11.000 dollarë për fushatën elektorale, do mbledhin të holla të tjera etj. Kosovarët në Ëashington i bënë një vizitë në zyrë të Senatit, Dole, dhe hëngrën edhe drekën me të.

Shihet qartë se kosovarët kanë shumë iluzione për këta të dy, për kongresmenin dhe senatorin republikan, kërkojnëe që këta t’i përkrahin për çështjen e Kosovës, të paraqesin dhe të miratojnë në Kongres e Senat rezoluta lidhur me të drejtat e kosovarëve, që Kosova të fitojë statusin e republikës, të dënohet Jugosllavija për shkelje të të drejtave të njeriut, etj. Gjeto Sinishtaj, Shyqëri Ismailaj, Shaban Gjonbalaj, Gjergj Kalaj e të tjerë tregohen entuziastë, thonë se po bën punë shumë të mirë, etj.

Dhe lidhur me sa bëjnë me këta kongresmenë e senator, kosovarët përpiqen të marrin edhe miratimin tonë, ngrejnë lart punën që po bëjnë me ta, na thonë edhe neve se kjo është një gjë shumë e mirë. Bashkëngjitur është dhe një projekt-rezolutë që kongresmeni Jospeh Dio Guardi ka pregatitur për Kosovën dhe ka premtuar se do punojë që ajo të miratohet sa më shpejt në kongres. Në fakt qysh atëhere kanë kaluar dy muaj dhe ajo akoma nuk ka kaluar nbë seancat e kongresit. Gjeto Sinishtaj, i cili fillimisht na tha se rezoluta do miratohej brenda muajit, kohët e fundit na tha rastësisht se kongresmeni e paska dorzuar dhe rezoluta quhet e depozituar dhe pret rradhën.

Nga ana jonë si mission, u kemi shprehur kosovarëve mendime personale, duke u theksuar, ndër të tjera se “ju dini çfarë bëni, ju i njihni këta dhe punët tuaja, ne nuk ushqejmë iluzione për kongresmenët dhe senatorët republikanë të Reganit dhe as për ata demokratë. Republikanët janë më reaksionarët e ekstremistët, më antikomunistët kundër qeverive sadopak demokratike që tregohen ato, po punojnë dhe luftojnë të përmbysin qeveri të tilla si ajo e Nikaraguas, nuk përkrahin popujt të tërë që shtypen e persekutohen, siç janë palestinezët, populli i Afrikës së Jugut, i Namibisë, etj, e jo të përkrahin kauzën e drejtë të kosovarëve e shqiptarëve në Jugosllavi, në një kohë që këta mbajnë në këmbë dhe përkrahin me miliarda dollar dhe politikisht regjimin shovinist të Jugosllavisë….?!

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

LETRA E KONGRESMENIT DIO GUARDI PER SHQIPTARIN XHIM XHEMA

Zotit Xheim Xhema

Post Office Box 623

Rye, Neë York 10580

I dashur Xhim.

Gëzohem sa herë që takohemi së bashku. Më kënaqi vërtet biseda jonë dje. Ju jeni njeri që e mbani fjalën dhe një ndër të paktët që kam njohurt që s’më lënë kurrë në baltë. Ne të dy ngjajmë në mjaft gjëra së bashku dhe më duket se s’është thjesht rastësi ajo që na ofroi në këtë moment të rëndësishëm të jetës sonë.

Mbasi pres të takohem me ju dhe Billin të martën mbrëma te Xhorxhio. Do të më jepet edhe njëhere rasti i mrekullkueshëm të shlodhemi e zbavitemi, si dhe të ëndërrojmë një grimë se ç’mund të bëhet me Shtetet e Bashkuara, në Jugosllavi, madje edhe në Shqipëri. Po jua dërgoj bashkëlidhur një fotokopje të portretit përgatitur kohët e fundit nga Deivid Imerman, i cili ka bërë gjithashtu portretin e Franklin D. Ruzveltit për Shtëpinë e Bardhë. Eshte e një cilësie të mirë, prandaj mund të përgatitet një pllakat me përmasa mesatare ose të mëdha, ndofta për ta përdorur për projektin tonë shqiptar.

Më njoftoni se ç’mendim keni.

Mezi pres të takohemi të martën!

Të fala të përzëmrta,

Xhozef Dio Guardi

Anëtar Kongresi

dioguardi dioguardi-1 dioguardi-2 dioguardi-3 dioguardi-4 dioguardi-5 dioguardi-6 dioguardi-7 dioguardi-8 dioguardi-9 dioguardi-10

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakRrëfimi shokues i ish- agjentit të CIA-s, zbulon dhuratën që i dha Bob Marley-t që e çoi në vdekjen e tij
Artikulli tjetërRishikimi i kufijve, Daçiç e quan triumf: Na ofrohet një mundësi historike, pavarësia e Kosovës...

S'KA KOMENTE

Comments are closed.