LETRA/ Rajmonda Nika: Kam përballë ata që më vranë bashkëshortin tim! Përgjigjet Kukan

Feb 8, 2016 | 7:34
SHPËRNDAJE

Një ditë përpara mbërritjes në Tiranë të eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein, bashkëshortja e Aleks Nikës, njërit prej 4 të vrarëve më 21 Janar 2011, u kërkon të takohen.

1454853808Still0207_00002
Aleks dhe Rajmonda Nika

Gati një vit për takimit me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Rajmonda Nika u shkruan sërish eurodeputetëve Knut Flenkenshtejn dhe Eduard Kukan. E veja e Aleks Nikës, në letrën dërguar dy eurodeputetëve një ditë para mbërritjes në Tiranë shprehet se, kërkon të takohet sërish me ta.

“Me sinqeritet dëshiroj që Ju ta dini se, më shumë se kurrë, me shumë dhimbje, tashmë çështja jonë nuk është një prioritet”, shkruan Rajmonda Nika në letrën e saj që disponon “Top Channel”.

Bashkëshortja e Nikës, që mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011, thekson se, ka përballë jo vetëm ata që i kanë vrarë bashkëshortin por është vënë në pikëpyetje dhe të drejtat themelore të njëriut.

“Këmbëngul gjithnjë t’ju takoj pasi, unë besoj se përveç atyre që më vranë bashkëshortin, jemi përballë një pikëpyetjeje të madhe për demokracinë e vërtetë. Çështjen tonë, unë e shikoj përtej interesave tona familjare dhe timen personale, por si një interes dhe të drejtë fundamentale të të gjithë njerëzve të vendit tim, të cilët duan të jetojnë në një shtet, ku njerëzit nuk vriten sikur të ishin kafshë. E më pas asgjë nuk ndodh. Mbi të gjitha nuk jepet drejtësi”.

Në fund të letrës, Rajmonda shpjegon se, në emër të kujt ajo do ta çojë përpara betejën, që mban emrin “Drejtësi për Aleksin”. “Kanë kaluar 5 vite dhe kërkesa ime, tanimë nuk bëhet për Aleksin që e humba. Por e bëj këtë për vajzat e mia, për të ardhmen e tyre, sepse unë dua që ato të jetojnë në paqe dhe në një vend, ku ka drejtësi”.

Në përgjigjen e tij, eurodeputeti Eduard Kukan thotë: “Siç edhe jeni në dijeni, unë kam bërë gjithnjë thirrje për një investigim të plotë të kësaj ngjarjeje tragjike. Unë, me të vërtetë besoj se drejtësia do të triumfojë në këtë çështje. Po ashtu, me sinqeritet besoj se vajzat tuaja do të ndihen se jetojnë në një vend demokratik dhe me liri, ku drejtësia është në shërbim të qytetarëve”, shprehet Eduard Kukan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura