Letra për Enverin në ’66: Pse duhet të ndalohen dramat e Pëllumb Kullës

Jun 30, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ka ndodhur me Pëllumb Kullën, regjisorin e famshëm të humorit shqiptar, t’i provojë njëherazi gëzimin për suksesin e dramës së parë dhe goditjen e parë si krijues i papërshtatshëm politikisht.

Pëllumb Kulla
Pëllumb Kulla

I laureuar me çmimin e fituesit për dramën më të mirë në konkursin kombëtar të teatrit, regjisori i porsadiplomuar, që tërhoqi vëmendjen e njerëzve të artit për shpërthimin e papritur dhe gjetjet interesante, nuk mund t’i shpëtonte smirës dhe egoizmit të “baballarëve” të teatrit, të cilët s’mund ta përtypnin lehtësisht debutimin e befasishëm të autorit mustaqe padjersitur.

Reagimi i tyre, lënduar tashmë në sedër, s’e kishte të vështirë ta gjente mekanizmin për të zhurmuar jehonën e triumfit të papritur. Kjo falë lidhjeve dhe besnikërisë me autoritetet e regjimit. Në fund të ditës Pëllumb Kulla e shikonte veten sa sfidues dhe i sfiduar.

Madje, sfida këtë radhë kapërcente linjën e artit dhe Pëllumb Kulla sfidohej politikisht. Ndoshta ky fat mund t’i rezervohej më vonë, por ajo dramë e mallkuar u bë shkak që ai pa mbushur 26 vjeç ta shikonte veten në syrin e ciklonit. Çuditërisht Pëllumb Kulla, që i është rikthyer disa herë jetës së tij në diktaturë, nuk e ka përmendur asnjëherë këtë ngjarje të pazakontë. Historia e patreguar i përket vitit të largët 1966, kur regjisori i ri 26-vjeçar bënte sprovën e parë në fushën e artit, duke debutuar për herë të parë në konkursin kombëtar të dramës.

Ishte një sprovë e guximshme për shpatullat e brishtë të autorit, por fatmirësisht rezultoi e suksesshme. Pavarësisht subjektivizmit të kohës, drama e tij “Mbarimi i shkollës, fillimi i shkollës”, u vlerësua me çmim të parë. Madje, autoritetet e fushës rekomanduan teatrin e Korçës, të Durrësit dhe të Vlorës për ta vënë në skenë si një vlerë të veçantë të zhvillimeve kulturore në vend.

Mirëpo jehona e suksesit të papritur s’vazhdoi gjatë. Në vështrimin e njërit prej “kompetentëve” të bazës, drama dhe autori i saj atakonin rëndë filozofinë e regjimit: “Drama me përmbajtjen dekadente e reaksionare dhe autori me biografinë e keqe!”. Kaq mjaftoi që krerët e Komitetit të Partisë së Vlorës nxituan të kalojnë në skaner çdo detaj të dramës problematike dhe historinë e familjes Kulla deri në tre breza.

“Produkti” i përftuar rishtas, jo vetëm provonte katërcipërisht përmbajtjen e sinjaleve të “kompetentit”, por shkonte më tej, me të dhëna befasuese që komprometonin rëndë nomenklaturën që e kishte emëruar autorin regjisor në teatrin e qytetit (!)

Të gjithë këtë histori pastaj titullarët partiakë vendorë ua adresuan krerëve politikë të regjimit, jo thjesht për informim e kompetencë, por për të operuar me shpejtësi në zgjidhjen e çështjes. “Panorama” publikon sot për herë të parë letrën që Sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, Gani Keçi, i drejtonte sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë në dhjetor të vitit 1966, me mbititullin “Mbi çështjen e aktorit Pëllumb Kulla”. Në dokumentin e rezervuar në fondin sekret të arkivit të KQ, bien në sy dy shënime shkruar me dorë që deshifrohen me vështirësi.

Faksimile e letrës që Sekretari i Parë i Vlorës i dërgonte për Komitetin Qendror
Faksimile e letrës që Sekretari i Parë i Vlorës i dërgonte për Komitetin Qendror

I pari, as më pak e as më shumë, me dy fjalë bën me dije se letra “U pa nga shoku Enver”, ndërsa tjetri citon porosinë e radhës “të veprohet shpejt”, pa pikëçuditëse në fund.

Ajo çfarë ka ndodhur pas kësaj nuk ka lënë gjurmë në dokumente, por ka lënë vragë të madhe në jetën dhe karrierën e regjisorit të porsadiplomuar, që pas sprovës së parë në konkursin kombëtar, është thirrur të sprovohet në gjirin e klasës punëtore në guroren e Kaninës! 

Më poshtë zbardhim të plotë tekstin e letërkëmbimit për “Çështjen e aktorit Pëllumb Kulla”…

Lënda: Mbi çështjen e aktorit Pëllumb Kulla

Komitetit Qendror të Partisë

Duam t’ju informojmë për disa veprime të Ministrisë së Arsimit dhe kulturës, të cilat na duken të parregullta. Në konkursin e shkrimeve për theatrot, që u bë në Tiranë, kish paraqitur një dramë edhe aktori Pëllumb Kulla që punon deri tani në theatrin e Vlorës. Kjo dramë, që pa e parë akoma zhurija, pa u përcaktuar fitonjësit, u popullarizua si një nga më të mirat dhe autorin e kanë uruar për këtë që ka bërë.

Pas kësaj ministria e Arsim-Kulturës i rekomandoi që tamam këtë dramë ta vënë në skenë theatrot e Durrësit, Korçës dhe Vlorës. Për mendimin tonë, drama e titulluar “Mbarimi i shkollës, fillimi i shkollës” e shkruar nga Pëllumb Kulla ka shumë të meta, që ne na duken parimore.

fax1

Këto janë:

-Që nga fillimi deri në fund të dramës asgjëkundi nuk del roli udhëheqës i Partisë dhe roli i masave tona punonjëse.

-Rrjedhur nga kjo e metë kryesore del në pah e meta tjetër që problemet shikohen dhe zgjidhen në prizmin e individit.

-Kantieri ku ndërtohet kjo vepër paraqitet në dramë shumë i zymtë, atje sikur nuk ka organizatë partie, organizatë masash, dhe në përgjithësi kolektiv luftarak të udhëhequr nga Partia.

-Në këtë kantier të lihet përshtypja se janë grumbulluar njerëz të pakënaqur, të shtrënguar të venë atje p.sh., një teknik vjen vërdallë me radio në dorë, nuk punon, ëndërron për jetën e rehatshme, ndihmësmjekja ka ardhur atje, sepse ka lindur fëmijë ilegal etj. Figura kryesore e dramës, vajza që mbaroi shkollën, vete në kantier e detyruar dhe qëndron në kantier vetëm sepse pushtohet nga sentimentalizmi, nga dashuria për inxhinierin.

-Me përjashtim të figurës së inxhinierit, figurat e tjera nuk pasqyrojnë jetën e të rinjve tanë në përgjithësi, për mendimin tonë nuk janë këto figurat që përfaqësojnë rininë tonë. Si është e mundur që nga një klasë teknikumi për ndërtim vetëm një vajzë vete në kantier, të tjerat qëndrojnë në qytet?

Përveç këtyre mund të ketë edhe të tjera, prandaj ne nuk lejuam që kjo dramë të vihet në skenën e theatrit të Vlorës, nga sa jemi informuar po kështu kanë vepruar edhe shokët e Durrësit dhe të Korçës. Përveç të metave të dramës, ne jemi nisur nga fakti se autori është me qëndrim shumë të keq politik, bile njeri që mban aktualisht qëndrim të keq politik.

Duke pasë parasysh të gjitha këto, pse shokët e ministrisë mbajnë një qëndrim të këtillë, pse nuk konsultohen me ne, pse i shikojnë akoma problemet thjesht nga ana artistike dhe jo politikisht? Ne kemi dyshimin se mos ky njeri përkrahet nga ndonjë punonjës i ministrisë, sepse edhe futja në konservator e këtij njeriu me qëndrim të keq është me pikëpyetje.

Përveç kësaj ai ditët e fundit është larguar nga Vlora dhe ka vajtur në Tiranë, shokët e ministrisë po përpiqen ta rregullojnë me punë aty. Bashkangjitur ju dërgojmë karakteristikën e tij.

Kaq për dijeni.

Sekretari i Komitetit të Partisë Vlorë

Gani Keçi

PERGATITI: AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura