LETRA/ Masakra komuniste në Lushnje e kryer nga Dushan Mugosha dhe Mehmet Shehu

Oct 21, 2018 | 18:01
SHPËRNDAJE

2290210c2053c61af0d5cf840e9e3bbf_XLNga Kastriot Dervishi

Pas grisjes së marrëveshjes së Mukjes, si dhe pas mbarimit të konferencës së Labinotit në shtator 1943, komunistët nisën zyrtarisht luftën civile. Nën drejtimin e jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, ata shkaktuan vendit një prej tragjedive më të llahtarshme të vërejtura më parë, me pasoja të rënda edhe për unitetin kombëtar. Fill pas Labinotit, vrasjet u bënë dukuri e zakonshme. Sekretari organizativ i PKSH-së, Koçi Xoxe, i shkruante më 3.10.1943, sekretarit të përgjithshëm të partisë Enver Hoxhës ndër të tjera: “Përveç goditjeve që u dhamë (ballistëve-shënim), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”. Lufta ndaj jokomunistëve u bë qëllimi i vërtetë i asaj që duhej të ishte luftë kundër pushtuesit. Më 21 tetor 1943, brigada e parë komuniste, nën drejtimin e Dushan Mugoshës, në Golem të Lushnjës, sulmoi fuqitë balliste të Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Sfirit dhe Hajdar Cakranit. Thuhet se fuqia balliste ishte 400 persona dhe prej tyre u vranë 10-15 veta. Shumë fshatarë u zunë robër. Me urdhrin e Dushan Mugoshës dhe Mehmet Shehut u pushkatuan rreth 80 robër (Mehmet Shehu thotë 60). Këto ballistë ishin nga fshatrat: Remas, Kryekuq, Grabian, Shënkollas, Kalush, Gur, Shënpremte, Sulzotaj, Biçak (prej këtij fshati ishin më pak se 50 të pushkatuar). Nisur nga kjo ngjarje, me anë të një trakti të datës 26 tetor 1943, Balli Kombëtar njoftonte se “vëllavrasja kishte filluar”. Në lidhje me masakrën e Lushnjës, komandanti i brigadës së parë, Mehmet Shehu, informon me një letër të posaçme, kjo e mëposhtmja.

Letra e Mehmet Shehut

Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Kur ishim në Dumre, unë u nisa me 2 batalione të brigadës dhe me 3 mortaja për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirlliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës ballistët ishin në Myzeqe, kështu bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës. Porse para se t’i binim Lushnjës me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirlliu na doli befas nga krahu i djathtë për të marrë krahët neve ndërsa Hamit Matjani mendonte të na merrte krahun e majtë nga Kosova. Neve u detyruam t’u përgjigjemi menjëherë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër, 10-15 të vrarë. Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të batalionit të parë të brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për Brigadë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur. Me të vërtetë që ballit i u dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kam qenë gabuar, kemi ekzekutuar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkatimi i 15-20 ballistëve nga më përgjegjësit. Porse këtë radhë gabimi, faji kryesor është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të 2 anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit për këtë masë të pamasë! Kjo ka rrjedhur edhe nga shkaku se unë isha vetëm dhe shokët e tjerë të shtabit brigadës ishin larg, s’munda të këshillohesha me ta sepse s’premtonte koha. Sikur shtabi i brigadës të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do mbërrinin në ato përfundime. Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do ta zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriakale, prapanike, mesjetare.

Të fala shoqërore

Komandanti i brigadës I

Mehmet Shehu

30.10.1943

Burimi: 55News
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura