Letra e të moshuarës për Ramën: 36 vjet që pres banesën sociale. Enveri vinte kushte se na siguronte punën, ju vini barriera dhe s’keni punë

May 22, 2015 | 16:28
SHPËRNDAJE

Problemet me banesat sociale janë kthyer në një fenomen negativ për kryeqytetin dhe jo vetëm. Shpëndarja e këtyre banesave kanë ngecur prej muajsh, por ka raste që ato kanë mbushur edhe vite të tëra pa iu dorëzuar familjeve përkatëse.

 

Një grua 71-vjeçare, e cila thotë se Bashkia ka 36 vite që nuk e zbaton vendimin e Gjykatës për t’i dhënë një banesë. Ajo i është drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama, i cili e ka adresuar më pas për zgjidhje këtë letër në Bashkinë e Tiranës.
Zonja, e cila është në listën e përfituesve të banesave sociale i kërkon kryeministrit ndihmë që lista të miratohet në Këshillin Bashkiak. Bashkia e Tiranës, nisur nga shqetësimi i kësaj zonje dhe i shumë familjeve të tjera në nevojë që presin një strehë i kërkon kryeministrit të lejojë anëtarët e majtë në Këshillin Bashkiak të miratojnë listën e familjeve që përfitojnë banesa sociale.

Më poshtë, letra e zonjës Sadete Osmani drejtuar kryeministrit dhe që Kryeministria ia ka përcjellë Bashkisë.

I nderuar z. kryeministër z. Edi Rama

I nderuar z. ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës

Unë që po ju shkruaj quhem Sadete Zijaudin Osmani lindur në Vlorë, më 16. 02. 1944 dhe banuese në Tiranë. Iniciativa që mora t’ju shkruaj u bë dita e 5 majit si dita e dëshmorëve të Atdheut e cil amë ngjalli një ndienjë dhimbje dhe revolte karshi qeverisë e cila bën ca homazhe sa për sy e faqe por pa ditur e pa u interesuar se çfarë bëhet me fëmijët (sot të moshuar) që ata lanë pas dhe dhanë jetën për çlirimin e atdheut që Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre të jetonin të lirë e të lumtur në Shqipëri.

Unë jam një nga ata fëmijët (sot 71 vjeç) vajzë e “Dëshmor i Atdheut” se babai im Zijaudin Osmani u internua dhe vdiq i torturuar në kampin e përqëndrimit më të tmerrshëm hitlerjan të Mathauzenit.

Unë dhe ai (babai im) nuk patëm fatin të gëzonim njeri tjetrin siç keni fatin të bëni ju me fëmijët tuaj. Unë nuk do zgjatem me historinë time që kur linda dhe u rrita jetime që është një histori e dhimbshme dhe e mbushur me padrejtësi por do të filloj historinë që nga viti 1980 viti në të cilin u divorcova dhe gjykata më la një dhomë në posedim me gjithë djalin ( që atëherë ishte 1 vjeç dhe sot është 36 vjeç) me të drejtën që komiteti ekzekutiv atëherë (sot Bashkia) të na siguronte banesë (vendimi është në bashki) por siç e shihni problemi im ka mbetur pa zgjidhje deri tani. Pse Bashkia nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës për 36 vjet?

Gjatë 36 viteve janë ndërruar shumë kryetarë bashkie por përgjegjësia bie mbi ju si kryetari i Bashkisë me kohëzgjatjen më të madhe, 11 vjet. E detyruar dhe e lënë në mes të katër rrugëve mora rrugën e emigracionit në Greqi, që nga viti 1997 dhe u detyrova të kthehem bashkë me djalin në 2012 për shkak të krizës greke. Djali akoma edhe sot, që kur është kthyer është pa punë, vetë me pensionin tim rrojmë.

Megjithëse unë jam me vendim gjykate, me kthimin tim nga Greqia, aplikova për banesë sociale, që janë gati këtu e 5 vjet më parë dhe e dimë që kjo është merita jote.

I rinovuam dokumentet siç na u kërkua, u mblodh dhe Komisioni i Strehimit me kryetar të tij F.Pullazi, si socialist dhe mua më doli dhe emir në listat e para të përfituesve në 200 familjet e para, por për çudi Këshilli Bashkiak (të majtët) gjetën pretekstin që të vijnë të gjitha listat për 385 banesat, por Komisioni i cili kryesohet nga socialistët tuaj, sqaroi se nuk i plotësojnë kushtet aplikantët e tjerë.

Por sigurisht, me ato kushte që qeveria ia ka vënë shtresave më të varfra nuk i plotësojnë kushtet dhe kështu sipas logjikës tuaj nuk duhet t’i marrin as ato që përfituan.

Dua t’ju them se, në kohën e Enver Hoxhës, që strehoi gjithë Shqipërinë, ai nuk ju vinte kushte njerëzve, të kesh kaq apo aq të ardhura që të marrësh shtëpi ( që kishte punë në fabrika, në uzina, ndërmarrje e kudo), jo ju që s’keni dhe punë dhe vini dhe kushte.

Në atë kohë të jepej autorizimi për gjithnjë (sigurisht të plotësoje kushtin e pagesës së qerasë sipas ligjit), me një qera të përballueshme për çdo shtresë, që nga pastruesja e deri të Ministri.

Gjithashtu, edhe ata që banonin në shtëpitë e ish-pronarëve edhe pse e fituan të drejtën e pronësisë, qiranë e shtëpive të tyre e përcaktoi shteti me një shumë të përballueshme. Kurse sot vihen njëqind barriera për një apartament, që edhe ai që e ka një punë sot nuk e ka të sigurt nesër dhe vit për vit të vemi te Enti i Banesave për të rinovuar kontratën!

Enti i Banesave nuk voli asnjë lek për 5 vjet, që kur ato banesa mbeten bosh dhe nuk falimentoi. Ai hajduti i “ndershëm” i Bankës së Shqipërisë, që deklaroi se ka vjedhur 7 miliardë lekë dhe nuk falimentoi shteti dhe sa e sa bëma të tjera kanë ndodhur në Shqipëri dhe nuk pësoi gjë Shqipëria.

Vini një qira minimale për ato banesa që i kanë quajtur sociale, sepse vetëm për njerëzit me problem sociale nuk mund të jenë. Më mirë faljani ato shtëpi të varfërve, në qoftë se i keni bërë vërtet për ata, ose…mos ndodhë ndonjë “keqkuptim” si në Fier, që shtëpitë iu ishin dhënë atyre që kishin prona, biznese, të njohurve të Këshillit bashkiak dhe çështja është në Prokurori.

Nuk do zgjatem më, por po ju jap një këshillë si nënë, jeni akoma në kohë që ti jepni një udhëzim z. A. Dalipi, si Kryetar i Këshillit Bashkiak, ose ta mbledhë Këshillin për ato 200 familje që kanë përfituar, ose nëpërmjet tyre të zgjedhë raste ekstremisht të veçanta, si unë që pres prej 36 vjetësh për një banesë me vendim Gjykate, ndonjë të verbër, ndonjë jetim, P.A.K., etj. dhe ti miratojë ato raste dhe ti miratojë ato raste dhe nuk do të ketë gojë njeri të ankohet për ato raste.

Së fundi po e mbyll duke ju vënë në dijeni (që të mos thoni nesër unë nuk di gjë për këtë rast) se, në qoftë se Këshilli Bashkiak nuk mblidhet deri në datën 21 Maj, kur është dhe afati i fundit para zgjedhjeve vendore, qoftë edhe për ato raste të veçanta, unë nuk pres më, nuk kam kohë të pres, jam 71 vjeçe e sëmurë me problem psikologjike, nga kjo dramë e madhe që po përjetojmë padrejtësisht, unë do vete të hap një hyrje dhe do hyj brenda se më takon dhe le të vijë policia të futi në burg, se nuk më mbeti dhe nuk më latë zgjidhje tjetër. Edhe një herë të lutem jepi zgjidhje problemit tim pas 36 vjetësh, ose do ta zgjidh me vetëgjyqësi, i kam marrë parasysh pasojat, se nuk kam ç’të humbas. Pres përgjigje dhe sidomos zgjidhje.


 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura