Letra e Shahinit si letër “divorci” për të rrëmbyer

Jul 22, 2020 | 18:53
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882

NGA LUÇIANO BOÇI

Letra që Ministrja, çuditërisht ende në detyrë, Shahini, ia drejton Rektorit të Universitetit të Tiranës, më shumë se letër serioze e një zyrtari për një çështje ligjore,  ngjason me një letër divorci martesore.

Pala pretenduese “e zhgënjyer” nga një bashkëjetesë, e cila nuk pat asnjë ditë të bardhë, rreshton të gjitha justifikimet e mundshme për të legjitimuar grabitjen me dhunë të “plaçkës” që është pronë e tjetërkujt. Kërkon të legjitimojë rrëmbimin e Universitetit, i cili nuk i takon as Shahinit, as Ramës e as politikës, por i takon akademizmit. Por “shemra” e arsimit nuk pyet. Me babëzinë karakteristike politike dhe me devotshmërinë e profanit dhe të paaftit, ajo kërkon me insistim t’i japë vlerë veprimeve të veta antiligjore, për të siguruar qëllimin politik, pavarësisht mjeteve që përdor.

Në asnjë rresht të letrës Ministrja nuk i referohet Rektorit si autoriteti drejtues, por e cilëson me cëk si z. Koni. A thua kjo të ishte letra e fundit e “dashuri-urrejtjes” dhe jo shkresë zyrtare midis institucioneve për qëllime institucionale. Por serioziteti institucional dhe ligjor në Shqipëri ka kohë që ka vdekur që kur ky vend drejtohet nga ideologjia e kllounizmit pa fre.

Madje siç ndodh rëndom në tilla raste, letra më parë iu dorëzua “gjykatës” mediatiko-publike dhe jo palës së adresuar.

Gjithsesi kjo është ana komike e mënyrës së zgjedhur nga Shahini për të justifikuar veprimet e saj antiligjore në raport me zgjedhjet në Universitete, që përtej komizmit të imponuar nga Ministrja, kanë brenda dramën e vërtetë të botës universitare, të mbjellë prej shtatë vitesh nga një regjim antiakademik dhe antishkencor.

Është e trishtë sot ta shohësh atë botën magjike universitare të kalojë sipër, pa u ndjerë, mbi njohurinë e vet shkencore, e cila i ulëret se mënyra e dhe koha e zgjedhur nga Rama dhe Shahini, për të realizuar këtë proces zgjedhor, në kushtet e përhapjes galopante të pandemisë, rrezikon jetët e tyre.

Është e mjerueshme dhe revoltuese, të shohësh elitën e një shoqërie të kapet prej hunde, prej injorancës politike dhe t’i detyrohen asaj procese zgjedhore parademokratike dhe quasi diktatoriale.

Këtë kërkon të bëjë Rama me Shahinin dhe letra e divorcit e shkruar me urrejtje dhe paaftësi ligjore, duket të jetë etiketa e një procesi zgjedhor made in Rama, në të cilin është parashtruar e volusor nekrologjia e autonomisë universitare dhe e lirisë akademike.

Justifikimet e pretendentes rrëmbyese janë krejt banale dhe parashtrimet e saj nuk kanë as logjikën ligjore dhe as moralin ligjor.

Aktin e marrjes peng dhe rrëmbimit të Universiteteve, ajo kërkon ta realizojë me një skemë tipike zhvatjeje. Kërkon ta realizojë pa dëshmitarë. Pa praninë e studentëve të cilët, ose e kanë mbyllur periudhën mësimore (vitet e fundit, të cilët kanë mbyllur deri në datën 30, të gjithë ciklin e provimeve), ose janë ende në pritje të fillimit në datën 25 gusht (vitet e para dhe të dyta). Dhe pa aktivizimin e një pjesë shumë të mirë të pedagogëve, të cilët në një formë, apo tjetër kanë refuzuar këtë proces. Disa duke mos pranuar të regjistrohen si kandidatë, disa nëpërmjet bojkotit të parashikuar.

Shahini me kapërcimet e saj të zakonshme, në mënyrë krejt absurde, i jep të drejtë vetes t’i atashojë autoritet organeve zgjedhore në universitetin e Tiranës, të cilave u ka mbaruar mandati (KIZ i vjetër).

E ndërsa për Shahinin, rektorët nuk mund ta ushtrojnë mandatin e tyre të mëparshëm për shkak të mbarimit të tij, ato sipas logjikës së saj, mund të zgjidhen nga një autoritet të cilit i ka mbaruar mandati. E tmerrshme të zbulosh se në cilët kufij arrin logjika e ministres.

Dhe nuk mbaron me kaq. Shahini në letrën e saj, me gjenialitetin që e karakterizon, arrin që argumentin kryesor me të cilin u shtynë dy herë zgjedhjet në Universitet dhe që ajo, me shpirt nëpër dhëmbë me zor e pranoi, ta kthejë si argument bazë për zhvillimin e zgjedhjeve. Sipas saj COVID-i i vjeshtës që po vjen, duhet të na gjejë me trupë drejtuese të re, por me njerëz të vjetër, që të shmangim kontaminimin e procesit. Hajt të qeshim se s’qajmë dot, i thonë kësaj.

Ndërsa justifikim-mashtrimi më spektakolar në letrën e saj të divorcit për të grabitur, është ai sipas së cilit, këtë datë zgjedhjesh ia kërkuan me dorë në zemër Rektorët, pedagogët dhe studentët.

Shumë melankolike dhe shumë e ndjerë ministrja në këtë rast, ndërkohë që çdokush e di që nxitimi politik për të kapur universitetet, është një imponim që asaj i vjen nga Rama dhe nga Partia.

Dhe si grabitëse seriale, grabitjen e Universiteteve ajo kërkon ta realizojë me thyerje, duke bërë copë e cikë çdo kornizë ligjore dhe ndalesë kushtetuese.

Letra e divorcit për të grabitur, në fund mbyllet, e perifrazuar, pothuaj si letrat që grabitësit e sendeve të çmuara lejnë shënim për viktimat e tyre:

“Jemi duke humbur zgjedhjet politike prandaj na duhen zgjedhjet universitare! Duke ju falenderuar për mirëkuptimin”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura