Letra e Podrimjes për Agollin: Jemi të pushtuar, më jep Shqipëria azil?

Aug 6, 2018 | 8:54
SHPËRNDAJE

“Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi, ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë … E, unë ku të prehem?”.

Dritero-Agolli

Atdheu është pushtuar dhe Ali Podrimja po ndihej i huaj në dhe të vet. Ku do të prehej? A do t’i jepte azil Shqipëria mëmë?! Ky ishte shqetësimi i poetit në vitin 2003, të cilin e ndan me poetin dhe shkrimtarin shqiptar, Dritëro Agolli.

Ndërsa Kosova zien, vajza e Dritëroit, Elona, publikon një letër të poetit Ali Podrimja, i cili vuante ndarjen e vendit të vet. “E, unë ku të prehem? – një shpirt i shqetësuar poeti atdhedashës, sa herë duhet ta ketë përsëritur këtë pyetje. E kur Kombi është në duart e bajraktarëve, pyetja është e thekshme, e dhimbshme. Me kë mund të ndante këtë shqetësim i madhi Ali Podrimja, përveçse me të ngjashmin dhe “vëllanë” e tij poet dhe atdhetar, Dritëroin”, shkruan Elona Agolli.

Letra është e shkruar me shkrim të shpejtë dore, që dëshmon po aq sa edhe përmbajtja e saj, shpirtin e trazuar të poetit, si kohërat që po kalonte dhe kalon Kosova. Shqetësimin e tij për Kosovën, Podrimja e kishte shprehur kaherë me vargjet e poezisë së tij, madje qysh se ishte fare i ri. “Qaj rrafshi im i dashur, qaj!/Diellin tënd verbuar e kanë tytat/ E vatrat shkimbur deri më një…”, shkruante Podrimja në poemthin lirik, “Hija e tokës”, shkruar në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.

ali_podrimja_533673

Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj., deri në veprën “Lum, lumi”, (1982), kushtuar të birit të ndarë nga jeta, që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi tërë jetën. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë.

Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”, për të vijuar i sigurt krijimtarinë e tij poetike e duke u bërë një nga zërat më të fuqishëm të poezisë shqipe. Podrimja u nda nga jeta në rrethana misterioze në korrik të vitit 2012.

 

LETRA E PODRIMJES 

– I dashur Dritëro , Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën sërbët, në jug maqedonët, në Perêndim malazezët…

Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ? Shqipëria, mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e kombit . Nuk di ç’të bëj ?…

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003 , Ulpianë

letra

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura