Letra e plotë e Doshit për Llallën: Duhet të pyetesh edhe ti, vure në dijeni personin e dyshuar

Mar 13, 2015 | 19:25
SHPËRNDAJE

Deputeti Tom Doshi i është drejtuar me një kërkesë prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku përveç dyshimeve të tij për një proces hetimor të pabesueshëm, i rendit edhe arsyet se përse kërkon një hetim ndërkombëtar.

Tom Doshi duke dale nga Prokuroria

Në shkresën që i është dërguar dy ditë më parë kryeprokurorit Llalla, Doshi shprehet se edhe ai duhet të japë deklarimet e tij lidhur me ngjarjen, pasi është person i vënë në dijeni prej tij. Madje, Doshi nënvizon se, sipas tij, Llalla është edhe i dyshuar për njoftimin e të dyshuarit të ngjarjes, për fakte që vetë ai e kishte vënë në dijeni më parë. Kjo sipas tij e bën edhe më të pabesueshëm procesin.

Më pas, Doshi i përmend dy raste konkrete, atë të vrasjes së deputetit Azem Hajdari dhe çështjen e 21 janarit, ku janë përfshirë prokurorë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Më poshtë kërkesa e plotë e deputetit Tom Doshi, drejtuar kryeprokurorit Llalla.

Kërkesë, drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla

Kërkues: Tom Doshi, i biri i Gjekë lindur më 6 qershor 1966, në Shkodër dhe banues në Tiranë, në rrugën “Qemal Stafa”. Baza ligjore: Neni 110, Kodi i Procedurës Penale

I Nderuar zoti Prokuror i Përgjithshëm,
Siç dihet së fundi, Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazë të Urdhrit Tuaj ka nisur hetimin kryesisht mbi deklarimet e mia se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj meje dhe një tjetër deputeti, disa muaj më parë, të porositura nga Z. llir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Hetimi i kësaj çështjeje po vijon intensivisht dhe konstatohet lehtësisht se publiku njihet online pothuajse me çdo detaj të veprimtarisë hetimore.

Në këtë çështje janë pyetur edhe funksionarët më të lartë të vendit, të cilët janë të përfshirë në çështje si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, përveç dyshimeve të konkretizuara prej meje.

Po ashtu, së paku në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, është e domosdoshme që të pyetet edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, si dhe Ju që jeni Prokuror i Përgjithshëm.

Për sa më sipër, duke qenë se në çështje (në cilësitë e sipërpërmendura) janë të përfshirë aktorët kryesorë politikë, vendimmarrës në vend dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, si dhe Prokurori i Përgjithshëm, i denoncuari prej meje si porositës i vrasjes është funksionari më i lartë i Shtetit pas Presidentit të Republikës.

Atëherë është më se e kuptueshme që çdo konkluzion i këtyre hetimeve do jetë në mënyrë të bazuar i pabesueshëm, pasi çdokujt i shkon ndërmend që krerët më të lartë të Legjislativit dhe Ekzekutivit ushtrojnë trysninë e nevojshme për të diktuar rezultatin e hetimeve, siç edhe kanë vepruar deri më tani (janë të njohura intervistat, deklaratat e prononcimet zyrtare të tyre në lidhje me këtë ngjarje se sipas tyre gjithçka është trill!)

Pabesueshmëria e procesit gjithashtu është e dukshme edhe nga takimet e bëra publike të tyre me Ju në Kryeministri. Përveç kësaj, hetimi i kësaj çështjeje nga vartësit e drejtuesit e Prokurorisë për Krime të Rënda (deri para disa ditësh) është tjetër detaj që minon besueshmërinë e procesit në sy të publikut dhe timen veçanërisht.

Gjithashtu edhe qenia Juaj në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që si edhe drejtuesit e lartë politikë të vendit jeni person që ka dijeni për rrethanat e hetimit (e madje, sipas meje, edhe i dyshuar që keni bërë me dije të dyshuarin për detaje të ngjarjes që ju kam pasë bërë me dijeni) edhe si element i vetëm dhe e bën procesin të pabesueshëm.

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Është e gjithëpranuar, sipas edhe standardeve ndërkombëtare, se drejtësia është edhe perceptim. Si e tillë, në çështjen konkrete, çdokush nuk e percepton si drejtësi çdo lloj vendimi të marrë nga prokurorët tanë në kushtet kur çështja ka lidhje dhe interesa me drejtuesit më të lartë politikë të vendit.

Për sa më sipër, sugjeroj e kërkoj që në hetimin e çështjes të përfshihen prokurorë dhe ekspertë ndërkombëtarë (me dijeni të posaçme), të cilët do jenë garanci për besueshmërinë e konkluzionit të hetimeve. Për këtë zgjidhje në vendin tonë ka pasur raste që gjithsesi kanë rezultuar shumë efikase. Sjell si shembull: hetimin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari apo dhe hetimin e çështjes së 21 janarit.

Po ashtu, kjo zgjidhje (duke përfshirë edhe prokurorë dhe ekspertë ndërkombëtarë) diktohet edhe në interpretim të nenit 26 dhe 17 të Kodit të Procedurës Penale, pasi duke qenë se organi i Prokurorisë është i centralizuar me Prokurorin e Përgjithshëm në krye të saj, ky i fundit ka shfaqur qoftë edhe me mosveprim mendim mbi objektin e procedimit dhe organi i Prokurorisë ka arsye të rëndësishme njëanshmërie.

Me respekt, Tom Doshi.
Tiranë, më 11.03.2015

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura