Letra e Nako Spirut në nëntor ’44, padit Enverin te komunistët jugosllavë

Nov 21, 2015 | 10:38
SHPËRNDAJE

Libri i Dizdareviçit është i mbushur me dokumente autentike të luftës, me shënime biografike të pafund emrash, sidomos të drejtuesve apo personaliteteve komuniste shqiptare të gjatë e të Pasluftës. Enver Hoxha, Panajot Plaku, Nako Spiru, Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Beqir Balluku, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Liri Gega, Hysni Kapo, Koço Tashko, Medar Shtylla, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Sejfulla Malishova, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Alqi Kondi, Qemal Stafa, Nesti Kerenxhi, Mestan Ujaniku, Dali Ndreu, Sadik Premte, Anastas Lulo.

Tiranë 1944. Kur Ushtria e Kuqe ishte gjithçka edhe për Jugosllavinë. Nga e majta: Velimir Stojniç, majori sovjetik Ivanov, Branko Çopiç, Vojo Todoroviç, Nijaz Dizdareviç.
Tiranë 1944. Kur Ushtria e Kuqe ishte gjithçka edhe për Jugosllavinë. Nga e majta: Velimir Stojniç, majori sovjetik Ivanov, Branko Çopiç, Vojo Todoroviç, Nijaz Dizdareviç.

Pa shkuar te personazhe të tjerë, shqiptarë të të dy krahëve e politikanëve të kohës dhe sa e sa personaliteteve të Partisë Komuniste Jugosllave.

Natyrisht nuk mund të them se për këtë libër heshtet prej historianëve të njëanshëm për këto pak radhë të njohura që portretizojnë Enver Hoxhën prej Nako Spirut, e që Dizdareviç ka cituar në librin e tij marrë prej librit të njohur të Vladimir Dedijerit “Jugoslovensko-albanski odnosi”.

E gjejmë edhe në faqen 201 të librit “Albanski Dnevnik”, si dokumenti nr. 11 dhe fjalë për fjalë është kjo:

BESNIK DIZDARI

Vijon nga numri i kaluar

TË DHËNA TË SHKURTRA BIOGRAFIKE PËR ENVER HOXHËN TË SHKRUARA NGA NAKO SPIRU, PËR NIJAZ DIZDAREVIÇ

“Intelekt mesatar. Në shkollë, jashtë vendit dhe si profesor, përsëri mediokritet. Gjatë gjithë kësaj kohe (para themelimit të Partisë) jetë jo shumë e rregulluar. Në Parti sektar. Tani dëshiron të jetë i respektuar. Po krijon rreth vetes klikën. Kërkon që në çdo gjë të jetë shef dhe të përqendrojë gjithçka rreth vetes. Dëshiron që të gjithë rreth tij të jenë më të vegjël se një kokërr. Ka kompleksin e spikatur të rëndësisë më të pakët. S’ka asnjë aftësi udhëheqësi. I lindur për çdo iniciativë. Nga një familje me pronë të hollë. Kohët e fundit edhe me kushte jo fort të mira ekonomike. Në popull është i panjohur, ndërsa aty ku e njohin nuk gëzon reputacion. Partia me të gjitha forcat e popullarizon. Në këtë mënyrë fillon të bëhet i njohur. Kurse populli s’është shumë i bindur për aftësitë e tij”. (Nga Libri i Vladimir Dedijerit “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare”, Borba Beograd, 1949, faqe 229).

 

Srdjan Dizdareviç, i biri i Nijaz Dizdareviçit, një prej të dërguarve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në hqipëri në vitet e Luftës
Srdjan Dizdareviç, i biri i Nijaz Dizdareviçit, një prej të dërguarve të Partisë Komuniste të
Jugosllavisë në hqipëri në vitet e Luftës

 

 

 

 

 

 

 

 LETRA “E SINQERTË” E NAKO SPIRUT

Dizdareviç e boton këtë portretizim të Hoxhës simbas Dedijerit, por nuk nguron t’i vërë pranë këtë shënim të një objektiviteti të tij prej historiani, apo një dyshuesi ndaj saktësisë apo të pasaktësisë. Them se kështu kemi të bëjmë me synim saktësinë e një historiani. Shënon Dizdareviç aty: “Këto të dhëna biografike, para së gjithash karakteristikat e Enver Hoxhës, Nako Spiru i shkroi në kohën dhe kontekstin e aksionit të Beratit për zëvendësimin e Enver Hoxhës. (Për këtë ngjarje shkruaj në hyrje). Kështu që edhe karakteristika e dhënë është jo vetëm e njëanshme, por dhe tendencioze” (Shënim i autorit). Kur shkruan kështu, Nijaz Dizdareviç e ndien se karakteristika e Spirut për Hoxhën kërkon të jetë asgjësuese. Fundi tragjik i të parit dihet. Do të vononte katër vjet, çka duhet të ketë qenë shumë për ta duruar i dyti. Revolucioni, dihet, han bijtë e vet. Personazhi historik me emrin Milovan Gjilas, nisur edhe prej pësimit të tij, i ka qitë fundin kësaj divize në një botim të rrallë të tij, faqe krejt të panjohura ndër ne, që besoj se për çka ka shkruar ai për Shqipërinë, do t’ia vlente t’i botonim në rubrikën e Dossier-ëve të “Panoramës”…

Dhe ajo që përbën risi, madje të madhe, është letra që publikon anastatikisht Nijaz Dizdareviçi, në librin e tij, dërguar nga Nako Spiru, Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë Komuniste të Jugosllavisë, jo në ditët e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare më 1941, por në nëntorin e vitit 1944, vetëm 17 ditë para Çlirimit. E kam thënë dhe e përsëris se është sensacionale. Askush nuk e përmend këtë letër, edhe pse autori i këtushëm e ka botuar një herë në gazetën “Tema” të Tiranës më 2003! Po Enver Hoxha a ka dijeni edhe për këtë letër të Nako Spirut? Dhe them se e ka ditur, teksa tash kur rilexoj mbas kaq vitesh “Titistët”, duket se diçka ai di, përderisa te “Titistët” shkruan pa mëshirë për Spirun, kur thotë: “Nako Spiru gjatë gjithë kohës së debatit ishte tepër i angazhuar. Shkruante në një bllok me shpejtësi kushedi çfarë. Më pas do të merrja vesh se mbante shënime të hollësishme nga mbledhjet tona, për t’ia dorëzuar në italisht mikut të tij, Dizdareviçit.

U bë kjo një “detyrë” e përhershme e Nakos që atëherë, dhe s’e mora vesh se si u ligjësua e bëhej hapur edhe në sytë tanë”. (Në të vërtetë poligloti Nijaz Dizdareviç, gjimnazist, mandej nxënës i Medrezes së famshme të Sarajevës, diplomant i Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Beogradit (filologji orientale) dinte edhe shqip, të cilën kur kishte ardhur në Shqipëri kishte arritur ta mësonte në kohë rekord). Kjo thënie apo përcaktim i Enver Hoxhës datuar 1982, sot, teksa kemi letrën e Nako Spirut, na shfaqet e bujshme po aq dhe misterioze… Nëse për këtë Hoxha nuk ka ditur ende as më 1982-shin, mendja ta do se do të ketë dyshuar fort. Edhe pse deri në këtë 1982-sh, ne kishim Kombinatin e Drurit “Nako Spiru”, këndin sportiv të Durrësit “Nako Spiru”, shkollën “Nako Spiru” po në Durrës, papritmas brenda një dite të vitit 1981 a 82, emërtimet ranë. Nuk e harroj një ditë, kur si gazetar i së përditshmes “Bashkimi”, ndërsa po më vinte mbarë, kisha cituar Këndin sportiv të Durrësit “Nako Spiru” – arenë e paharrueshme e veprimtarive dramatike për historinë e sportit tonë, kur po kryeredaktori im i nderuar, Hamit Boriçi, ma heq këtë emërtim me mirësjelljen e tij shembullore, teksa mandej më tregonte se si krejt papritmas, nuk mund të botohej as studimi i tij mbi publicistikën e Nako Spirut. Gjithçka të dukej si përmbysje e historisë së deriatditëshme. Nuk ishte kështu. Në mbrëmje dëgjoja Radio Beogradin në shqip, që nuk pushonte gati përnatë të lexonte e të shpaloste dokumentet e veta…

Për një çast, të duket se veprimtaria e të dërguarve të Titos te komunistët shqiptarë gjatë themelimit të Partisë Komuniste dhe kohës së Luftës, përmbyllet me botimin mbas gati 45 vjetëve (1988) të librit të Nijaz Dizdareviçit “Albanskij Dnevnik”. Letra e Nako Spirut dërguar Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë Komuniste të Jugosllavisë (SKOJ – Savez Komunisti?ke Omladine Jugoslavije) 16-17 ditë para 28 apo 29 Nëntorit 1944, saktësisht më 12 nëntor 1944, që është shkruar rrjedhshëm në italisht, them se hyn në këtë përmbysje. Ajo ka një rëndësi të madhe, sepse në ato dy faqe të saj kupton jo pak për Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe në të vërtetë, vetvetiu Nako Spiru çmitizon jo pak prej zhvillimit të saj. Nga ana tjetër, letra e tij, si një nga udhëheqësit e kësaj lufte, tregon qartë nënshtrimin e padiskutueshëm të kësaj lëvizjeje ndaj Partisë Komuniste të Jugosllavisë, prej së cilës jo vetëm që merrte frymëzimin, por të gjitha metodat organizative, madje deri në një nënshtrim jo të pakët, prej të cilit nuk shpëton as Nako Spiru. Ai e quan për detyrë të informojë deri në hollësi jugosllavët, madje t’u raportojë dhe mbi të gjitha të demonstrojë një besim gati qorr për përvojën jugosllave, pa të cilën aksioni shqiptar i Partisë Komuniste për çlirimin e vendit nuk mund të bëjë. Sigurisht, kjo nuk përbën një befasi. Nako Spiru, të paktën deri në këtë nëntor 1944, është gjithashtu njëri nga të nënshtruarit dhe besnikët e Partisë Komuniste Jugosllave, parti tek e cila, ashtu si dhe të gjithë krerët komunistë të Shqipërisë, edhe ai sheh shpëtimin, përvojën, bindjen, miqësinë, besnikërinë, mbivlerësimin. Leximi i letrës së tij del e tepron për t’i kuptuar menjëherë të gjitha këto.

Befasia është se në këtë letër, thuajse paditëse për të tijtë, të Nako Spirut, dalin disa të vërteta jo fort të njohura për luftën që udhëhiqte Partia Komuniste Shqiptare, një veprimtari e cila nga një pjesë e shkruesve “fanatikë” vazhdon të jepet krejt rozë dhe e panjollë. Siç kam shkruar me kohë, gjëja e parë befasuese është “anagrafike”: Spiru thotë se Partia është krijuar në tetor 1941, e nuk e di nëse kjo vjen prej ndonjë spostimi të stilit të kalendarit. Mundet. Nako Spiru flet për “qindra ndryshime në linjë organizative, ndryshime që kanë qenë pengesa në punën tonë”, çka simbas tij e kishte kthyer organizatën e Rinisë Komuniste në “një shtojcë të partisë, e destinuar të atrofizohet, çka objektivisht e pengonte për të ushtruar funksionet dhe detyrat e saj të vërteta”. Duket se Nako Spiru nuk është një i bindur i Miladin Popoviçit, kur shkruan se “justifikimet e sjellura më mbas nga Miladini, kanë rezultuar pa asnjë bazë serioze”. Ai pohon qartë përhapjen dhe ndikimin e pakët të Partisë dhe Rinisë Komuniste në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore, duke evidentuar ndoshta dhe njëfarë sektarizmi a lokalizmi në vetë veprimtarinë e Organizatës së Rinisë Komuniste, kur shkruan se “organizata jonë kufizohej vetëm në qytete”.

Ai shton se “edhe tani ne nuk kemi organizime të forta midis masës së të rinjve fshatarë dhe në Shqipërinë Qendrore dhe Veriore jemi vetëm në hapat e parë”. Dhe të mos harrojmë: flitet për “mbetje në hapat e parë”, kur jemi në nëntor 1944! Nako Spiru pohon pa dhimbje se Organizata e Rinisë në radhët e ushtrisë partizane nuk ka peshë. Pohimi tij më nxit të përsëris se trondit deri diku, atë çka është thënë deri më sot. Spiru e pohon qartë këtë kur shkruan: “Organizatat tona atje nuk janë ende solide dhe deri para pak, Komiteti ynë Qendror (i Rinisë) nuk arrinte të jepte as më të voglën ndihmë, sepse këta ishin punë të Shtatmadhorisë” dhe se “lidhjet nuk kanë qenë kurrë të mundshme dhe kështu ne jemi gjendur jashtë ushtrisë”.

Autori i letrës raporton, tregon, padit madje te drejtimi i komunistëve të Jugosllavisë, se të gjitha “këto dhe situata të tjera anormale, për ç’shkak ne u gjendëm përballë mungesës së një perspektive, e kanë penguar organizatën tonë të gjendet e fortë në krye të situatës, duke e lënë atë disa hapa mbrapa zhvillimit të madh që po merrte lufta jonë e çlirimit kombëtar”. Dhe më mbas, krejt ashpër, ai shton: “Ne akoma nuk ia kemi arritur ta ngremë mirë në këmbë Bashkimin e Rinisë Antifashiste”. Dhe kur vjen puna për të evidentuar pjesën e mirë të punës së Rinisë Antifashiste për luftën, gjithçka ai ia atribuon përvojës jugosllave, sidomos “ardhjes së Dizdarit”, siç shkruan, duke përfunduar me një ditiramb të kësaj përvoje jugosllave tek përfundon: “Përvoja juaj, ndihma e shokut Dizdar, kanë qenë për ne tejet efikase. Por janë të domosdoshme kontakte edhe më të shpeshta dhe më të vazhdueshme”. Apo dhe: “Organizata juaj dhe puna juaj rritet e zhvillohet nga dita në ditë. Për ne është e domosdoshme t’i shohim dhe t’i kuptojmë arritjet tuaja, proceset tuaja”.

TË REJAT E HISTORISË DETYRIMISHT TË RISHKRUAR

Letra e Nako Spirut përbën një dokument që nxit reflektime të reja për Lëvizjen Komuniste Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbi të gjitha, ajo çka kuptohet qartë prej saj, është spikatja deri diku e një vije ndarëse midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Rinisë Antifashiste Shqiptare (ndonëse ajo ishte një shtojcë e partisë, në fund të fundit), madje deri diku dhe fillimi i një lufte për primat udhëheqës, për merita, pengesa të së parës ndaj rritjes së autoritetit të së dytës, shenjat e para të monopolit të krerëve të partisë me në krye Enver Hoxhën, luftën për pushtet brenda partisë, që nis qysh pa u çliruar Shqipëria. Vitet më mbas do ta vërtetonin një gjë të tillë, kur kujton se nga personalitetet e Rinisë Antifashiste Shqiptare apo të BRASH-it të famshëm, do të dilnin dhe një pjesë dërmuese e “armiqve të popullit” të mbasluftës, madje deri në vitet ’70-’80, të ruajtur gjithmonë si një rezervë e përhershme armiqsh, që duhej të ishin të gatshëm për të dalë përmes fabrikës së krimit në çdo periudhë “kritike”. Letra e Nako Spirut, në fund të fundit, të bën të meditosh thellë, që midis pasionit, atdhetarisë, trimërisë së rinisë shqiptare në luftë për çlirimin e vendit dhe ambicies së udhëheqjes së partisë apo të Shtatmadhorisë, siç shkruan Spiru, shihet më e pakta largësia midis sinqeritetit atdhetar dhe luftës për pushtetin që po vinte, aq karakteristik për regjimet staliniste. Ndërsa për ne, më fort për brezin e ri të Shqipërisë, për të cilin historia thuajse ka heshtur, është e rëndësishme që të dijë, vetëm të dijë të vërtetat e këtij vendi ende “misterioz”, që quhet Shqipëri. Letra e Nako Spirut është një dokument tejet i rëndësishëm.

Dhe po e ribotojmë mbas 12 vjetëve, jo vetëm për ta njohur fëmijët e vitit 2003 që sot janë burra 20 e sa vjeçarë, por për të kujtuar se ende “misteret” e Luftës Nacionalçlirimtare nuk janë shpalosur për së mbari plotësisht në Shqipëri. Ngaqë dikujt i intereson të mos shpalosen, teksa sheh se si manipulohen ende ata, se si Shqipëria ende nuk ia ka arritur të njihet as në sasi, as në cilësi edhe me Arkivin e Jugosllavisë për marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri, gjatë luftës dhe deri më 1948-n. Kushedi se çka del! Jo për t’i marrë kapital, se me siguri ashtu si dhe libri i Nijaz Dizdareviçit, nuk mund të shpëtojnë prej njëanshmërisë, por të paktën për të ballafaquar. E mandej për t’u vërtetuar prej historianit të zot e të ndershëm. Megjithatë, në ndonjë botim të kohëve të fundit, diçka për mirë vërehet. Në bibliografinë gjithnjë e më shumë po citohen vepra historike e dokumente historike të regjimit që shkoi, i cili ka rrejtë sa ka mundë. Sigurisht pa “guxuar” të merren gjatë me gjëra të tilla si kjo e Nako Spirut apo dhe me vetë librin me plot dokumente të Nijaz Dizdareviçit, pa dashur assesi t’i quajmë të pakritikueshme, pra. Por nxitëse diskutimesh, shtjellimesh e rishkrimesh, me siguri që janë. Meditimi i fillimit për hotel “Dajtin” përmes kalimit të asaj mbrëmjeje vjeshte të Tiranës së bashku me djalin e Nijaz Dizdareviçit, Srdjanin, mund të vijë edhe si mbyllje e kësaj eseje historike të një gazetari, pra jo të një historiani. Duke shpresuar se më në fund edhe historianët politikë të njëanshëm do të ndryshojnë. Dhe as këtë nuk e them për kapital. Sepse absoluten e së vërtetës nuk mund ta ketë një njeri i vetëm. Puna është që të mbërrijmë te dokumenti më i vërtetë.

Tek e vërteta pra. Tek ajo që kërkon të të bindë, teksa e sjell në parathënien e librit të Nijaz Dizdareviçit, qoftë dhe një tjetër “armik i Shqipërisë” së asokohe, Velimir Stojniç, kur thotë: “Istinu i nista drugo istine” – “Të vërtetën dhe asgjë tjetër përveçse të vërtetës”. Natyrisht nëse edhe Stojniçi e thotë me sinqeritetin që mbart e vërteta. E, edhe kjo mbetet për t’u provuar… Autori italian Alessandro Zanella është një avokat nga profesioni, por i dhënë fort edhe mbas historisë. Ai ka shkruar librin e mrekullueshëm “L’ora di Dongo”, kushtuar ditëve të fundit të Musolinit, që sot është një bestseller i llojit, sfidë ndaj historianëve, fryt i përshkimit të 40.000 titujve, duke i bërë një revizionim sa e sa versioneve të derisotme për fatet tragjike të prillit 1945, siç shkruan botuesi i tij. Ndoshta ia vlen të hiqet sadopak monopoli i katedrave të historisë. Sidomos të katedrave të vendeve ish-komuniste. Sundimin e së vërtetës nuk mund ta ketë një njeri i vetëm. Puna është të mbërrijmë te dokumenti. Bie fjala, dokument është edhe ai që na tregon se Enver Hoxha me shokë e dekoruan Nijaz Dizdareviçin me dekoratën e lartë të “Yllit Partizan”. Këtu dekorata është dokument e mbi dokument që tregon se sa fort e kanë dashtë udhëheqësit e asokohe komunistë të Shqipërisë, qoftë dhe një Nijaz Dizdareviç. Kë- sisoj, jo vetëm Nako Spiru, të cilin e akuzojnë për “eminence gri” apo “filoNijaz”. Autorit të këtushëm, géni i gazetarit e nxit që të shkojë përherë tek e vërteta.

Sidomos sot, kur nuk ka më pengesë që të hapen dyert e së vërtetës (veç nëse nuk don që t’i hapësh). Si në këto radhë të një shkrimi me titullin e kësaj ortografie: “Kontributi i Ushtëris Nac.Çl, në luftën e madhe të çlirimit”, botuar në faqen 6 të gazetës “Luftëtari” të Ushtrisë Popullore, më 1 dhjetor 1945. Shkruan fjalë për fjalë gazeta “Luftëtari”: “Nuk mund të themi se shifrat e poshtme janë të plota e të sakta: por sido qoftë na japin një farë ideje të përpjekjes së madhe e të sakrificave të dhimbëshme që bëri populli për të fituar lirinë si dhe kontributin e çmuar që dha ushtrija e tij për kauzën antifashiste. Humbjet t’ona: Të vrarë 5082. Të plagosur 9618” (Vazhdojnë të dhënat e tjera për pësimet e armikut, etj). Kështu pra, për ne, më fort për brezin e ri të Shqipërisë, për të cilin historia thuajse ka heshtur, është e rëndësishme që të dijë, të dijë, vetëm të dijë të vërtetat e këtij vendi ende “misterioz”, që quhet Shqipëri. Pa dashur assesi t’i quajmë absolute e të pakundërshtueshme, qoftë dhe në vetë vërtetësinë apo pavërtetësinë e tyre. Puna është të bëhet histori. Sepse “Historia është dëshmitare e kohëve, dritë e së vërtetës, jetë e kujtesës, mësuese e jetës” (Ciceroni). No comment për më tej. Sa shumë që ka ende për të zbuluar, vërtet! Sidomos te ne, shqiptarët. A edhe sivjet do të merremi me 28 apo 29 Nëntorin?..

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura