Letra e ministreve për Holandën, pas kishës katolike reagon edhe myftiu i Tiranës: Evropa nuk ka vënë kusht familjen. Duhet luftë ndaj korrupsionit

Oct 9, 2019 | 22:02
SHPËRNDAJE

Pas Kishës Katolike, edhe myftiu i Tiranës, Lauren Luli reagon ndaj letrës së tetë ministreve të qeverisë Rama drejtuar Holandës ku vlerësohet aborti dhe martesat midis çifteve të të njëjtit seks.

lauren-luli

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Muftiu theksoi se Evropa nuk ka vënë kushte të tilla për hapjen e negociatave.

“Evropa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Evropës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato”, shkruan ai.

Myftiu thekson se numri i aborteve në Shqipëri për vitin 2018 ishte mbi 5 mijë, duke e konsideruar një krim.

Postimi i plotë i Myftiut të Tiranës:

Profeti Muhamed a.s në Hutben e Lamtumirës na le amanet familjen:

“Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e perso­nalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.

Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Zotit.”

Të dashur vëllezër dhe motra, qytetarë të thjeshtë dhe ata me përgjegjësi publike, rruga e Shqipërisë është Europa, nuk ka asnjë diskutim dhe mëdyshje për këtë!

Vonesat drejt kësaj rruge nuk janë përgjegjësi e popullit, por e atyre që kanë marrë përgjegjësi publike për të çuar në destinacion këtë mision.

Europa është qytetërimi i vlerave, shtetit të së drejtës dhe lirisë!

Europa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Europës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato.

Njerëzit me përgjegjësi publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm në komunikimin e tyre me Europën dhe shtete të veçanta të saj. Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishte mbi 5-mijë. Ky është një krim!

Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare.

Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, për t’u integruar në Evropë.

Shqipërisë i duhet të luftojë me padrejtësinë, korrupsionin, si dhe të ndërtojë shtetin e së drejtës!

Myftiu i Tiranës,

Lauren LULI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura