Letra e ministres Denaj për tatimet: Të lehtësohen bizneset e prekura nga tërmeti

| 7:53
SHPËRNDAJE

Në një letër që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ka dërguar Tatimeve në fund të dhjetorit ajo ka kërkuar që Administrata Tatimore në rajonet e prekura nga tërmeti të jetë e fokusuar në mbështetje të bizneseve të dëmtuara, me qëllim krijimin e të gjitha lehtësive dhe mbështetjeve që lejojnë dispozitat ligjore  në fuqi.denaj w2

Denaj u ka kërkuar tatimeve të evidentojnë të gjitha kategoritë e  bizneseve të dëmtuara nga tërmeti në territorin dhe zonat ku është shpallur gjendja e emergjencës dhe evidentimin, llogaritjen dhe njohjen e dëmeve në aktive afatgjata (ndërtesa/makineri).

Në letër Denaj thotë se Shpenzimet e biznesit për rikuperimin e dëmeve të tërmetit në vendet e shkatërruara të Biznesit, do të jenë shpenzime të njohura biznesi (neni 20 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat) pasi ato i shërbejnë vazhdimësisë së veprimtarisë dhe prodhimit të fitimit në periudhat e ardhshme.

Shpenzimet e rikontruksionit/rindërtimit të objekteve të dëmtuara do të jenë shpenzime të njohura biznesi qoftë si shpenzim amortizimi kur ato janë mbi 15 % e vlerës së aktivit (shkronja “b” paragrafi “1” neni 21 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat), qoftë si shpenzime korente kur janë më pak se 15 % e vlerë së aktivit.

Evidentimi, llogaritja dhe njohja e dëmeve në aktive qarkulluese

Do të njihen si shpenzime të zbritshme vlera kontabël e mallrave që janë dëmtuar/shkatërruar dhe janë të papërdorshme, për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”. Në  Udhëzimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, krahas dispozitave për nxjerrjet jashtë përdorimit të mallrave të dëmtuara, do të detajohen procedura që do zbatohen në këto raste fatkeqësish.

Heqja e penaliteteve për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore

Për të gjithë bizneset e dëmtuara nga tërmeti në zonat e fatkeqësisë natyrore, Administrata Tatimore dhe strukturat e apelimit, do të heqin gjobat për deklarim të vonuar të çdo deklarate të kërkuar nga legjislacioni për periudhat tatimore të zgjatjes së gjendjes së emergjencës (Ligji i procedurave tatimore, neni 111, paragrafi 4).

Pezullimi dhe shtyrja e pagesave të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve të dëmtuar

Për bizneset e dëmtuara nga tërmeti në zonat e fatkeqësisë natyrore, bazuar në kërkesën e tatimpaguesit, Administrata Tatimore shtyn afatin për pagesën e detyrimeve tatimore të deklaruara nga këto biznese (neni 77 i ligjit të procedurave tatimore). Pas pagimit të  20 % të detyrimit tatimor, pjesa tjetër e detyrimit mund të shtyhet duke mos vendosur këste pagesash deri në rifillimin e punës apo tejkalimin e gjendjes së mungesës së likuiditeteve nga tatimpaguesit.

Zbatimi i menjëhershëm i procedurave për ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë.

Për tatimpaguesit e dëmtuar, sidomos bizneset e vogla, të cilët vendosin të ndërpresin përkohësisht veprimtarinë, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Administrata Tatimore të marrin masa për përshpejtimin e procedurave dhe eliminimin e vonesave.

Pezullimi i kontrolleve tatimore në bizneset e dëmtuara

Për të gjithë kohëzgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në territorin dhe zonat ku është shpallur, administrata tatimore pezullon kontrollet tatimore apo verifikimet në bizneset e dëmtuara nga tërmeti, përfshirë edhe auditet e planifikuara paraprakisht, përfundon letra e ministres së financave për tatimet.

Paketë lehtësuese për bizneset

Krahas masave të menjëhershme brenda kuadrit aktuali ligjor, Ministria e Financave po përgatit dhe një paketë lehtësuese për bizneset e prekura nga tërmeti.

Ministria e Financave ka hartuar një draft udhëzim, i cili i jep zgjidhje një nga kërkesave më shumë të artikuluara nga biznesi, për njohjen, si shpenzime të zbritshme të dëmeve nga tërmeti.

Ndryshimet e udhëzimit për tatimin mbi të ardhurat (i cili është në fazë paraprake dhe nuk ka kaluar ende në qeveri) njohin për biznesin e dëmtuar si shpenzime të zbritshme, vlerën kontabël të mallrave dhe të aktiveve të mbetura që janë dëmtuar dhe shkatërruar.

Në udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, në fund të pikës 3.5, shtohen paragrafet me këtë përmbajtje: ”Njihen si shpenzime të zbritshme edhe (i) vlera kontabël e mallrave dhe (ii) vlera kontabël e mbetur e aktiveve që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”

Po çfarë dokumentesh duhet të paraqesë biznesi për të përfituar nga kjo masë?

Udhëzimi përcakton se biznesi duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve, listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara. Në listë duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara. Administratës tatimore biznesi do t’i dorëzojë edhe raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e aktiveve afatgjatë, pra të tokës, ndërtesave dhe makinerive. Monitor

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.