Letra e Kadri Hazbiut për Enverin: Hetuesi më shan nga nëna

Jul 9, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

Kadri Hazbiu gjatë zhvillimit të gjyqit në mjediset e burgut 313
“Jam shkatërruar fare, humba Partinë, humba familjen”

“Agjentët e konspiratorët e vjetër lëshojnë me dozaturë të caktuar helmin e nepërkës”

Hazbiu: Familjarët e Palit dhe Prokopit më goditën pas shpine”

“Gabova që propozova Hekuran Isain ministër”

“M’u duk i thjeshtë, m’u duk i çiltër, por është turjelë”

“Hetuesi më poshtëron e më shan nga nëna”. Njëherazi me ankesat për sjelljen brutale në qelitë e Burgut 313, Kadri Hazbiu mundohet t’i argumentojë kreut të regjimit se kryqëzimi i tij është katërcipërisht i padrejtë. “Panorama” vazhdon sot publikimin e pjesës në vijim të letrës së pazbuluar deri më tani, që anëtari i përjashtuar i Byrosë Politike dhe ish-ministri historik i Sigurimit të Shtetit, i dërgonte shefit të tij partiak më 1 nëntor të vitit 1982. Në numrin e kaluar botuam pjesën e parë të këtij dokumenti, ku Hazbiu, tashmë i përjashtuar nga funksionet partiake e shtetërore në pritje të vendimit fatal, i shkruante Enver Hoxhës për gjendjen e tij shpirtërore pas hapave të ndërmarrë nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, duke e cilësuar veten të “pushkatuar politikisht”. “Më tmerron akuza ‘për tradhti të lartë’ dhe ajo si bashkorganizator në komplot me poliagjentin Mehmet Shehu”, nënvizon në refleksionet e tij nga burgu ish- ministri i prangosur, duke pohuar se gjithë jetën ia ka kushtuar çështjes së Partisë dhe diktaturës së proletariatit, pa përjashtuar sakaq “faje dhe gabime”, që në asnjë rast nuk kanë ardhur, sipas tij, nga pozita antagoniste me vijën e Partisë. Nuk është e rastit, që Hazbiu në krye të letrës i kujton Hoxhës shqetësimin për familjen, e cila, siç shkruan ai, është duke u shpartalluar, vetëm e vetëm për shkak të tij. “Pllakatina e zezë e tradhtisë që po më vihet mua, shprehet trishtueshëm banori VIP i qelisë së  313-të, do t’u rëndojë gjithë jetën jo vetëm fëmijëve, por mbarë fisit, që tradicionalisht nuk ka nxjerrë tradhtar”… Në pjesën e dytë të letrës që mban datën 1 nëntor 1982, Hazbiu vijon me arsyetimin e sforcuar për të bindur Hoxhën se është viktimë e lojës agjenturore të Mehmet Shehut dhe një rrethi të ngushtë partiakësh të lartë me të cilët ka pasur përplasje të herëpashershme, madje edhe për çështje parimore. Në listën e këtyre të fundit përmend për herë të parë emrat e Pali Miskës, Prokop Murrës, Llambi Gegpriftit, Xhelil Gjonit, duke veçuar ndër ta Hekuran Isain dhe lidhjen misterioze të tyre me Haxhi Lleshin dhe Myslim Pezën. “Kam bindjen se midis tyre ekziston një shoqëri jo thjesht për pije e tallava, abstragon Hazbiu në këtë rast me intuitën e ish-kryekonspiratorit, po për diçka të fshehtë në dëm të interesave të Partisë. Sidoqoftë, sinjali me qasjet për një grup tjetër të pazbuluar në krye të Partisë priten me shpërfillje nga Hoxha, i cili tashmë ka krijuar bindjen e patjetërsueshme se pas Kadri Hazbiut qëndron një komplotist i rrezikshëm, agjent i shumë agjenturave të huaja…

…vijon nga numri i kaluar
(Pjesa e dytë e letrës së datës 1 nëntor 1982)
Në fund, unë e analizoj çështjen edhe sipas një varianti tjetër, në bazë të të cilit M.Shehu deshi që me këto cilësime të përforconte më tej pozitën time që të vazhdoja me sukses veprën e tij të ndyrë e armiqësore. Edhe këtu nuk ka as arsye, as dhe logjikë të vepronte kështu, sepse në fakt unë pozitat e besimit i kisha të qarta e të plota. Këtë ai e dinte deri në ditën e fundit, prandaj s’kish pse shqetësohej- por përkundrazi, i interesonte të vazhdonte kështu. Po edhe sikur të mendohet se gjithsesi ai deshi të m’i përforconte akoma pozitat me anë të disa ‘mallkimeve’, atëherë as mund të bënte ndryshe duke më cilësuar si armik i tij, si karrierist, shpifës etj. Të këtij lloji e jo cilësime dyshimndjellëse si ato që bën në letër, por edhe sipas këtij varanti akuza nuk qëndron.
Në përfundim edhe të kësaj analize, d.m.th. të ballafaqimit të akuzës me kursin e caktuar në letrën e armikut M.Shehu, nuk ka logjikë që të pranojë se unë qenkam bashkëpunëtor në komplot dhe vazhdues i tij. Rrjedhimisht shpreh bindjen time të patundur se akuza është intrigë dhe kërkesë ndaj meje që të zbërthej unë komplotin, është dizorientim i plotë, me qëllim që të largohet vëmendja, kërkesat dhe masat nga autorët dhe vazhduesit e vërtetë të tij. Edhe këtu, i dashur udhëheqës -kërkohet, një milion herë kërkohet kujdesi juaj i posaçëm -sepse mund të kanosen rreziqe të mëdha. Unë le të hetohem si do gjykohet këtu në qeli ku jam vetëm zbërthimi i këtij komploti dhe ndjekja e tij të kërkohet atje ku duhet.
 
V
Gjatë kohës që jam në burg, kam krijuar bindjen se procesi i spiunëve e konspiratorëve që janë në hetuesi ka devijuar dhe po devijon. Këtë e bazoj si në shpifjet mbi të cilat ngrihen akuzat ndaj meje, ashtu dhe në metodën e hetimit që zbatohet ndaj meje. Pse të ndodhë kështu, me gjithë porositë e dhëna nga ju për të bërë kujdes?
Kam bindjen se ka një lehtësi relative si në hetim, ashtu dhe në analizën e të dhënave, në raport kjo me spiunët e regjur që ka përballë hetimi. Kjo i lë shteg dizinformacionit që, siç dihet, në këto raste mund të bëjë dëme me pasoja shumë të rënda. E kam ngritur këtë çështje dhe me të drejtë u tha që duhet t’i verifikojmë. Por a bëhet kjo? Këtë nuk e di, por sa kam konstatuar sa isha jashtë dhe sa shohë këtu, them se nuk bëhet në kohë dhe i plotë ky verifikim. Ndoshta do të verifikohen çështjet që më atribuohen mua, por kur? E humba Partinë, e humba familjen, pra humba gjithçka, kurse hetuesi thotë “këtu jemi, kemi kohë edhe 25 muaj do rrimë”. Mendoj se duhen ndaluar mirë thëniet e ndyra këtyre spiunëve për të mos infektuar nëpërmjet dizinformimit. Të më falini, por po krijohet mendimi se na mbuluan agjentët e huaj. A mos ka ekzagjerime këtu që në proces? A mos don më tepër kujdes shpleksja e këtij rrjeti spiunësh që janë në hetim?
Në hetimin tim ka sugjerim. Nuk ka pse mos të ketë edhe për në tjerët, madje jo indirekt, por sugjerim në formën më vulgare. Dhe kjo ndodh se nuk konceptohet mirë si realizohet sugjerimi dhe rreziqet e tij. Vetë ministri i Punëve të Brendshme në Plenum e quajti taktikën time atë që “nga një anë kam thënë t’i ruhemi sugjerimit, kurse nga ana tjetër kam sugjeruar vetë duke biseduar në udhëheqje kur ka qenë rasti për mundësi e njerëz të ndryshëm, kjo e fundit është normale dhe nuk ka aspak të bëjë me sugjerimin në hetim, i cili sjell me vete shumë rreziqe. Agjentë e konspiratorë të vjetër e që kanë qenë në vende drejtuese, siç janë këta që hetohen, nuk kanë si t’i fshehin varianet dhe dinë që sipas oreksit të hetuesit të lëshojnë me dozaturë të caktuar helmin e nepërkës. Prandaj dhe sugjerimi, veçanërisht në këtë proces, kërkon një kujdes të veçantë. Më falni në qoftë se po duket sikur po ju jap mend, por e them se po i vuaj pasojat në lëkurën time. Në hetimin tim shoh sesi ai bëhet i njëanshëm, qëmtohet e hidhen (në përforcim të akuzës) medoemos gjëra negative, por ndaj tyre nuk lejohen arsyetime. Kështu hetimi nuk mund të dalë objektiv. Gjithashtu, në hetim kërkohen shpjegime të hollësishme për një kohë dhjetëravjeçare që janë të pamundura, pse janë jashtë mundësive të kujtesës dhe kur përgjigjesh me përafërsi ose heziton, vepra nuk mbahet mend, këto konsiderohen me ashpërsi si vazhdim në rrugën armiqësore. Përveç këtyre, ndaj meje në hetim ka ofendime, poshtërime e brutalitet. Unë i kam duruar, megjithëse i nervozuar në ndonjë rast kam mbajtur qëndrim ndoshta jo brenda rregullit të korrektësisë në marrëdhëniet hetues – i pandehur. Në rrethana të tilla, spiuni që nuk ka as ideale, as karakter e dinjitet, nuk e ka për gjë që të kënaqë orekset e të japë gjëra që pastaj hajde e vërtetoi.
Me sa shoh unë, mbi hetuesit nuk ka kontroll në punë dhe në marrëdhëniet me të arrestuarin. Këtë ligja e bën të detyruar. Pasi kërkova disa herë nga hetuesi të mos ofendohem e poshtërohem, por pa rezultat dhe kur ai më cenoi nderin duke sharë me nënë, i bëra kërkesë Ministrisë së Brendshme e prokurorit të Përgjithshëm të përjashtohet ky hetues nga hetimi im. Përgjigja m’u dha po nga hetuesi në emër të drejtuesit të hetimit (?) se kërkesa nuk pranohet. Kështu nuk është drejtë, përgjigjen duhet ta japin përfaqësuesit e atyre të cilëve u drejton kërkesën, e jo hetuesi që akuzohet vet. E ngre çështjen jo për ankim, por sepse mungesa e kontrollit që është prezent në këtë hetim, lë shteg për shkelje e devijime që mund të kenë pasoja jo të mira. Nuk di a bëhet me të tjerë të arrestuar, por në dy raste kam dëgjuar se në qelitë afër ka pasur të bërtitura, përplasje dhe rënkime. Ç’ndodhi? Nuk di gjë.
Së fundi, kam bindjen se në këtë proces ka devijim edhe sepse ka një predispozicion euforik për t’i marrë gjërat shpejt e pa i gjykuar mirë e kështu serviren më lartë në piramidën e hetimit. Sigurisht ky entuziazëm po nuk qe i matur, dëmton, por më e keqja është kur ky predispozicion shoqërohet me tendenciozitet, siç ndodh në rastin tim. Tani për mua është fare e qartë se në këtë fund timin ka një lidhje të padiskutueshme midis këtij procesi dhe parullave që janë hapur për mua prej kohësh. Aty nga mesi i qershorit u fol se “unë nuk do ta kisha të gjatë” dhe se kjo “ish fare e sigurt”. Këto fjalë u hapën nga njerëz të afërm me fëmijët ose familjarët e Pali Miskës e Prokop Murrës. U ndoq e si u ndoq dhe u mbyll e si u mbyll çështja, unë nuk di, por di që ai që denoncoi pas ca kohësh, u pezullua nga detyra- dhe për çudi ndenji në dispozicion deri sa përfundoi çështja ime. Mendoj se po të verifikohet mirë çështja, do të dalin gjëra deri në shkeljen e procedurave të caktuara nga Partia.
Fill pas kësaj u fol se unë isha shkarkuar në vend si ministër dhe se isha arrestuar. Këto zëra u përhapën nga Ministria e Punëve të Brendshme, kurse mua më thanë se i përhapin legatat e huaja.
Më vonë, gati për dy muaj, u mbush Tirana me parulla, të cilat pastaj u shpërndanë në gjithë vendin dhe jashtë, ku viheshin në diskutim uniteti në udhëheqje-kurse unë ofendohesha në mënyrat më poshtëruese (si tradhtar). Por, asnjë kundërvënie aktive dhe e organizuar, derisa në fund ndërhyri sekretari i KQ (R.Alia).Pse kjo “mefshtësi” nga drejtuesit e Partisë në Tiranë (Prokopi-Xhelili e Menzenxhiu si dhe nga M.P Brendshme), të cilët nuk njihen si të tillë? A është kjo mefshtësi? Unë gjykoj, jo. Në këtë kontekst, unë nuk e quaj aspak rastësi dhe “gabim shprehjen” e Prokopit në Pezë. Mundet ta kem gabim, por e them se kuzhinierja që më ushqeu për 10-15 vjet dhe e kishim si njeri të shtëpisë, iku pa na lajmëruar e pa u takuar as me mua, as me fëmijët. Pse? A mos ajo u përdor me ndonjë detyrë kundër meje e familjes dhe nuk kish forcë të na delte në sy? Ky është thjesht supozim, por e ngre për të evidentuar se ministri i Punëve të Brendshme mundet dhe të bëjë gjëra të tilla  pa leje. Unë kam vënë re dhe ia kam thënë, se në disa raste ai nuk përfillte as kërkesat e platformës, as ato të ligjës për marrje sanksioni ose heqje imuniteti. Kjo është e keqe dhe me rreziqe.
Kam bindjen se midis P.Miskës, H.Isait, P.Murrës dhe Ll. Gegpriftit ekziston një shoqëri që diçka fsheh në të vërtetë. A është kjo një shoqëri për pije e tallava, apo ka diçka më tutje? Nuk them dot gjë. Koha do ta tregojë.
Në hetuesi po pyetem për disa gjëra që duken se serviren nga rrethe dibranësh, duke përfshirë këtu dhe Haxhi Lleshin e Myslym Pezën. A mos Hekuran Isai e ka grurë me këtë rreth dhe ndikohet prej tyre dhe në trajtimin e çështjes sime? Ndoshta vlen që edhe kjo të kihet në kujdes.
Për sa shoh e gjykoj, marr guximin t’ju them hapur se me çdo kusht e pa humbur kohë, duhen vënë në duar të drejtuesve më të sigurt e më të partishëm Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes. Unë u gabova që ju propozove si ministër të Punëve të Brendshme H.Isain. M’u duk i thjeshtë, m’u duk i çiltër, por është turjelë. Ju e shikoni vetë këtë vendim.
Në përfundim të gjithë sa ju shkruaj, shpreh mendimet dhe bindjet e mia që m’u krijuan këtu. U mata shumë para se sa t’jua paraqes se si mund të merren dhe për konsekuencat që mund të kem, por vendosa t’ju shkruaj siç i ndjej dhe sepse kam bindje se gjendja është serioze e me rrjedhime të rrezikshme, po të lihet kështu. Dhe para kësaj bindjeje që kam do të bëja poshtërsi po të mos jua parashtroja atë Juve dhe Partisë.
Kërkoj ndjesë për qëndrimet në Byro e në Plenum, kërkoj ndjesë nëse u zgjata si dhe për shprehjet jo të qarta.
                                  Me respekt
                    I arrestuari
                                Kadri Hazbiu
Tiranë.1.11.1982

P.S. Këtu (tani) po e marr vesh se për t’ju shkruar letër Juve, si udhëheqës i Partisë e shtetit, duhet marrë miratimi nga ministri i Punëve të Brendshme. Ky kufizim nuk është i ligjshëm.
Kadri Hazbiu

vijon neser…

Parullat në Tiranë
Kadri Hazbiu e ka ndier më herët fundin e tij. Disa ditë para arrestimit, është ankuar te Ramiz Alia se gjatë ceremonisë në Pezë, Prokop Murra në fjalimin zyrtar nuk ka përmendur ofiqet politike që mbante deri në ato momente, si anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes. Një tjetër sinjal ogurkeq që ka marrë Hazbiu në vigjilje të prangosjes ka qenë thashethemnaja në Tiranë, sipas së cilës arrestimi i tij ishte çështje orësh. I është drejtuar për këtë sërish udhëheqjes së Partisë, madje duke i vënë gishtin ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait, si autor të saj, por përpjekjet kanë rezultuar të kota. Sinjali më tronditës që ka marrë ish-ministri para prangosjes, siç shkruan në letrat që i adresonte Enverit nga qelia, ka qenë braktisja që i ka bërë kuzhinierja e shtëpisë 15 ditë para arrestimit.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura