LETRA E HAPUR/ Akademia konferencë për Luftën, Fuga: E dështuar, s’flitet për terrorin, nazizmi përmendet vetëm një herë

Nov 15, 2019 | 11:05
SHPËRNDAJE

fuga1

Akademiku dhe profesori në Universitetin e Tiranës, Artan Fuga, i ka drejtuar një letër të hapur Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ose më saktë një letër “distancimi”. Akademiku shpreh shqetësimin, vërejtjet dhe distancimin ndaj konferencës shkencore të organizuar nga ASH, në kuadër të 75-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut: “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”. 

Përveç faktit që akademikët janë njoftuar vetëm pak ditë më parë për organizimin e kësaj konference, përpos përjashtimit të anëtarëve të Akademisë në organizimin përmbajtjesor të saj dhe në diskutimin dhe miratimin e temës, Fuga e konsideron këtë aktivitet të dështuar. Sipas tij, në të nuk trajtohen momente dhe tema themelore që lidhen me Luftën, duke i lënë mënjanë ato dhe duke shmangur çdo debat të mundshëm. Sipas Fugës, ato nuk janë prekur me qëllim për “të qenë në rregull”.

AKADEMIK ARTAN FUGA

KONSENSUSI PËR HISTORINË NUK BËHET DUKE E PËRÇUDNUAR ATË!

Letër distancimi nga Konferenca “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”

Drejtuar Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Përshëndetje zotërinj dhe zonja anëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!

Po ju drejtohem lidhur me shqetësimet që më kanë krijuar tematikat e kumtimeve në konferencën me titull “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore” (planifikuar të mbahet në 14 nëntor 2019), si dhe pasaktësitë e rënda që ka atje.

Këtë informacion mbi konferencën në fjalë e kam marrë vetëm të premten që shkoi, pra pardje, më datë 8 nëntor 2019, nëpërmjet një ftese zyrtare që më ka ardhur. Ndaj po reagoj në kohën më të parë të mundësuar nga organizatorët, të cilët e kanë vënë Asamblenë e Akademisë së Shkencave dhe ne akademikët përpara një fait accompli.

Po në datën 8 nëntor, pra vetëm disa orë pasi kam marrë ftesën në fjalë, kam shprehur shqetësimet e mia për tematikën strategjike të kumtimeve të parashikuara pranë kryesisë së seksionit të albanologjisë. Ndaj jam i detyruar të ndërmarr këtë hap të dytë, duke i drejtuar këtë letër Asamblesë së Akademisë të Shkencave, në vëmendje të kryesisë së saj dhe të kryesisë të seksionit të shkencave albanologjike. Përpara së gjithash theksoj se, (duke ditur rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj konference, si edhe vlerën që do të kishin pasur studimet e paraqitura atje për të mbajtur gjallë kujtesën historike të kombit, detyra jonë nga më parësoret), më duket krejt e padrejtë, krejt e papërgjegjshme, krejt përjashtuese dhe autoritare, që gjithçka për organizimin përmbajtjesor të kësaj konference të përmblidhet në duart e një grupi organizator të vogël dhe të kryesisë së Akademisë së Shkencave. Ky grup duket se ka bërë një punë krejt të mbyllur dhe nuk ka dashur të tërheqë në forma të organizuara mendimet e anëtarëve të seksionit të shkencave albanologjike. Po, unë mendoj që platforma e kësaj konference do të duhej të ishte bërë objekt reflektimesh dhe diskutimesh në seksionin e albanologjisë dhe të sillej për aprovim në Asamblenë e Akademisë së Shkencave.

Nëse ne si akademikë përjashtohemi nga përpunimi i strategjive shkencore të këtyre ngjarjeve që duhet të ishin madhore, nuk e di se për çfarë do të mblidheshin tjetër, veçse për çështje krejt mediokre e rutinë si ceremoniali, apo çështje të këtij lloji. Kryesia që na dërgon vendimet e marra qoftë edhe për të organizuar një takim të saj me Kryeministrin, dërguar me email, nuk dihet nëse ka marrë ndonjë vendim për ta aprovuar tematikën e kësaj konference shkencore, që e quaj të dështuar tematikisht. Thënë këtë, jo vetëm që nuk paragjykoj cilësinë e kumtesave të mbajtura, përkundrazi, por insistoj që kritika dhe mosaprovimi im lidhet qenësisht me tematikat dhe strategjinë e konferencës shkencore. Aq më shumë që ne si akademikë nuk jemi ftuar të marrim pjesë me kontribute përmbajtjesore në punimet e konferencës, me pretendimin absurd se në Asamble nuk paska më shumë historianë sesa ata që kanë tashmë kumtesa.

A thua se historia e kombit shqiptar nuk qenka edhe objekt kërkimi shkencor i linguistëve, sociologëve, ekonomistëve, filozofëve, ju ristëve!!! Këto pretendime janë krejt të tejkaluara nga koha, aq më shumë që shihet nga ftesa që ka edhe johistorianë atje të ftuar në bashkëpunim. Si pasojë, kontributet nga akademikët janë krejt të kufizuara. Por, ajo që më bën të mos pajtohem parimisht dhe të distancohem, është se tematikat e kumtimeve dhe vetë tematika e konferencës, veç pasaktësive shkencore që përmban, veç ndonjë tematike të pjesshme serioze të vendosur në periferi të saj, lë pa trajtuar çështjet kryesore të periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si edhe të gjithë ata faktorë, ngjarje politike, organizime politiko-luftarake, përballje idesh dhe platformash politike, të gjitha ato operacione luftarake apo aksione, formacione ushtarake, kontribute të të gjitha krahëve që çuan në çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët dhe kolaboracionistët dhe që patën edhe pasojat totalitare dhe diktatoriale të pasluftës deri në vitin 1990. Ne dhjetëra kumtesa, në mënyrë krejt anësore arrihet vetëm një herë të përmendet fjala “nazizmi”, aq sa të krijohet përshtypja se kombi shqiptar u mobilizua në luftë dhe derdhi gjak e mund përballë një armiku të padukshëm, një armiku imagjinar, një fantazme që as emrin nuk guxon kush nga shqiptarët ta zërë në gojë, një të paemërtueshmi!!! Kam përshtypjen që përpjekja për të qenë sa më të hapur në tematika çoi në kompromise joshkencore, ku çështjet e debatuara në opinionin publik dhe shkencor të vendit të “përzihen” nga tematikat e konferencës shkencore, pra ta zhveshin këtë të fundit nga kontributi social i kërkuar dhe të na paraqesin një histori pa problematikat e vërteta që atë e kanë përcaktuar. Mjafton një shembull fare anësor, që ka të bëjë me seancën e fundit ku trajtohen të rrezikuarit në luftë nga shqiptarët. (shihni se çfarë formulimi!) Flitet për të rrezikuarit, por jo për ata që u vranë, u martirizuan.

Flitet për arbëreshët, çamët, kosovarët e shumë mirë bëhet, por asnjë fjalë për shqiptarët e atdheut që u dogjën, për ata që u burgosën e u martirizuan, për ata që u masakruan dhe u terrorizuan, për ata që humbën të afërt, pasuri, statuse sociale, për ata që u bënë viktima të terrorit civil, për ata që u detyruan të marrin arratinë etj. Historia nuk mund të politizohet, as të bëhet objekt kompromisesh burokratikopolitike, as objekt allishverishesh mes individëve të izoluar, as një përpjekje e dështuar për konsensus formal mes kontribuesish, as “me qenë në rregull”, si konformizëm intelektual; ajo duhet të dalë sikurse është, me pjesëmarrje të hapur, pa paragjykime, por e fokusuar në pikat e nxehta të saj, jo duke i anashkaluar ato. Historia nuk mund të bëhet viktimë e së sotmes! Historia nuk mund të bëhet viktimë e politikës! Paraqitja e koalicionit antifashist botëror dhe e aksit luftënxitës krejt e cunguar. Vlerësimet e Konferencës së Paqes, si dhe të konferencave të tjera ndërkombëtare të munguara. Asnjë fjalë për formacionet politiko-ushtarake në luftë. Evente politike shumë të rëndësishme të paanalizuara dhe krejt të anashkaluara. Operacionet kryesore luftarake dhe betejat e angazhuara nga grupimet shqiptare në terren te abandonuara.

Ekstremet në luftë si nacionalizmat antihebrenj, komunizmat, terrorizmat, kolaboracionizmat sikur të mos kenë ekzistuar. Debati i ideve politike në luftë, krejt i harruar. Marrëdhëniet mes aktorëve politiko-luftarakë në luftë dhe monarkisë, krejt të paqenë. Ndikimet e rezultateve dhe qëndrimeve në luftë për modelin politik të Shqipërisë së pasluftës, pa asnjë vëmendje. Trajtimi i elementeve dhe dimensioneve politike, civile, si edhe i pushtetit politik ndërthurur me luftën, sikur të mos kishin qenë. Po lë mënjanë pasaktësi shkencore me konotacione ideologjike dhe politike që kanë shpëtuar. Sipas redaktuesve të tematikave, edhe territore në Itali bëkan pjesë në vise shqiptare, Siçilia veçanërisht, pa diskutuar këtu edhe territore në Maqedoninë e dikurshme, pavarësisht vendndodhjes së tyre! Nisur nga të gjitha këto, për t’i riparuar sa të jetë e mundur më parë përpara konferencës, sepse pas saj do të kishte qenë si kofini pas të vjelit, kërkoj nga Kryesia e Akademisë të ndikojë për një mbledhje urgjente të seksionit të albanologjisë, madje edhe të Asamblesë, si edhe u lutem akademikëve të aktivizohen për t’i debatuar këto probleme përpara konferencës.

Përgjegjësia për këtë vendosje përballë faktit të kryer është e atyre, që më në fund duhet të kuptojnë se nuk mund të bëjnë thjesht politika të mbyllura, arbitrare, se nuk mund ta bëjnë shkencën objekt manipulimesh politike, si dhe të vendosin duke përjashtuar debatin shkencor në Akademinë e Shkencave. Kjo politikë ka dështuar rëndë tashmë dhe do të vazhdojë të dështojë nëse nuk reformohet! Lutem kryesisë së seksionit të albanologjisë, si dhe Kryesisë së Akademisë së Shkencave të marrë njoftim për këtë qëndrim timin personal, të më japë mundësinë të shprehem për këtë në Asamble dhe në seksion përpara konferencës. Kjo, sepse do të dëshiroja jo vetëm që gjërat të gjykohen si duhet, të riparohen mesa mundet, por edhe të evitoj distancimin tim publik nga kjo konferencë, që në këtë formë e konsideroj të dështuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura