Letra e dorëheqjes së mjekëve të urgjencës, QSUT thotë të kundërtën

Dec 5, 2017 | 18:48
SHPËRNDAJE

Mjekët e shërbimit të Urgjencës në  Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” plotësuan sot një “Memo” ku paraqitën dorëheqjen e tyre nëse nuk do të rregulloheshin kushtet e punës. Pas tyre ka ardhur edhe reagimi zyrtar i QSUT-së.

mjeket qsut

“Në asnjë rast nuk u ndërpre shërbimi ndaj pacientëve. Urgjenca furnizohet rregullisht me barna.  Të gjithë mjekët që punojnë në këtë shërbim janë në punë,” shprehet QSUT në reagimin e saj.

Gjithashtu Qendra Spitalore ku ka bërë thirrje qytetarëve të shkojnë në spitalet sa më pranë vendbanimeve të tyre për shërbimet mjekësore për të shmangur fluksin e shtuar apo mbingarkesat.

Mjekët, Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Petrit Vargu, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj, të gjithë në një mendje ata firmosën sot një letër ku dhanë dorëheqjen duke e arsyetuar se nuk kishin kushte pune dhe staf mjekësor, ndërsa ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar në spital.

Mjekët kanë njoftuar për tërheqjen 30 ditë përpara sipas Kodit të Punës.

“Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar. Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe shërbimet nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”- thuhet ndër të tjera në lerën e mjekëve të Urgjencës së QSUT.

Burime nga drejtoria e QSUT bëjnë me dije për “BalkanWeb” se nuk ka mbërritur asnjë letër për dorëheqje.

 

Dorëheqja e 8 mjekëve në QSUT, flet shefi i Urgjencës, jemi të gjithë …

Me anë të një letre drejtuar Kryeminstrit Rama, Presidentit Ilir Meta, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tetë mjekë të Urgjencës në QSUT dhanë dorëheqjen sot paradite, për shkak të kushteve të vështira të punës.

Nuk dimë nëse ata kanë ndryshuar mendje pas negociatave me zv.ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, por shefi i shërbimit të Urgjences, prof. Edmond Zaimi në një prononcim për mediat thotë se bëhet fjalë për një problem të brendshëm, ndërsa mjekët që kanë firmosur peticionin vijojnë punën në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga drejtoria, raporton BW.

 

“Siç e shihni edhe vetë situata është e ngarkuar me shumë të sëmurë, jo vetëm të Tiranës por nga e gjithë Shqipëria, i kalon kapacitetet e shërbimit tonë, shtohet një ngarkesë e madhe për personelin çka bën që edhe gabimet të shtohen. Në këto kushte i gjithë stafi i Urgjencës ka shkruajtur një tip peticioni për drejtorin e Urgjencës por që akoma nuk është dorëzuar, me kërkesat tona për të rregulluar gjendjen. Janë problem që duam ti zgjidhim me forcat tona të brendshme. Ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ;97, kjo është një kërkesë drejtuar drejtorisë. Ne të gjithë jemi në punë por ngarkesa është shumë e madhe”,- thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura