Letra e gushtit 1990-s, Puto: Ramizi po forcon diktaturën e Enverit

Mar 3, 2015 | 17:18
SHPËRNDAJE

“Zhvillimet demokratike në Shqipëri janë kompromentuar… Ramiz Alia nuk është as reformator e as demokrat… po ndiqen metodat që të kujtojnë kohët më të errëta të diktaturës së Enver Hoxhës…”.

Arben Puto

Këto deklarata, historiani Arben Puto i bënte në gusht të vitit 1990, pak pasi Shqipëria ishte tronditur nga ngjarja e Ambasadave, në një letër drejtuar gazetarit të Zërit të Amerikës, Elez Biberajt. 

I shqetësuar për një qëndrim dyfytyrësh, një për jashtë, për diplomacinë dhe një për brenda, Puto kërkon që përmes një letre të gjatë, të vërë në dijeni Zërin e Amerikës mbi situatën në Shqipëri. Sipas Putos situata nuk duket edhe aq optimiste, madje shihet një shtrëngim i frikshëm, sidomos pas emërimit të Xhelil Gjonit si anëtar i Byrosë Politike, sekretar i KQ dhe njëkohësisht Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës. Puto e quan atë kriminel, i cili akuzohet për krime nga më të ndryshmet, që nga vrasjet te përdhunimet… Gjithsesi, Puto shprehet optimist për rolin e intelektualëve shqiptarë në demokratizimin e vendit.

Ai merr shembull Ismail Kadaresë, për të cilin ai shprehet se pavarësisht haraçit që ka paguar, nuk është njësuar asnjëherë me regjimit. Pavarësisht se i kërkon Biberajt që të mos e bëjë letrën e tij publike, Puto shpreson që Biberaj të mbështetet dhe ta shfrytëzojë atë për të ngritur në arenën ndërkombëtare çështjen e Shqipërisë e të Kosovës. Kjo letër është botuar së fundi, ndër faqet e librit “Sfidat e të drejtave të njeriut për një shoqëri të lirë”, botimet “Toena”, në të cilin Puto rrëfen rrugëtimin dhe rolin që ka luajtur Organizata për të Drejtat e Njeriut në vendin tonë.

Ai përmend të gjitha ato raste kur Komiteti ka ndërhyrë përmes deklaratave, raporteve, që lidhen me zgjedhje parlamentare e lokale, rrahje intelektualësh si në rastin e Edi Ramës e Vladimir Myrtezait, përplasjet me Sali Berishën, etj. Më poshtë botojmë letrën me shkurtime të vogla.

“Xhelil Gjoni, njeri që njihet për brutalitetin, për prepotencën dhe skandalet që ka bërë”. “Kadare, talent i madh, por nuk është hero”

Letër për Elez Biberaj

Voice of America

Albanian Service

Uashington D.C. USA

I nderuari Z. Elez Biberaj,

Vendosa t’ju shkruaj juve, sepse, midis mjaft gjërave që na kanë ndarë, ka diçka që shpresoj na bashkon. Është fati i kombit, e ardhmja e Shqipërisë. Por siç e shihni, po jua dërgoj këtë letër me rrugë të tërthortë, për fat të keq ende në këtë vend jemi tepër larg shprehjes së mendimit të lirë dhe çdo komunikim me jashtë kalon nëpër një censurë të rreptë […]

Kuptohet, “Zëri i Amerikës” nuk është një emision privat. Aty njerëzit gjejnë të reflektuar edhe qëndrimet e qeverisë së SHBA jo vetëm për problemet më të ndryshme të politikës botërore, por edhe për ngjarjet në Kosovë, edhe për situatën në vendin tonë. Një përshtypje të madhe shkaktojnë lidhjet aq të forta shpirtërore që shqiptarët e atjeshëm ruajnë gjithnjë me “vendinamë” dhe që ju i raportoni herë pas here. Vëmendjen e njerëzve e tërheqin aq më shumë lajmet që ju jepni mbi fatin e mijëra “refugjatëve të ambasadave”, të cilët opinioni i gjerë i vendit nuk i konsideron globalisht “rrugaçë” e “tradhtarë”, siç bën regjimi.

Për të gjitha këto, unë kam bindjen se “Zëri i Amerikës” që tani është, sot, madje do të jetë edhe më shumë, një faktor i rëndësishëm që do të luajë rolin e vet në zhvillimet e ardhshme në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi.

Pikërisht duke u nisur nga rëndësia që ka “Zëri i Amerikës” sot për kombin tonë, unë vendosa t’ju shkruaj këto radhë. Do të shtroj nja dy probleme që më duket se kanë nevojë të sqarohen më mirë, me qëllim që të bashkohen të gjitha forcat brenda dhe jashtë, ato forca të shëndosha që janë me të vërtetë për transformimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri të hapët, demokratike e moderne.

Preokupimi kryesor duhet të jetë që në këtë fazë tepër kritike e delikate të evitohet çdo tronditje që mund t’i kushtojë shumë vendit, që proceset transformuese të zhvillohen në rrugë paqësore, pa gjakderdhje. Për fat të keq, mundësitë për një zhvillim të tillë duken të komprometuara nga kthesa që përpiqet të bëjë regjimi pas ngjarjeve të korrikut.

Ka një kthim prapa që vihet re në të gjithë linjën. Bisedat me delegacionet e huaja, të cilat i japin rast R.Alisë të përsërisë se “procesi i demokratizimit është i pakthyeshëm”, kanë për qëllim t’ia fshehin opinionit të jashtëm gjendjen e vërtetë. Në Perëndim dhe aty në Amerikë, në mënyrë të veçantë, duhet të kihet mirë parasysh se regjimi flet dy gjuhë: një për brenda dhe një tjetër për jashtë. Aktualisht këtu brenda po mbahen kudo mbledhje të ngushta (në parti) dhe të gjera (në masat), në të cilat ngjarjet e korrikut denoncohen si “komplot i reaksionit ndërkombëtar për përmbysjen e pushtetit popullor”, bëhen thirrje “për të shtuar vigjilencën kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm”, “për të forcuar luftën e klasave”.

Nuk bëhet asnjë analizë realiste e krizës, e gjendjes katastrofike, në të cilën është zhytur ekonomia. Shkurt: e keqja është jashtë, flitet me gjuhën e vjetër dhe Shqipëria është përsëri ajo “kështjella prej graniti që mban lart flamurin e marksizëm-leninizmit përballë sulmeve të kapitalizmit botëror”. Vihet re një hutim i përgjithshëm dhe do të thosha një zemërim ende i fshehur që si mund të kthehemi te metodat që të kujtojnë kohët më të errëta të diktaturës së Enver Hoxhës.

Një tregues i qartë i kthesës së ngjarjeve ishin ndryshimet që u bënë në udhëheqjen e Partisë e të qeverisë ato ditët e nxehta të fillimit të korrikut. Në Perëndim, ato u komentuan si një raund tjetër ballafaqimi midis konservatorëve dhe reformatorëve, që mbaroi në favor të R.Alisë. Ky është gabimi më i madh që bëhet aty kur është fjala për gjendjen në Shqipëri. Duhet të jetë e qartë se R. Alia është zot i pakundërshtueshëm në këtë vend. Këto janë rregullat e ushtrimit të pushtetit në regjim të tillë. Sekretari i parë i KQ ka fjalën e fundit. Ai i vë vulën çdo gjëje; edhe në qoftë se dikush ka ndonjë rezervë, ai e thotë fjalën e tij për aq sa ajo nuk cenon “udhëheqësin” e partisë. Askush nuk mund të vërë në dyshim autoritetin e tij supreme në parti dhe në shtet. Pastaj, kush mund t’i dalë përpara R.Alisë?

Njerëzit që e rrethojnë janë gati të gjithë me një intelekt dhe formim tepër të ulët, aq të ulët sa u bëhet nder kur cilësohen “konservatorë”, ndërsa fjala më e përshtatshme do të ishte “injorantë”. R.Alia e ka mësuar mirë mësimin e mësuesit të tij: në këtë rreth ai e ndien veten krejt të sigurt, asgjë e papritur nuk mund të ndodhë. Sigurisht, R.Alia nuk është ai diktatori i egër siç ishte paraardhësi i tij E.Hoxha. Atmosfera pas vdekjes së këtij të fundit filloi të lehtësohej. Njerëzit filluan të mos kishin po atë frikë që kishin më parë, filluan dalëngadalë të flasin më shumë. Por R.Alia në shpirt nuk ka qenë asnjëherë reformator e demokrat. Si çdo lider komunist, ai është mbërthyer fort pas pushtetit.

Ndryshimet e mëdha në BS dhe në vendet e Lindjes e vunë në pikëpyetje pushtetin e tij. Atëherë ai doli me programin “e reformave” për “demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit”. Nuk duhet të harrohet se, çfarë ka bërë jo vetëm që nuk është esenciale, por edhe e ka bërë nën presion nga jashtë. Kjo do të thotë se presioni i jashtëm ka dhënë rezultate. Në qoftë se regjimi më parë ishte krejt i pandjeshëm, sot në situatën e ndryshuar, ai nuk mund të mos marrë disa masa, qoftë edhe gjysmake e të pjesshme, që t’ia ndryshojë imazhin e vjetër, të frikshëm Shqipërisë, si vendi i fundit Stalinist në botë. Nuk është nevoja të zgjatemi më shumë rreth personalitetit të R.Alisë, rolit të tij në zhvillimet e sotme e të ardhshme të Shqipërisë. Unë mendoj se ju keni marrë disa vlerësime të sakta nga intervistat që u keni marrë disa refugjatëve. Unë do të kthehem përsëri te ndryshimet që u bënë në udhëheqjen e Partisë e të qeverisë në fillim të korrikut.

Fakti më karakteristik i këtyre ndryshimeve është emërimi i Xhelil Gjonit si anëtar i Byrosë Politike, sekretar i KQ dhe njëkohësisht Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës. Xh. Gjoni ka marrë një pushtet të tillë saqë këtu ai cilësohet tani “nr.2” në Parti e në shtet. Emërimi i tij ka shkaktuar një habi të përgjithshme. R.Alia nuk mund të zgjidhte njeri tjetër më të përshtatshëm, për të frikësuar intelektualët. Është njeri që njihet për brutalitetin, për prepotencën dhe skandalet që ka bërë në shumë raste. Në Tiranë, ditët e para pas emërimit të tij, dolën ‘fletërrufe’ nëpër mure, ku ai akuzohej për përdhunim, për rrahje, për kërcënime. Shihet qartë se R. Alia e ka zgjedhur atë si “dorë të fortë”. dhe ai po bën të gjitha përpjekjet për të justifikuar besimin që i është dhënë. Me urdhër të tij ka filluar fushata e përjashtimit nga partia të atyre anëtarëve që kanë të afërmit e tyre ndër të ikurit nëpër ambasada. Dhe dihet se këtu “përjashtim nga partia” është ende një lloj linçimi (ndonëse nuk është më vdekje civile siç ishte më parë).

Veç kësaj, me iniciativën e Xh. Gjonit po bëheshin listat e gjithë familjarëve të të “arratisurve” (V.O po përdoret përsëri ky term “arratisur”, megjithëse zyrtarisht u hoq nga legjislacioni disa muaj më parë). Si fillim është parashikuar që këta “të hiqen nga punët e mira” si të padenjë p.sh. në Universitet këta nuk mund të qëndrojnë sepse janë “një shembull i keq për brezin e ri”). XH. Gjoni ka shtruar edhe çështjen e internimit të tyre, në kundërshtim me ligjin e ri që anuloi këtë praktikë. Me një fjalë, në rend të ditës tani qëndron çështja e reprezaljeve që duhen marrë kundrejt familjarëve “të njollosur”. Ndërkaq, autoritetet mbajnë heshtje për dhjetëra të vrarë midis atyre që u orvatën të strehohen nëpër ambasadat në Tiranë dhe për qindra të tjerë që janë vrarë në kufi, në veri dhe në jug. Mendoj se në këtë situatë është e domosdoshme që të denoncohet ky “kthim prapa” që rrezikon të hedhë vendin në katastrofë.

Në takimin që pati me disa intelektualë në gusht R.Alia duhet të ketë kuptuar se inteligjenca, e cila tani sidoqoftë ka pak më tepër hapësirë, nuk është entuziaste për “shtrëngimin e vidave” që ai i ka lënë në dorë Xh. Gjonit me shokë. Megjithatë, askush veç jush nuk mund ta bëjë këtë më mirë. Unë nuk mendoj se është oportune t’i shpallet luftë e hapur R.Alisë. Nuk jam për atë që të pritet çdo urë me të. Për fat të keq, tani për tani nuk ka alternativë tjetër, veç asaj që të bëhet presion mbi të me qëllim që ai të mos kthehet prapa, të vazhdojë më tej në rrugën e reformave. Gjithmonë, por aq më tepër në momentin aktual, Alia ka qenë i ndarë më dysh: shumë gjëra e mbajnë të lidhur me të kaluarën, me të vjetrën, por situata shkon kundër kësaj dhe ajo e shtyn drejt së resë. Është një rast tipik i skizofrenisë politike. Duhet të kuptohet mirë se, në qoftë se ka dy rryma, ato gjenden në vetë Alinë. Për një diagnozë të tillë ka vetëm një terapi: me durim, me prudencë, ai duhet të shtyhet që “volens nolens” të ndjekë rrymën e dytë. Për këtë ai duhet të vihet vazhdimisht në provë. Një okazion i mirë është kërkesa e tij për t’u bashkuar me proceset e sigurimit e bashkëpunimit në Europë.

Ai dhe këshilltarët e tij (të cilët në diplomacinë e këtij vendi janë ose servilë ose jokompetentë), janë të bindur se mund ta kalojnë provën relativisht lehtë : me disa masa gjysmake si ato që janë marrë, me disa fjalë të përgjithshme mbi demokracinë. Në gusht erdhi këtu një delegacion i Kongresit, i kryesuar nga senatori De Concini; pati disa kontakte, bëri disa takime, u prit edhe nga R.Alia. Një anëtar i grupit “Moody” paska deklaruar pas vizitës se “Shqipëria është larg standardeve europiane”. Kjo është e vërtetë dhe kjo i duhet bërë e qartë Alisë. Duhet ta kuptojë se pa pluralizmin, pa zgjedhjet e lira, pa lirinë e fjalës e të organizimit, pa lirinë e fesë, nuk mund të hyhet në Europë. Në situatën që po kalojmë, çështja e qëndrimit kundrejt intelektualëve të këtij vendi bëhet veçanërisht e mprehtë. Lidhur me këtë më kujtohet një intervistë që ju i patët marrë njërit prej refugjatëve ato ditë të korrikut. Ai bëri një klasifikim të drejtë: ai i ndau intelektualët e këtush- ëm në “intelektualë të vërtetë” dhe në “pseudointelektualë”.

Ramiz Alia

Nuk është nevoja të ndalemi në këtë kategori të dytë, sepse aty hyjnë nulitetet, mediokritetet që regjimi i ka prodhuar me shumicë, ata janë një kopje e “profesoratit të kuq” të formuar sipas modelit të vërtetë. Nuk është e drejtë që këta të gjykohen tepër rreptë. Thuhet se ata janë të “komprometuar me regjimin”. Kjo nuk mund të mohohet krejt. Por duhet të mos injorohen kushtet në të cilat ata kanë qenë të detyruar të jetojnë e punojnë. Unë besoj se interpretoj një opinion që mbizotëron këtu, sipas të cilit inteligjenca në Shqipëri ka përjetuar një tragjedi të vërtetë. Në asnjë vend të Europës Lindore intelektualët nuk kanë jetuar si në Shqipëri. Përmenden shembuj, shpesh të Polonisë, Çekosllovakisë, deri edhe të Rumanisë, e megjithatë asnjë krahasim nuk mund të ketë me gjendjen në Shqipëri. Regjimi enverist nuk u ka lënë intelektualëve asnjë hapësirë. Pikësëpari i ka mbajtur fort të mbërthyer, edhe për gjërat më të thjeshta në jetë, deri edhe për të mbijetuar. Shtresa që regjimi ka pasur më tepër shënjestër ka qenë inteligjenca. Në çdo akt pavarësie, madje edhe në gjestin më të vogël, ajo është goditur pa mëshirë. Dhe ajo që ka rëndësi të mbahet mirë parasysh, është se intelektuali “i kapur në gabim” nuk përgjigjej vetë, në pikëpyetje vihej gjithë familja, madje edhe rrethi më i gjerë. Nuk e teproj aspak kur them se inteligjenca shqiptare ka ndarë fatin e popullit të vet, duke jetuar bashkë me të në një nënshtrim të plotë […]

Shkrimtari Ismail Kadare

Rasti i Kadaresë është i veçantë. Ai sot është i vetmi intelektual shqiptar që me veprën e tij ka dalë në Europë dhe madje në botë. Jam dakord se taksa që ai ka paguar ka qenë tepër e rëndë. Por, në fund të fundit, Kadareja është ai që është; një talent i madh, por nuk është një hero. Do të ishte mirë të ishte, por ja që nuk është. Veçanërisht pas vdekjes së diktatorit mund të pritej më shumë prej tij. Por fatkeqë- sisht nuk është Havel (ndonëse do të doja ta shikoja Havelin në kushtet e Shqipërisë), prandaj nuk më duken të drejta sulmet që i bëhen Kadaresë nga shumë anë. Sepse, me gjithë taksën që ka paguar, megjithëse regjimi e merr me të mirë, ai prapë nuk e ka identifikuar kurrë veten me regjimin. Dhe mendoj se ai përsëri do ta luajë një rol dhe jo vetëm në fushën e letërsisë. Përgjithësisht, në këtë fazë intelektualët e këtij vendi nuk duhen injoruar. Po t’u krijohej më tepër hapësirë, ata me siguri do të përbënin të vetmen forcë që mund të dilte si alternativë.

Jam i bindur se aktivizimi i intelektualëve do të ndikonte pozitivisht për demokratizimin e vërtetë të shoqërisë shqiptare. Për këtë kërkohet vëmendje më e madhe nga jashtë, pikërisht në drejtim të atyre që quhen “intelektualë të vërtetë”. Unë dua t’ju siguroj se nuk mbroj këtu një çështje personale, por një interes të përgjithshëm, sepse këta intelektualë përfaqësojnë disa vlera autentike në këtë apo atë fushë; mund të mos jenë të destinuar për të zëvendësuar pushtetin, por janë patjetër të domosdoshëm për një tranzicion pa trauma të mëdha në procesin e pandalshëm të përtëritjes së Shqipërisë… Arben Puto 27 gusht 1990.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura