Letërsia në procesin e formimit të kombit te shqiptarët

Dec 25, 2015 | 11:28
SHPËRNDAJE

Në krye të poetëve të Shqipërisë qëndron Hasan Zyko Kamberi dhe pas tij vijnë Nezim Berati dhe Dalip Frashëri.

Genciana Abazi Egro
Genciana Abazi Egro

Kështu shprehet Naim Frashëri në vitin 1896 duke shtuar më tej se të gjithë këta poetë të mëdhenj janë fajtorë për përdorimin e shqipes me fjalë të huaja. Ky realitet letrar është prezantuar nga Naim Frashëri në parathënien që shoqëronte përkthimin e këngës së parë të Iliadës, të kryer nga ai vetë.

Një hyrje e tillë e shkruar nga poeti i madh i shqiptarëve merr një rëndësi të veçantë edhe sepse jep një panoramë të asaj që mund të konsiderohet tradita letrare shqipe. Nga ana tjetër ajo është  edhe një dëshmi të asaj që shqiptarët kishin lexuar dhe shijuar.

Madje po të kemi parasysh se ky vlerësim dhe kjo hierarki letrare e përcaktuar nga Naim Frashëri është dhënë kohë mbas vdekjes së poetëve Nezim Berati (vd. 1760)  dhe Hasan Zyko Kamberit (vd. pas 1822), mund të pohojmë edhe për një marrëdhënie të vazhdueshme dhe të stabilizuar që këta poetë, deri në këtë kohë ruanin me lexuesin.

Nga ana tjetër ky përcaktim i Naim Frashërit, në vetvete shpreh në një farë mënyre edhe një tension ndërmjet kësaj të kaluare letrare dhe pritshmërimeve që kishte poeti për gjuhën kombëtare.

Vërejtjet lidhur me përdorimet gjuhësore të poetëve venë në pah qartë se kjo letërsi është larg nacionalizmit gjuhësor të artikuluar dhe aplikuar në këtë periudhë. Por nga ana tjetër konsiderata e shprehur për krijimtarinë e tyre letrare, i bëjnë ata pjesë të rëndësishme të së kaluarës së shqiptarëve.

Sami Frasheri
Sami Frasheri

Hapja e shqiptarëve drejt të kaluarës letrare kishte filluar disa dekada përpara këtij vlerësimi. Zef Jubani më 1871 në antologjinë e tij letrare kishte përfshirë krijimtari nga Pjetër Bogdani, poetët shkodranë Molla Sali Pata dhe Molla Hysen Dobraçi, Nezim Berati dhe Pjetër Zarishi; Thimi Mitko përgatit për botim poezi nga Hasan Z. Kamberi; më 1882 Sami Frashëri harton një botim përmbledhës të Divanit shqip të N. Beratit; Jani Vreto më 1888 botoi poemën e gjatë Erveheja të Muhamet Kyçykut (Çamit); kurse Ismail T. Gjakova më 1907 boton në Sofje, veprën Emni Vehbije të Tahir Efendi Gjakovës.

Prandaj dhe qasja që Naim Frashëri kishte ndaj traditës letrare të shqiptarëve, e shprehur më 1896, duhet vlerësuar si një mendim sintetik mbi gjithë këtë punës të kryer në epokën e nacionalizmit. Vëmendja ndaj të kaluarës është një proces i natyrshëm që ka shoqëruar në përgjithësi popujt në procesin e kombformimit modern.

Ndërtimi i ndjenjës së përbashkët politike, kulturore e kombëtare kalon nga vlerësimi i trashëgimisë, që me fjalë të tjera do të thotë përcaktimi i plotë i vlerave që kombi kërkon t’i ruajë dhe t’i transmetojë në përputhje me pritshmëritë e kohës së re.

Inventarizimi i trashëgimisë letrare Intelektuali shkodran Zef Jubani qe ndër nacionalistët e parë që shkroi për çështjet e historisë dhe të kulturës tek shqiptarët. Më 1871 ai boton në Trieste një antologji të letërsisë shqipe, të kultivuar dhe folklor.

I ndikuar nga De Rada, që vetëm pesë vite më parë kish botuar një përmbledhje të folklorit arbëresh (Rapsodie d’un poema albanese…), ai e emërton veprën e tij duke përdorur termin rapsodi (Raccolta di Canti Popolari e Rapsodie di Poemi Albanesi).

Mirëpo ndryshe nga De Rada, i cili kërkon të tregojë fragmente të një poeme epike të një rapsodie hipotetike të periudhës së Skënderbeut, Jubani përpiqet të dëshmojë fragmentet e letërsisë shqipe. Dhe ajo që kërkon të ndërtojë nuk është një poemë epike e lashtë, por trashëgimia letrare e shqiptarëve.

Kështu në antologjinë e Zef Jubanit gjejmë poezitë e Pjetër Bogdanit, Hysen Dobraçit, Nezim Beratit, Sali Patës dhe Pjetër Zarishit, d.m.th. më shumë se një shekull e gjysëm letërsi shqipe. Ndërsa vlerësimet që ai jep për këta poetë shënojnë dhe përpjekjen e parë për të kuptuar letërsinë shqipe dhe pozicionin që kanë në të poetët e sipërpërmendur.

Nga ana tjetër, historinë e letërsisë shqipe, apo më saktë trashëgiminë letrare të shqiptarëve ai e sheh në funksion të vendosjes së një lidhjeje me të kaluarën heroike dhe prezantimit të saj në funksion të ngjalljes shpirtërore e mendore, dhe jo vetëm kaq por edhe të krenarisë kombëtare dhe krijimit të modeleve.

Përveç kësaj, në përpjekje për t’i integruar shqiptarët në qarkun e popujve të qytetëruar të Europës, ai vendos paralele midis zhvillimeve letrare europiane me ato të shqiptarëve, dhe poetët Nezim Berati e Hysen Dobraçi i konsideron pasues të Anakreontit, kurse poetin satirik shkodran Sali Patën e përngjason me poetin satirik italian Casti.

Sami Frasheri
Sami Frasheri

Zef Jubani me shumë gjasë është i pari nacionalist shqiptar që e përdori listën e heronjve dhe dijetarëve të shqiptarëve si mënyrën më të qartë dhe të drejtpërdrejtë për prezantimin e kombit.

Pas vdekjes së Z. Jubanit, për shkak të konjukturës së re ndërkombëtare përpjekjet për inventarizimin e trashëgimisë kulturore njohën një hop të ri.Në këtë kohë në Europë po artikulohej qartë pyetja se cila nga popullatat e shumta europiane që mund të klasifikoheshin si kombësi duhej të kishin shtetet e veta.

Dhe në këtë kuadër përbërësit kryesorë të check-list-ës identitare ishin përcaktuar qartë dhe po aq qartë dhe rrugët nëpër të cilat duhej të ecte kombformimi modern. Shqiptarët kishin dijeni për këtë realitet dhe rëndësinë e tij e kuptuan më mirë veçanërisht gjatë Kongresit të Berlinit, ku u përballën në mënyrë të drejtë për drejtë me copëtimin e tokave të tyre.

Në kujtimet e tij Mihal Grameno, shkruan se gjatë vizitave që Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Pashë Vrioni ndërmorën në pranverën e vitit 1879 në kryeqytete kryesore të Europës, atyre iu kërkua që shqiptarët të dëshmonin se kishin të gjitha veçoritë e një kombi modern, veçanërisht të konfirmonin se ishin një komb me gjuhë të shkruar.

Këtu e ka bazën, sipas Mihal Gramenos dhe puna themeltare që kryen Naim Frashëri dhe Sami Frashëri në këtë periudhë. Në të vërtetë, Lëvizja Nacionaliste e Shqiptarëve, pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, u fokusua veçanërisht në afirmimin e elementeve identitarë të kombit modern.

Në këtë kuadër, edhe puna për inventarizimin e trashëgimisë letrare të shqiptarëve fitoi një dimension të ri. Ky inventarizim bëhet zyrtarisht pjesë e platformës kulturore të shoqërisë Dituria. Jani Vreto, në parashtrimin e kësaj platforme më 1896 në mbledhjen e shoqërisë në Bukuresht, çështjen e trashëgimisë letrare të shqiptarëve e rendit ndër prioritet e para.

Ai kërkon gjetjen dhe botimin e veprave të Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Hasan Zyko Kamberit, Nezim Beratit, këngëve labe dhe këngëve të shqiptarëve të Italisë dhe Greqisë.

Dy janë kriteret që përcaktojnë përkatësinë në trashëgiminë letrare të shqiptarëve në këtë periudhë: 1. Veprat të jenë pëlqyer në kohën e tyre; 2. Të jenë transmetuar nga një brez në tjetrin, duke sjellë në këtë mënyrë dhe konservimin e tyre.

Ndërsa në rastin e Hasan Zyko Kamberit, duke ju referuar gjithnjë Jani Vretos, kemi edhe një element tjetër shtesë. Poezitë e këtij poeti janë pëlqyer jo vetëm nga shqiptarët myslimanë, por edhe nga shqiptarët ortodoksë. Në të vërtetë edhe burimet dokumentare të kohës dëshmojnë se lexuesit e këtij poeti, veçanërisht në krahinën e Korçës janë si shqiptarët myslimanë, ashtu edhe shqiptarët ortodoksë.

Madje poezitë e këtij poeti janë qarkulluar dhe transmetuar veçanërisht edhe nga shqiptarët ortodoksë të krahinës së Korçës. Në kujtimet e tij Visarion Dodani bën me dije se një dorëshkrim të poezive të Hasan Zyko Kamberit e posedon në Korçë Rafail Avrami, i cili e kish marrë nga Filip Mano dhe i ky i fundit nga babai i teqesë në qytetin e Korçës. Kështu, në periudhën pas Lidhjes së Prizrenit, në ndryshim nga puna e Zef Jubanit, lista e trashëgimisë letrare hartohet në funksion të njohjes dhe transmetimit të këtyre vlerave.

Ajo është konceptuar si etapa e parë e domosdoshme që paraprin botimin e tyre. Në këtë mënyrë kemi kalimin nga parashtrimi dhe prezantimi i njerëzve të shquar të kombit, në përdorimin e tyre në funksion të procesit të afirmimit të kombi modern shqiptar.

Ndaj këto materiale hartohen vetëm në shqip dhe si publik kanë vetë shqiptarët. Në kuadrin e përdorimit të historisë letrare në funksion të çështjes kombëtare Jani Vreto do të trajtojë dhe historinë e shkrimit të gjuhës shqipe.

Në sprovën e tij Mendime mbi shkrimin e gjuhës shqipe, i mbetur në dorëshkrim, ai do të japë një listë të veprave të shkruara në shqip, të shoqëruara edhe me detaje të rëndësishme mbi vendndodhjen e dorëshkrimeve dhe veçanërisht për eksperiencat që shqiptarët kishin me këto krijimtari.

Këtij inventari, krahas veprave të përmendura në listën e trashëgimisë letrare, ai do t’i shtojë edhe Theodor Haxhifilipi, Tahir Efendi Gjakovën, vëllezërit Stefan dhe Nikolla Konomi prej fshatit Postenan, Naum Veqilharxhin dhe Muhamet Çamin.

Vetë J. Vreto ka gjetur edhe krijimtarinë e Tahir Gjakovës, por duket se përpjekjet e Jani Vretos kanë mbetur deri këtu, për shkak të vështirësive që ka hasur në deshifrimin e alfabetit arab me të cilën ishte shkruar shqipja.

Botimin e kësaj vepre me alfabetin e Stambollit do ta realizojë më 1907, në Sofje, Ismail Tahir Gjakova me ndërmjetësinë e shoqërisë Bashkimi, në shtypshkronjën “Mbrothtësia” të Kristo Luarasit.

Ndryshe ka vepruar Jani Vreto me krijimtarinë e poetit Muhamet Çamit. Dorëshkrimin e poemës Erveheja, Vreto e bën pjesë të projekteve të veta dhe e boton më 1888, në Bukuresht, në kuadrin e botimeve të shoqërisë Dituria.

Pavarësisht ndërhyrjeve të shumta që ai ka bërë në tekst, ky botim ka qenë shumë i suksesshëm, pasi deri më vitin 1925 rezulton të jetë ribotuar edhe pesë herë të tjera, ( Selanik, Korçë dhe Vlorë). Kështu Jani Vreto ka meritën për krijimin e një panorame të plotë të traditës letrare shqiptare, në përputhje me njohjet e deri atëhershme, por edhe si autor i botimit të parë modern të letërsisë shqipe me alfabetin arab.

Qasje kritike Poetët Nezim Berati, Hasan Z. Kamberi, Muhamet Çami, Tahir Gjakova, Hysen Dobraçi dhe Sali Pata ishin pjesë e të kaluarës që dëshiron të kujtohet dhe që nuk do të harrohet plotësisht. Kështu intelektualët nacionalistë në marrëdhënien me të kaluarën, në këtë periudhë, nuk krijuan hendeqe apo harresa të vullnetshme që si pasojë prodhojnë përjashtimet.

Në kuadrin e vazhdimësisë (continuity) apo ndërprerjes (discontinuity) ata zgjodhën të parën, por kërkuan që kjo e kaluar të vlerësohet në kuadrin e ideologjisë kombëtare. Dhe pikërisht ideologjia kombëtare do të përcaktonte dhe mënyrën e transmetimit të mëtejshëm të këtyre veprave.

Problemin që ekzistonte ndërmjet letërsisë shqipe me alfabetin arab dhe nacionalizmit gjuhësor e ka vënë në dukje për herë të parë Thimi Mitko, gjatë përgatitjes për botim të poezive të Hasan Zyko Kamberit. Sipas tij poezitë, të cilat ai i vlerësonte maksimalisht, ishin plot me fjalë turke.

Për këtë arsye ai u përpoq që të zëvendësojë një pjesë të mirë të tyre. Kjo praktikë u ndoq më pas edhe nga Sami Frashëri dhe Jani Vreto. Madje ky i fundit e ve në dukje që në titull këtë fakt (Erveheja: vjershëruar prej Muhamet Çamit, mbaruarë prej Hajdar Argjirokastriti edhe qëruarë fjalët’ e huaja prej J. Vretosë).

Megjithatë ky nuk ishte tensioni i vetëm që ekzistonte ndërmjet kësaj letërsie dhe kohës së nacionalizmit. Tensioni i dytë do të artikulohet nga Sami Frashëri në sprovën që ai ndërmerr për botimin e Divanit shqip të Nezim Beratit. S. Frashëri, më 1882, 25 fragmente poezish nga Divani shqip i Nezim Beratit i përgatit për botim së bashku me 12 këngë popullore, nën titullin Mbledhje këngëve shqip të vjetëra dhe të ra.

Edhe Zef Jubani në antologjinë e tij, letërsinë reflektive e kish botuar së bashku me folklorin. Në këtë periudhë të afirmimit të kombit, e kaluara letrare e shqiptarëve vlerësohej e plotë, d.m.th. letërsi e kultivuar dhe folklor.

Kjo përtej faktit që letërsia shqipe sikurse e cilëson Z. Jubani ishte në fazën “e fëmijërisë,” lidhej me rëndësinë që kish fituar folklori në këtë etapë të ndërtimit identitar. Folklori është ruajtësi i karakterit kombëtar dhe për shqiptarët edhe tabani i përbashkët për të gjithë komunitetet fetare.

Duke qenë i tillë, ai është edhe trualli që ushqen letërsinë e kultivuar kombëtare. Nga ana tjetër, botimi i letërsisë së kultivuar bashkë me letërsinë popullore, do të kthehet në një traditë në tekstet e më pasme antologjike të letërsisë shqipe.

Mirëpo S. Frashëri, ndryshe nga Z. Jubani që këto dy krijimtari i ka dhënë të integruara sipas kronologjisë historike të shkrimit, i diferencon qartë grafikisht. Ai e ndërton punimin me dy pjesë që pasojnë njëra-tjetrën, por edhe e shoqëron këtë ndarje me cilësimet respektive, i vjetër dhe i ri.

Kështu, S. Frashëri është mendimtari i parë shqiptar që ka përdorur termat i ri dhe i vjetër në gjykimin e një vepre letrare. Prandaj është me interes për të kuptuar përmbajtjen e këtyre dy termave dhe më konkretisht vijën ndarëse që përcaktonte një vepër të re dhe të vjetër.

Në vlerësimin thjeshtë historik, krijimtaria e Nezim Beratit është shkruar në gjysmën e parë të shek. XVIII. Ndërsa për sa i përket këngëve popullore, vetëm tri prej tyre mund të datohen, për shkak se bëjnë fjalë për ngjarje konkrete historike (Lufta greko osmane 1821; kryengritja kundër reformave të Tanzimatit 1847 dhe lufta ruse-osmane 1877). Kurse të tjerat i këndojnë ngjarjeve universale (lindja, dashuria), apo besimit në Zot dhe është i pamundur datimi i tyre.

Për më tepër që kjo pjesë nuk fillon me këngët historike, por me këngët lidhur me besimin Islamin.  Kështu duke ju referuar krijimtarisë së N. Beratit, është e vështirë, madje e pamundur që të përcaktohet në se këngët popullore janë krijuar para kohës kur ka jetuar poeti, apo pas tij.

Kështu që S. Frashëri, cilësimet i vjetër dhe i ri për këto krijime, më shumë se për një referencë kohore i ka përdorur për të treguar qëndrimin me vetë kohën. Krijimtaria e N. Beratit qëndron përpara folklorit jo sepse është krijuar para këngëve popullore, por sepse i përket një kohe tjetër.

Në të vërtetë, i ri dhe i vjetër janë dy terma që në këtë periudhë kanë fituar përmbajtje sociale dhe kulturore të caktuar, në Perandorinë Osmane, pjesë e së cilës ishin dhe territoret shqiptare. Hapja e letërsisë turko-osmane ndaj perëndimit në gjysmën e dytë të shek. XIX, solli në rend të ditës ballafaqimin dhe përplasjen ndërmjet letërsisë klasike të divanit dhe letërsisë realiste.

E para e vlerësuar si letërsi e vjetër dhe e dyta si letërsi e re. Për S. Frashërin, aktiv në këto debate, vija ndarëse ndërmjet letërsisë së vjetër dhe të re, përcaktohet nga modeli dhe natyra e letërsisë; e para letërsi për kënaqësi estetike kryesisht të elitave, sipas modelit lindor, kurse e dyta funksionale sipas modelit të letërsisë realiste perëndimore. Edhe në vlerësimin e letërsisë shqipe S. Frashëri ka mbartur gjykimin e letërsisë në funksion të ideologjive të kohës.

Në zërin shqiptarët, në enciklopedinë e tij Kamus-ul-alam, lidhur me letërsinë tek shqiptarët ai shkruan se shqiptarët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë kanë patur letërsitë e tyre. Por këto nuk mund të zënë vendin e letërsisë kombëtare të shqiptarëve, për shkak se myslimanët i kanë shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek e katolikët me alfabet latin, për shkak se veprat i kanë mbushur me fjalë e shprehje të huaja dhe për shkak se janë sipas modeleve të letërsisë së popujve të tjerë. S. Frashëri historinë e letërsisë e parashtron në funksion të kohës së re që po jetonin shqiptarët në dekadat e fundit të shek. XIX.

Dhe letërsia e shekujve të mëparshëm ballafaqohet me letërsinë kombëtare. Kështu që e gjithë letërsia e krijuar tek shqiptarët, sipas tij, klasifikohet në dy grupime të mëdha, kombëtare dhe jo kombëtare (para kombëtare).

Pavarësisht se për këto grupime ai nuk përdor termat i ri dhe i vjetër, marrëdhënia që ato vendosin me kohën është në funksion të raportit që ato kanë me ideologjinë nacionaliste. Në këtë kuadër, koha e letërsisë parakombëtare ka kaluar, edhe në se në këtë rast nuk është cilësuar e vjetër, i gjithë përshkrimi është në funksion të këtij vlerësimi. Madje edhe karakteristikat dalluese të saj janë dhënë mbështetur në këtë qasje.

Sipas tij, karakteristikë e letërsisë parakombëtare është krijimi sipas modelit të letërsisë së popujve të tjerë, përdorimi i shqipes me fjalë të huaja, shkrimi me alfabete të ndryshme (arab, grek dhe latin) dhe leximi i këtyre veprave vetëm nga shqiptarët e një konfesioni të caktuar.  Me këtë qasje ndaj të kaluarës letrare, Sami Frashëri është i pari që proceset letrare parakombëtare tek shqiptarët i sheh të lidhura me qarqet kulturore fetare.

Edhe në antologjinë e tij Mbledhje këngëve shqip të vjetëra dhe të ra S. Frashëri në mënyrë shumë koncize ka dhënë këtë qasje që ai ka ndaj letërsisë. Forma që ka përdorur për të ndërtuar antologjinë, dhe cilësimet përkatëse në titull për secilën pjesë, të shpien drejt një ballafaqimi ndërmjet tyre.

Nga ana tjetër ky ballafaqim, përcakton jo vetëm pozicionin e letërsisë klasike, si letërsi të vjetër, por parashikon edhe një prognozë të mirëmenduar të përdorimit të saj: “…Koha e tyre ka kaluar. Ato duhet t’i lexojmë vetëm për të mësuar historinë e letërsisë sonë dhe etapat nëpër të cilat ka kaluar gjuha  jonë. Le të përpiqemi që t’i ruajmë mirë si veprat e vjetra më të vyera të historisë së letërsisë. Le t’i respektojmë, le t’i nderojmë, le t’i japim vlerat sipas shkallës së tyre, por nuk mund të jenë modele për t’u marrë shembull.” do të shprehet S. Frashëri në një shkrim të tijin mbi letërsinë.

Në konfigurimin e ri kulturor që shqiptarët po kalonin në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte e pashmangshme ballafaqimi i dy kohërave, kombëtare dhe parakombëtare. Botimi i trashëgimisë letrare nga nacionalistët shqiptarë duhet parë edhe si një përpjekje për të zbutur pikërisht këtë hendek apo tension që ekzistonte ndërmjet këtyre dy epoka.

Madje edhe politika botuese që ndoqën, modernizimi i shqipes dhe zëvendësimi i fjalëve me origjinë turke, që herë shkonin deri në tjetërsimin e koncepteve fetare e kulturore si në rastin tipik të Ervehesë, botuar nga Jani Vretos, ishin pikërisht në funksion të kësaj përshtatjeje.

Përveç kësaj, qasja ndaj trashëgimisë letrare në periudhën nacionaliste, duhet vlerësuar edhe si faza embrionale e studimit të letërsisë shqipe.  Nga ana tjetër trashëgimia letrare, në këtë kohë është parë e lidhur ngushtë me procesin e kombformimit.

Ajo shërbeu për të treguar se çfarë kishin qenë të zotët të krijonin shqiptarët, por edhe për të inkurajuar krijimin e identitetit modern kombëtar.

Për këtë arsye dhe Naim Frashëri poetët e ashtuquajtur bejtexhinj i quan “vjershëtorë të Shqipërisë,” duke theksuar se ata ishin pjesë e trashëgimisë së përbashkët të shqiptarëve.

GENCIANA ABAZI-EGRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura