Letërkëmbimi i fundit mes Mitës e të shoqit në gusht 1959: Letra nga e shoqja që s’i ra kurrë në dorë Tuk Jakovës

Dec 8, 2014 | 15:26
SHPËRNDAJE

Fjalët e fundit që Mita dhe Tuk Jakova i shkruanin njëri-tjetrit në gushtin e vitit 1959. I operuar nga një apendicit akut, Jakova do të ndahej nga jeta më 26 gusht. Sipas raportit të autopsisë, shkaku ishte një peritonit, por familjarët dyshojnë për një vdekje të stimuluar. I biri i Tuk Jakovës rrëfen për takimin e fundit me të atin, dy javë para se të vdiste dhe si e kujton atë. Përgjimet në shtëpi dhe vështirësitë e jetës. Historia e persekutimit dhe terrorit që iu bë motrës së tij, e cilësuar si “armike”, për shkak të mungesës së fletës së votimit dhe historia e saj e dashurisë e ndërprerë në mes…

Ajo ishte vetëm 32 vjeçe dhe nëna e katër fëmijëve, kur bashkëshorti i saj, një nga themeluesit e Partisë Komuniste, Komitetit Qendror dhe ish-zëvendëskryeministër, Tuk Jakova, ndodhej në burg. Pas disa vitesh burgimi, ai pati një vdekje të papritur në moshën 45-vjeçare, që edhe sot ngre dyshime. Përgjatë dy viteve dy bashkëshortët Mita dhe Tuk Jakova i dërgonin njëri-tjetrit letra, në të cilat flisnin për përditshmërinë, për fëmijët, shëndetin.. Letrat janë të mbushura me mall, dashuri dhe me shpresën e ribashkimit të familjes. Ata i shkruan njëri-tjetrit deri pak ditë para se Tuk Jakova të ndërronte jetë në spital, pas 8 ditësh shtrimi nga një “apendicit akut”, për të cilin iu nënshtrua edhe një operacioni. Letra e fundit e Mitës mban datën 21 gusht 1959. Ajo nuk i ra kurrë në dorë të shoqit, i cili do të mbyllte sytë pas 5 ditësh. Ndërsa letra e fundit e Tuk Jakovës është nënshkruar më 20 gusht. Përveç shqetësimit për ca modele mobiliesh që nuk ia kishin pranuar, këshillave që letrat të mos ia fuste në pakot e ushqimeve, që të mos i vonoheshin, përshëndetjet për 4 fëmijët, e në veçanti për Gimin, që nuk do t’ia festonte dot ditëlindjen, Tuku nuk shpreh asnjë shqetësim nga ana shëndetësore. E megjithatë, më 26 gusht do të regjistrohet vdekja e tij. Në raportin sekret dërguar Komitetit Qendror të Partisë thuhej “Më datën 26 gusht 1959, ora 23:35, mbas 8 ditësh i shtruar në pavijonin e 15-të të spitalit civil Tiranë, vdiq i dënuari Tuk Jakova”. Edhe sot shkaqet e vdekjes janë gati një mister. “Nga sa u konstatua, operacioni i apendicitit ishte bërë në rregull sipas artit të kirurgjisë dhe vendi i operacionit ishte mbyllur. Por u gjet një masë e paralizimit të zorrëve të shkaktuar nga peritoniti, i cili kishte helmatisur rëndë krejt organizmin”, shkruhet në raportin e autopsisë.  
Tuk Jakova, i lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1914, ishte një nga aktivistët e parë të grupeve komuniste. Bashkë me Qemal Stafën, Zef Malajn dhe Vasil Shanton morën pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 nëntor 41. Aty u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qendror provizor. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u caktua komisari i Brigadës I Sulmuese, i Divizionit të Parë dhe i Korparmatës së tretë. Pas çlirimit u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të Partisë, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral, kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946, deri në vitin 1950, ishte një nga njerëzit më me pozitë të kohës. Pas disa përplasjesh me Enver Hoxhën, në vitin 1951, Tuk Jakova u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955 u përjashtua nga posti i anëtarit të KQ dhe u la për t’u diskutuar qëndrimi si anëtar i Partisë. Në nëntor të po këtij viti, bashkë me familjen e internuan në Berat ku vetëm pas dy muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës. Në vitin 1958 akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Më poshtë po sjellim letrat e fundit që çifti Jakova kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin vetëm pak ditë para se Tuk Jakova të ndërronte jetë…

Tuk shpirt!
Kësaj here u nisa për të takuar ty më e gëzuar se herët e tjera. Sepse nuk do të vija për të fjetur në hotel, por do shkoja ke nana në Durrës, e të nesërmen do vinim të dyja tek ti. Nanën nuk e gjeta në shtëpi. Ajo kish shkuar në Tiranë te Kola, mbasi Filipi familjarisht ishte për pushime në Dardhë. Ndejta nja dy orë në Durrës te teze Toninja dhe pastaj u nisa për Tiranë, Besnikun e çova ke nana ta lajmëronte që erdha dhe e prisja në hotel. Ajo nuk erdhi atë mbrëmje, por të nesërmen, të enjten më 20 gusht. Kisha blerë të gjitha ato që kisha menduar dhe u nisëm për të takuar ty.
Xhan i Mitës! A mund të të shpreh se sa u shqetësova kur mësova për shëndetin tënd? Isha në rrugë dhe më duhesh ta mbaja veten përpara një dhembje të re, të paprovuar deri tani, por po të them se që në atë çast edhe tashti më është bërë një si lëmsh në fyt që më bën të marr frymë me vështirësi. Është e tepër të të shkruaj se sa përpjekje kam bërë atë ditë që të lija diku ushqimet që kisha përgatitur (më mbajtën vetëm duhanin, 6 letra cigare, 1 kuti cigare dhe 1 kg sheqer) ose mbasi s’qe e mundur, në asnjë mënyrë të të shihja, të paktën të siguroja dy fjalë nga dora e jote. Më thanë se ishe mirë e për këtë duhet të isha e qetë, por ti xhan më kupton: “A mund të më qetësonin mua këto fjalë?” I dashur Tuk! Sikur të ishte puna për të bërë çdo sakrificë ose për të kaluar çdo vështirësi, çfarë s’do kisha bërë për të qenë qoftë edhe një minutë, mbi kokën tënde. Por në të tilla raste njeriu është i pafuqishëm. Megjithatë në imagjinatën time dëgjoja zërin tënd që më thërrisje dhe unë me mendje e me shpirt isha aty te koka yte xhan! Më dukesh sikur ti përpiqesh e më kërkon vetëm ujë. Unë nuk të jepja se të bënte keq, por po të lagja buzët e thara me një pecetë të lagur e një tjetër ta vija mbi ballin e nxehtë. A e ke ndjerë ti pra se sa afër më ke pasur në ato çaste të vështira? Ndofta ti e ke pasur me të vërtetë jo shumë vështirë dhe je mirë. Ashtu do dëshiroja me gjithë zemër, pavarësisht nëse mua më shkon mendja për të keq. Duke u kthyer kësaj here pa të takuar unë ndjeva se sa të lumtura më bëjnë, qoftë edhe ato pak minuta që të shoh shëndosh përtej hekurave. Nuk e di a e ndjen, a më kupton, se sa i shtrenjtë është shëndeti dhe jeta jote për mua e për fëmijët dhe në qoftë se ti e di mirë këtë dhe na don shumë, të lutem jeto i shëndoshë për ne që të duam shumë.
Kërkova në Ministri që të vij të të shoh porsa të dalësh nga spitali dhe për këtë nuk më kundërshtuan. Fëmijët i gjeta fare mirë. Ata më pritën shumë të gëzuar, por menjëherë u mvrenjtën kur më panë që u ktheva me ushqimet. M’u desh të tregohesha gjakftohtë dhe t’i qetësoja se ti ishe mirë. E ç’të të shkruaj tjetër. Uroj, uroj qindra herë, që ti të jesh mirë dhe kjo letër të të gjejë shëndosh! Të puth fort. Mita jote që të don fort. Më shkruaj gjatë për shëndetin.
Berat, 2 gusht 1959

(Kjo letër mbeti e pamarrë nga Tuk Jakova. Ai vdiq më 26 gusht 1959)

Shumë e dashtun Mita!
Letrën tënde të 24 korrikut e kam marrë para disa ditësh. U gëzova që ishit mirë. Më erdhi mirë gjithashtu që letrat e mia nuk të janë vonuar këto kohët e fundit. Edhe unë letrat tuaja i kam marrë më shpejt se tjetër herë. Më 5 gusht të shkruajta një letër pak më të gjatë se zakonisht. Aty i shkruajta edhe çupave dhe besoj se do të jeni kënaqë. Edhe unë kam dëshirë të shkruaj gjatë dhe posa marr letër nga ti, vazhdimisht përpiqem të të përgjigjem sa më gjatë dhe gjë më të vështirë nuk kam se sa kur të shkruaj në afatin e caktuar po pas marrë nga ti ndonjë letër gjatë periudhës së 15 ditëve. Ishe shqetësuar pak siç duket për çështjen e përgjigjes që mora për skicat dhe kërkoje të të shkruaja gjatë rreth kësaj. Unë shkruajta vërtet shkurt rreth kësaj çështje, sepse kryesorja në këtë mes është se skicat e mia të mobilieve nuk pranohen. Sigurisht të thuash ca fjalë më shumë, por çka me thanë e çka u thashë nuk besoj të të vijë keq që s’po t’i shkruaj në letër. Skicat nuk m’i kanë kthyer, megjithëse i kërkova. Unë nuk jam mërzitur nga kjo, prandaj edhe ti s’ke punë të shqetësohesh. Fotografitë dhe korrespodencën që m’i patën ndaluar në hetuesi, deri më sot nuk m’i kanë kthyer dhe as që ka shenja se do t’i kthejnë. Nuk më ke shkruar a ke qenë në punë fizike dhe si e ke kaluar kohën në punë. Siç të thashë edhe ma parë, çupave i shkruajta radhës tjetër, por për djemtë nuk e di si e kanë hallin a u kthyen apo jo, si janë me shëndet, dhe si e kaluan andej. Shkruaj edhe për to, po të lutem. Gimit po i uroj që tani ditëlindjen mbasi letra e 5 shtatorit kam frikë se nuk ju arrin deri më 15 shtator. U bafsh plak i thuaj dhe u rritsh me prind. Vazhdo të bahesh i mirë se atëherë babi të don shumë. Pakon që më ke nisë më 22 korrik unë ende nuk e kam marrë. Më shkruaje se kishe futë edhe një letër brenda. Herë të tjera mos fut letra në pako, se nuk është praktike, mbasi pakua vetë vonon shumë dhe kur vjen e hapet te hekurat në prezencën time, plaçkat m’i japin ndërsa letra pëson edhe një vonesë të dytë. Kështu humbet krejt aktualiteti dhe nuk ka më kuptim. Unë vazhdoj të jem mirë me shëndet, prandaj për mua mos u bëj merak. Më shkruaj si e kaloni me vapën dhe a keni shkuar në lum siç i kishte premtuar Vjosës. Kësaj here prapë të shkruajta pak, por ti më shkruaj më shumë.
Të përqafoj e të puth fort
Yti
Tuk
Puthi dhe fëmijt për mua.
Tiranë, 20 gusht 1959
Burg

I biri i Tuk Jakovës tregon arrestimin e të atit e pasojat që ranë mbi familjen
“Si e persekutuan dhe e terrorizuan time motër në gjyqin special”

Agim Jakova
Ai nuk ruan shumë kujtime nga i ati, megjithatë e sjell ndërmend si njeri të humorit dhe të këngës. E ka parasysh edhe takimin e fundit me të, vetëm dy javë para se të vdiste, kur bashkë me gjyshen, nënë Çien (të ëmën e Tuk Jakovës, Luçien) shkuan ta takojnë Tukun në burg. Porse dhimbja që la pas një jetë nën mbikëqyrje, nën internim dhe vdekja e babait do të vazhdonin gjatë… Agim Jakova është vetëm njëri prej katër fëmijëve të Mita e Tuk Jakovës, njëri prej të cilëve sot nuk jeton më. Ndërsa vajza e madhe, Vjosa, është ajo që vuan akoma dramën e një gjyqi që iu bë kur ishte ende studente e që më pas e bëri të përjetojë një traumë të rëndë psikologjike…

Ju keni qenë ende fëmijë kur babai juaj është arrestuar, e kujtoni momentin e arrestimit të tij?
E arrestuan në fillim në Manastirin e Zvërnecit. Unë duhet të kem qenë në fund të klasës së tretë në fillore dhe në janar ’57, një ditë prej ditësh u fut policia në shtëpi dhe dha urdhër arresti. Në shtëpi, në Berat, ku ishim të internuar, ka qenë edhe gjyshja.
Si ndryshoi jeta juaj pas arrestimit të babait?
Edhe më parë, kur ishim në internim e ai nuk ishte arrestuar kemi pasur përgjues në shtëpi. Këtë e ka zbuluar vetë babai, duke ardhur nga puna natën. Poshtë dyshemesë kishim një vrimë ku ajrosej dyshemeja dhe atje ishte vendosur përgjuesi. Për këtë arsye në shtëpi nuk bëheshin muhabete fare. Mamaja dhe babai paraqiteshin dy herë në ditë në Degën e Brendshme, e cila ishte rrugës kur shkonin për në punë. Në atë kohë babai punonte në ndërmarrjen e prodhimeve industriale në Berat.
Kur e keni takuar për herë të fundit babain, si e kujtoni atë?
Takimin e fundit e kam pasur në burg, ku shkova me gjithë gjyshen. E kishin qethur qeros. Ka qenë verë, gusht i ’59-s, rreth dy javë para se të vdiste. Ai ishte gjithë vitalitet. Ka qenë njeri me humor, i qejfit, këngës, shoqërisë. Ka qenë shumë human si njeri, siç thonë të tjerët në kujtime. Pati një aspiratë si gjithë rinia e atëhershme, u përfshi në lëvizjen komuniste dhe për aspiratat e tij kam respekt. Megjithëse unë e ndaj komunizmin nga enverizmi. Në atë kohë, moda ishte komunizmi si ideologji e re. Për mua, komunizmi është një ideologji për engjëjt. Sikur një shejtan të jetë, kjo ideologji nuk mund të triumfojë. E keqja është se fronin e mori djalli e bëri ato zullume që do të mbeten në histori. Por inteligjencës dhe klasës politike pësimi duhet t’i bëhet mësim. Në politikë duhet të vihen filtra. Sepse, siç e shohim, kanë ardhur njerëz perversë në politikë.
Pse e arrestuan babain?
Ai ka qenë njeri i drejtë dhe i sinqertë dhe kjo bëri që të dilte demode. I shkeli në kallo Enver Hoxhës dhe ai e hoqi qafe. Kur u bë Plenumi i Historisë së Partisë, në prill ’55, babai u ngrit dhe tha që Partinë nuk e ka krijuar Enveri, siç pretendohej, se ai kishte qenë pjesëtar dhe kishte punuar shumë derisa erdhi ajo ditë. Në atë kohë, Enveri i kishte eliminuar shumë të tjerë. Babai kërkoi që nacionalistët që kishin kontribuar dhe nuk kishin bashkëpunuar me pushtuesin të futeshin në histori. Ai është martir i së vërtetës historike.
Në gusht 1959, babai juaj befas vdiq në spitalin e burgut pas asaj që u quajt “apendicit akut”. Megjithatë për vdekjen e tij gjithmonë ka pasur një lloj hijeje dhe janë hedhur dyshime. Ju besoni se ai vdiq në mënyrë natyrale?
Jo, në asnjë mënyrë. Ka qenë eliminim. Ata e lanë qëllimisht t’i plaste apendiciti në qeli, por një kriminel më i kualifikuar e çoi pas pilafit në spital që të vdiste atje, kur nuk kishte më shpresë. Vdekja e tij është një gjë që duhet ta zbardhin, jo vetëm për tim atë, por ka shumë zhdukje mafioze gjatë sistemit, që i takon shtetit shqiptar t’i zbulojë. Mamasë i ka thënë Filat Muço, në Ministrinë e Brendshme, që babai i rezistoi operacionit dhe i kaloi rreziqet. Të nesërmen do ta nxirrnim nga spitali, një javë pas operacionit dhe “u habitëm si i ra kriza menjëherë”. Po të kishte peritonit do të kishte vazhdimësi dhe pas operacionit e nuk do të kishte zgjatur një jave kjo punë. E gjithë kjo të ngjall dyshime.
Vdekja e babait e bëri më të vështirë jetën më pas? Di që motra juaj e madhe ka vuajtur së shumti disa vite më vonë…
Pas vdekjes së tij na hoqën nga internimi, por survejimi jonë ka vazhduar. Motrës së madhe, Vjosës, e cila ishte shumë e mirë në mësime, i nxori të drejtën e studimit Mehmet Shehu, se ai dhe Tuku kanë qenë në Brigadën e Parë, njëri komandant dhe tjetri komisar. Rreth vitit ‘68, pasi mbaroi vitin e tretë në Shkencat e Natyrës, u bë aksioni në hekurudhë, në Mbrostar të Fierit. Në atë periudhë kishin përjashtuar e hequr nga shkollat e universitetet shumë njerëz, studentë me biografi të keqe. Mirëpo nëse diçka të tillë ia bënin motrës sime, Vjosës, do të ishte një kundërvënie karshi Mehmet Shehut. Atëherë asaj i vodhën numrin e votimit, të cilin e mbante në një libër që lexonte. Ajo shkoi e lajmëroi, por nuk e lanë të votonte. Pas humbjes së kartës së votimit, filloi presioni. Nuk ia mbante njeriu të mos votonte atëherë. Pas votimit, pasi nuk e lanë të votonte, i bënë gjyqin… Rreth pesë orë i është bërë një gjyq kriminal, aq sa ajo kaloi në panik. Hapi derën dhe iku me vrap në çadër, duke bërtitur: Mama, hajde më ndihmo! Vjosa kishte edhe një lloj melankolie në atë periudhë, sepse djali që e donte, u tërhoq nga lidhja me të, për shkak të biografisë. Punoja në Patos në atë kohë. Pas tri ditësh, më lajmëron vajza e xhaxhait: Eja ta marrësh se nuk është në rregull! Dola në mëngjes, atje ku kishim lënë takimin. Sa më pa, Vjosa u turr me vrap te unë dhe futi kokën në gjirin tim. Ishte e terrorizuar. Shkuam në Berat. Sa u fut në shtëpi, mbylli dhomën me tavolinë. Vuri një batanije në dritare, e errësoi dhomën dhe mbuloi kokën, që të mos shihte gjë. U struk në botën e tmerrit, që e kishte pllakosur dhe kështu degjeneroi, procedoi sëmundja, derisa e shtruam në spital dy javë më pas. Që atëherë ka hyrë e ka dalë në spital dhe tani, falë përkushtimit të mamasë, ka një gjendje stabël. Mund të komunikosh me të, por zëre se ke një fëmijë të vogël përpara. Motra ime ka shpirtin të sëmurë, edhe pse kujtesën e ka në rregull e me zor komunikon e tani së fundi edhe mezi dëgjon. Shpesh, edhe tani vonë, i shfaqet imazhi i persekutorit.
Çfarë gjëje të tmerrshme i bënë në këtë gjyq, nëse dini diçka më tepër?
Ka qenë një gjyq prej pesë orësh me të bërtitura e me presione, që i dinin ata vetë, se ishin specialistë. Gjyqi është bërë në një dhomë, ku kanë qenë vetëm persekutorët, specialistë kriminelë të Sigurimit. Nuk mendoj se ka qenë gjyq publik, sepse një person që ishte ngjitur në klub me dhomën ku u bë gjyqi, i ka rënë rasti të punojë me motrën tjetër dhe i ka thënë se ka qenë një kasaphanë. Vjosën e cilësuan si armike, duke i thënë: “Je armike që nuk votove! Ose do të shkosh në çmendinë, ose do të shkosh në burg”. Pas kësaj, motra ime nuk ishte as për punë, as për shkollë dhe që mos ta banalizoj, ishte një varr i zbuluar. Megjithëse ka marrë nga komisioni trepalësh raportin mjekësor se ka humbje të ndërgjegjes për shkak të persekutimit, nuk mund të marrë as sot dëmshpërblim, sepse nuk ka kaluar nëpërmjet një procedure njësie pas arrestimit, që duhej ta dërgonte hetuesia. Hetuesia e bëri punën e vet, e çmendi dhe e la. Këto janë defekte të ligjit.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura