Letër përgëzimi gjeneral Sandrit për fitoren legjendare

Nov 11, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

 

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

I dashur gjeneral Sandri, paske qenë qerrata e shkuar qerratait! Pa frymë e le mbarë një vend, kur u veshe e u mbathe dhe rrugën more për në Bejrutin e largët nëpër natë e duhi, hipur mbi balonë! Vetëm ikja e gjeneral Moisi Golemit kishte shkaktuar kaq tërsëllimë e pikëpyetje mbi fatin e Arbërisë. Gjithë vendi mbajti frymën, se një detyrë e shenjtë të ishte ngarkuar.

Pasi shërbimet italiane e nxuerrën djaloshin Alvin Berisha nga kampi Al-Hor, më e vështira, më sublimja, vetë kryedetyra të priste ty. Të gjithë e dinin këtë kur të përcollën në aeroport. Anëtarët e qeverisë, jo veç me mall e brengë e ndiqnin aeroplanin që po ngrihej, por edhe me zili e smirë. Ti u mbylle pesë ditë në një hotel të Bejrutit, duke ngrënë bukë e djathë, që kishe marrë në trastë me vete. Mërzite gjithë personelin e hotelit dhe agjentët libanezë, që pyesnin pse? Ç’po ndodh? Pse vallë? Por ti hiç, ndiqje detyrën dhe përmbushjen e saj, siç i ka hije një ushtaraku që nderin e vë para jetës.

Nga Tirana, herë pas here, vetëm një pyetje nga Elisa. E ke aty? Po, e kam. Më nis një foto. Dhe ti e vendosje herë mbi tavolinë e herë mbi krevat. Pastaj porosia, ruaje si sytë e ballit! Ankth, suspancë, tmerr! Lajmet e këqija nuk mungonin. Flitej që pastrueset e hotelit mund të sulmonin dhomën e ministrit. Ti veprove si ushtarak. Pas derës vure krevatin, tavolinën dhe një komedinë, në të cilën hyre vetë për të shtuar peshën. Në Tiranë, në shtabin e ngritur në Kryeministri, shikonin njëritjetrin në sy. Mos gabuam që e nisëm vetëm?! Mos duhej që atje, me të, për çdo rrezik të ishte edhe Gent Cakaj? Nëse dhoma sulmohej, ai do t’i magjepste me diturinë e tij. U recitonte poezinë “zogu dhe djali” e ata binin rrafsh nga lotët. Pasi kuvenduan gjatë, qasën për atje disa policë.

Erdhën besoj?! Ata sollën flamurin që do dilje në fotografi pranë kufirit dhe pak rezerva ushqimore. Por askush nuk e dinte se çfarë fshihje në dhomë! Pse nuk dilje jashtë për asnjë arsye? Pse gjithë ky vetëmohim e sakrificë? Ç’ishte ky sekret, kjo porosi e lartë që kishte ngujuar vetë ministrin e Brendshëm për pesë net e ditë të gjata si gazepi! Gazetarët bënin thashetheme, politikanët vlonin nga xhelozia, megjithëse nuk donin të ishin në vendin tënd e të rrezikonin kaq shumë!

Ata inatin e kishin me Kryeministrin, që pos teje, barrën e sekretit e të rëndësisë ua ngarkoi Elisës, Gentit dhe Nepit! Një mullâ u ngrihej në shpirt. Policët erdhën në sabah dhe vetëm pasi njëri pas tjetrit vikatën kodin, “Përshëndetje nga Komandanti i legjionit te nderit”, ua hape derën.

Alvini për gëzimin e një shoqërie të tërë, kishte kaluar kufirin! Por tani vinte pjesa më e rëndësishme, roli i vërtetë i qeverisë shqiptare dhe yti personalisht! Nëse kjo dështonte, gjithçka prishej! Nga poshtë krevatit nxore një kuti gjithë solemnitet! Policët e ngarkuan mbi tezge dhe e kapën dy para e dy pas, si të ishte shtroja lëvizëse e Kleopatrës!

Ata para e ti pas, rendët në kufi! Nga çasti në çast, dikush mund të sulmonte karvanin! Të gjithë ishit në rrezik. Një komb mbante frymën dhe ju ndiqte me ankth! Ti ishe hequr ca nga buka e djathi e pagjumësia! Po kaq, meraku nga Tirana të kishte stresuar. Dukej nga ato që the! Pagjumësia e kequshqyerja të kishin lodhur mendimet dhe tkurrur elokuencën. Po mos çaj kokë.

Ti u solle si hero! Ne të gjithë e kuptuam se ç’ngarkesë mbaje mbi supe, ç’peng të zaptonte shpirtin, pse gjithë ajo rrugë, vuajte e kob?! Ti dërgove atje pasaportën që duhej për Alvinin, e cila mbart në vetvete gjithë angazhimin e shtetit shqiptar, përpjekjen tënde dhe të Kryeministrit! E kush mund ta harrojë atë çast kur nxore pasaportën?! Do shënohet në histori! Kurrë shteti shqiptar nuk kishte angazhuar një ministër të lartë për një mision, kurrë para një të tillë misioni nuk ishte gjendur një qeveri.

Duhej një pasaportë! Një ministër për ta çuar dhe ruajtur. Sandër, i dashur, lodhja ia vlejti, gjithë sa ke mësuar në Akademi mbi artin e mbrojtjes pate mundësi ta aplikosh në atë dhomë hoteli. Shqipëria ndali në vend. U relativizua gjithë sa bëri qeveria italiane që e morën Alvinin nga Siria, nga ferri i luftës dhe e nxuerrën në Liban e me pas në Itali te familja. Mund të ndodhte gjithë kjo pa pasaportë? Kurrën e kurrës! Mund ta çonte dikush tjetër pasaportën? Asnjëherë! Ajo duhej ruajtur me trimëri dhe inteligjencë! Ti ia dole! Do të mbahesh mend gjatë si heroi i pasaportës!

Më bëre krenar më bëre, edhe mua që s’e kam shumë zakon lëvdimin! Po kaq krenare bëre Mirditën, e cila trimërinë e ka në gen! Pas Lleshit të Zi që la nam në Krime, në vitin 1856, po kaq e çudite ti njerëzinë në 2019-ën! Le të nxijnë nga smira të gjithë ata që thonë se bëre punën e postierit! T’u pëlcasin sytë të gjithë atyre, të cilët mendojnë se jeni të gatshëm që çdo dhimbje njerëzore, ta shndërroni në propagandë!

T’i haje dreqi pa mëshirë ata që thonë të gjithën për Alvinin e bëri Italia dhe ju shkuat si Muça pas Daive për të lëpirë ndonjë kockë lavdie! Mirë se erdhe e pusho pak merr veten! Hidh në kartë edhe ca kujtime për brezat dhe ruaje foton me flamur nga pas! Pas asaj të Ismail Qemalit e Isa Boletinit, ajo është e para për nga rëndësia! Fotoja nga dy Rilindjet! Mos u çudit nëse zëvendësi yt, Besfort Lamellari, të pret me Lahutë ndër duar në shkallë të ministrisë, duke të kënduar këngën! Çdo shqiptar ëndërron të jetë subjekt i një kënge!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura