Letër nënkryetarit Veliaj

May 22, 2020 | 10:10
SHPËRNDAJE

ROMEO HANXHARI romeo-hanxhari

I nderuar zoti nënkryetar, Po ju drejtohem direkt juve, sepse me mesazhin tuaj prekës pas prishjes së Teatrit, e keni tejkaluar kapacitetin mbajtës të durimit të shumë banorëve të këtij qyteti. Me siguri ju e keni marrë me mend pasojën qëkur e filmuat mesazhin, por tundimi i protagonizmit paska qenë në atë moment më i fortë se ju. Ah, ndjesë shumë! Do të doja t’ju drejtohesha me “zoti kryetar”, por, kam përshtypjen se këtej e tutje do të jeni përfundimisht thjesht nënkryetar, ose, madje, vetëm Drejtor Urbanistike i Tiranës. Vendi i Kryetarit konfirmohet i zënë që në 2001…

Po marr me radhë vetëm disa nga ato që ju deklaruat.

Ju thatë me krenari që “ne kemi pasur gjithmonë kundërshtarë të zhvillimit për çdo punë”. Jo, zoti nënkryetar, nuk është etike që ju të vetëkonsideroheni a priori sinonim i “zhvillimit”. Sepse mes qytetarëve që ju kanë qëndruar përballë në shumë raste, ju mund të gjenit jo vetëm guximin dhe ndërgjegjen e qytetit, por mund të gjenit edhe të vërtetën e tij, gjithmonë nëse ju nuk mendoni me mendjelehtësi se keni monopolin e së drejtës… Kthejeni pak shikimin nga vetja dhe ndoshta do të shikoni se në shumë raste si këto që do të citoj më poshtë, do të ishit ju që mund të konsideroheshit “kundërshtar i zhvillimit” dhe “i fiksuar me idenë e vet”..

Ju thatë që “u kundërshtua betoni te liqeni, por, ama, sa kënaqemi kur shkojnë fëmijët e luajnë atje”. E keni thënë disa herë, por kësaj radhe e përdorët edhe si alibi për prishjen e Teatrit. Ju lutem, mos na ofendoni kaq rëndë! Ju lutem! Pra, ju thoni që nëse ju e bëni fakt të kryer një veprim të padrejtë, njerëzit duhet ta refuzojnë realitetin përgjithmonë?! Pse talleni, zoti nënkryetar?! Ja, t’ju bëj një paralelizëm. Në 1980, diktatura shembi Bashkinë e Tiranës, ndërtesën më dinjitoze dhe më krenare të kohës së Mbretërisë, dhe aty, në vend të saj, ndërtoi Muzeun aktual Kombëtar, që u cilësua “çiban” në mes të sheshit. Me logjikën tuaj, duhet që meqë gjithë tironsit, përfshirë edhe mamanë tuaj, ishin në heshtje kundër prishjes së asaj godine, ata tani nuk duhet të shkojnë fare sot te Muzeu?! Kështu mendoni?! E, meqë diktatura prishi Pazarin e Vjetër të Tiranës, të cilin ne tani do të donim ta kishim ende si një qendër të vjetër historike të Tiranës, ne nuk duhet të hyjmë fare te Pallati i shëmtuar i Kulturës?! Kështu?! Dhe, meqë diktatura i shndërroi kishat në Tiranë e Shkodër në palestra basketbolli, njerëzit që shkonin atje për të parë sport, ishin “pro” prishjes së kishave?! Kështu?! Dhe meqë shumë njerëz ishin kundër prishjes së stadiumit “Qemal Stafa”, sepse e donin stadiumin e ri, por, ama e donin në një vend tjetër, tani ata nuk duhet të shkojnë në stadiumin me kullë që të shohin Kombëtaren?! Sepse, nëse shkojnë e shohin ndonjë ndeshje, ju mendoni se paskan filluar të mendojnë si ju?! Kështu?! Vërtet e besoni këtë?! Ju fajësoni njerëzit për shkakun se ata vazhdojnë të jetojnë duke u përpjekur t’i tejkalojnë traumat urbanistike e arkitekturore të pushteteve autoritare?! Kjo nuk është normale. Madje, ky “argument” është tejet fyes për çdo nivel inteligjence…

T’i kthehemi liqenit. Pra, ju thoni që “u kundërshtua investimi te liqeni”. Jo, zoti nënkryetar, nuk u kundërshtua një park lojërash atje, por u kundërshtua hedhja e betonit pa anë e pa fund në një zonë natyrore si Parku i Liqenit. Kjo u kundërshtua. Besoj është i lehtë dallimi. Pra, edhe njëherë: “po” këndit të lojërave, “jo” betonit! …Ju hodhët beton atje sa për të bërë një gjysmë qyteti të ri. Ne ju kërkuam të përdorni materiale alternative miqësore me mjedisin dhe natyrën, dhe ju u përgjigjët “ja, do përdorim tallash mbi beton dhe do vendosim qilim bari mbi beton”… Ne ju thamë që “edhe natyrë, edhe beton mbi natyrë nuk mund të ketë”. O njëra, o tjetri! Madje, ju vutë beton mbi natyrë dhe pastaj bar mbi beton. O zot! Qytetet moderne përpiqen të fusin natyrë edhe aty ku nuk ka pasur deri më sot, ndërsa ju vutë hiperbeton aty ku kishte natyrë. Dhe këtu mos më thoni “po rrugët a do shtrohen?” apo “po trotuaret do shtrohen?”, sepse është nivel i ulët debati. Po, edhe rrugë, edhe trotuare, edhe kënde lojërash, por mundësisht me materiale alternative brenda parkut dhe aty ku është e mundur. Te këndi i lojërave ishte e mundur. Ju e kuptoni fare mirë këtë, por e anashkaloni duke i mëshuar faktit se “ja, fëmijët po lozin aty, e shikoni, kot kundërshtuat”. Zoti nënkryetar, pse çfarë prisni ju, që fëmijët dhe gjyshërit e tyre të bëjnë grevë?! Ju lutem! Edhe sikur ju sot të prishni bashkinë tuaj dhe në vend të saj të bëni po sot një kënd lojërash, është e sigurt që fëmijët do të vijnë të luajnë aty për shtatë palë qejfe, e madje do bëjnë edhe çiçin ndoshta aty ku ju keni zyrën. Sepse janë fëmijë. E bëjnë edhe te këndi i lojërave po t’u vijë. …Do loznin fëmijët atje, edhe pse unë dhe shumë të tjerë do ishim “kundërshtues” për këtë prishje hipotetike. Do loznin fëmijët ashtu siç sot lozin te këndi i lojërave, te liqeni, mbi një volum betoni të tmerrshëm e të panevojshëm që është si ajsbergu: duket vetëm 10% në sipërfaqe. Fakti që fëmijët lozin, nuk mund t’ju shërbejë juve si alibi. Gjeni diçka tjetër…

u thoni që “ja, u kundërshtua Pazari i Ri, por, ama sa bukur ka dalë”. Po! Ka dalë bukur. Dhe, po! U kundërshtua, zoti nënkryetar, u kundërshtua për arsye të ndryshme, të gjitha të drejta. Ja, unë po ju them timen: unë protestova fort dhe publikisht në median e shkruar e audiovizive sepse ju aty vutë rëndë në rrezik shëndetin publik të të gjithë banorëve të Tiranës. Po, po! Edhe në atë rast, si zakonisht, ju mbyllët sytë përpara problemeve dhe nxituat t’i mbuloni dhe jo t’i shëroni. Ju e dinit që më përpara që aty kishte çimento-azbest. E dinit. Sepse ishte në sytë e të gjithëve, dukej qartë fare. Dhe të gjithë e dinë që azbesti është një material rreptësisht kancerogjen, fijet mikroskopike të të cilit shpërndahen në ajër kur ndërhyhet ashtu siç ndërhytë ju. Ato fije hyjnë në mushkëri dhe maturojnë kancer, që e vdes njeriun në harkun e disa muajve. Nuk ka shërim. Ju e dinit qëpo hiqnit një sipërfaqe catie me përmbajtje azbesti fijet e të cilit do fluturonin sipër kokave të të gjithëve ne. E dinit. E dinit, sepse një nga arsyet se pse i njëjti projekt kishte mbetur në letër pa u zbatuar edhe nga administrata Basha ishte se për heqjen e materjaleve me përmbajtje azbesti, duhej një ndërhyrje e posacme që nuk bëhej dot nga asnjë kompani në Shqipëri. Ka procesverbale të shkruara për këtë. Jam dëshmitar okular, sepse jam pyetur dhe mëështë marrë mendimi në konsideratë. Ju e anashkaluat këtë. Azbesti është kancerogjen i tipit më të lartë, dhe hiqet me procedura teknike shumë strikte, ndërsa ju bëtë gjoja të paditurin kur kompania kontraktore futi atje një punëtor fakir me lopatë për të thyer çimento-azbestin. Ai fakir punëtor do vuajë nga kanceri në mushkëri pas disa vitesh, dhe jo vetëm ai, fatkeqësisht, por edhe ata shumë njerëz që ishin aty rrotull, apo ata shumë banorë në pallatet përqark, e pse jo edhe banorë të tjerë të Tiranës, sepse fijet e azbestit që lëshoi “lopata” juaj janë aq të imta, saqë rrinë në ajër e transportohen andej këtej me javë e muaj të tërë. Aq skandaloze ishte ajo ndërhyrje harbutçe ndaj një materiali kancerogjen në një mjedis të banuar, saqë ju lemerisët dhe morët një letër të përbashkët proteste nga disa Sindikata e Shoqata nga Europa. Edhe në atë rast, si në rastin e Teatrit, ato institucione thanë “çfarë bëhet kështu në Shqipëri, si ka mundësi?!”. …Dhe ky nuk është rasti i vetëm kur Bashkia ka bërë punë publike duke hequr azbest kancerogjen në kundërshtim me çdo protokoll teknik ndërkombëtar dhe duke vënë ashtu në rrezik shëndetin publik. Edhe te Bulevardi i Ri e keni bërë këtë gjë. E sigurt!

Po pra, kam kundërshtuar në këto raste, zoti nënkryetar. Por kam kundërshtuar edhe projektin e qendrës ashtu si e keni bërë, sepse keni shtuar një grykë shisheje të pashërueshme në trafikun e Tiranës duke e shtuar ndotjen e ajrit rreth qendrës pedonale, çka vërtetohet plotësisht nga ato pak raste kur ju keni bërë monitorim të ajrit aty prapa bashkisë. Po, kam kundërshtuar publikisht edhe “terminalin e ri ndërqytetas të juglindjes”, sepse nuk ka sens që Athina 3-milionëshe të ketë 1 terminal, ndërsa Tirana që është më pak se çereku të ketë 2 apo 3, vetëm e vetëm në varësi të qejfeve të oligarkëve që ndajnë llokmat e udhëtarëve hallexhinj, duke i konsideruar thjesht klientë të qendrave tregtare. …E kam kundërshtuar edhe raste të tjera…

Dhe, po, ju kam përkrahur në politikën tuaj të ndërtimit të korsive të biçikletave, edhe pse po zbatoni projektin e paraardhësit tuaj. Keni bërë shumë mirë. Kam ndonjë vërejtje për mënyrën se si, si në rastin e “Myslym Shyrit”, por ok, bëhet kabull për hir të së tërës.

Për ta mbyllur, e shikoni zoti nënkryetar që ato që ju i quani “kundërshtime”, paskan pasur dhe kanë argumente? …Megjithëse kot jua them këtë: ju jeni i ndërgjegjshëm që është kështu siç jua them unë, pra, që ju keni qenë “kundërshtar” i zhvillimit, por një pjesë të rasteve të mësipërme ju i keni kaluar me mesazhe si ai që lexuat pasi shembët Teatrin. Edhe për Teatrin, zoti nënkryetar, ju nuk mundeni të thoni që “të gjithë kundërshtarët do të kënaqen kur të jetë Teatri i ri”…Sepse më së paku nuk është etike. Nëse nuk e kursyet vetë Teatrin, kursejuani poshtërimin qytetarëve që ti kundërshtove! Kursejuani poshtërimin!..Kjo ndoshta do t’ju ndihmonte të rikuperonit sadopak nga titulli “Kryetar”, zoti nënkryetar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura