Letër e hapur për Erion Veliajn

Feb 24, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE

Nikollaq-NeranxiNIKOLLAQ NERANXI

Meqenëse dje, në një dal je publike, thatë që unë jam miku juaj, por u çuditët pse ndodhesha në protestë poshtë dritareve tuaja, lind nevoja që unë t’ju jap një përgjigje, gjithashtu publike. Prej disa muajsh, unë jam kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë dhe përfaqësoj vetëm interesat e tyre në tubime publike, si ai i djeshmi.

Anëtarët e shoqatës që unë drejtoj, të cilët janë të gjithë tregtarë të vegjël, me dyqane modeste dhe fitime po ashtu shumë modeste, më kërkuan të gjej një zgjidhje për faturat e shtrenjta që ju u keni dërguar për muajin janar. Dhe unë isha para Bashkisë për t’ju thënë publikisht që supertaksat tuaja do t’i çojmë në Gjykatën Administrative. Dhe të thuash që taksat shkojnë në Gjykatë, nuk është gjuhë dhune, siç e cilësuat ju, por gjuhë ligjore dhe institucionale.

Si miku juaj, që ju kam njohur dhe përkrahur kur ju ishin në “Mjaft”, sepse unë jam adhurues i shoqërisë civile si pjesa më e pastër e shoqërisë, nuk do ta besoja kurrë, që sapo ju të merrnit pushtetin dhe të hipnit në një karrige, do të nënshkruanit vendime në kurriz të atyre që ju votuan dhe më pas do të harxhonit kaq shumë energji për të manipuluar të vërtetën në publik. Ne kemi vendimin tuaj në duar, si edhe faturat e tregtarëve. Nuk e kuptoj pse duhet t’ju besojmë ju kur thoni që taksat u rritën vetëm për të pasurit dhe jo për tregtarët e vegjël?

Ju zotërinj që jeni sot në pushtet, vendor dhe qendror, keni humbur çdo kontakt me realitetin! Ju mendoni se po drejtoni lopë dhe jo njerëz (ndjesë lopëve). Meqë pohuat se ajo që keni rritur, qenka vetëm taksa e tavolinës së zonës së ishBllokut ku punojnë të pasurit, sepse ju për të varfrit nuk paskeni ngritur asgjë, po ju rikujtoj rritjen e taksave në vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak dhe do përmend vetëm ato të biznesit të vogël, por edhe të individëve të thjeshtë:

1. Tabela e thjeshtë shkon 45 mijë lekë për metër katror (rritet disafish), ndërsa elektronikja që deri dje ishte njëlloj me të thjeshtën, shkon 90 mijë lekë për metër katror. Ju kujtojmë se për tabela ka nevojë edhe një njësi e vogël tregtimi apo shërbimi.

2. Keni shtuar taksën për arsimin, që nuk ekzistonte më parë, çdo familje duhet të paguajë 1800 lekë edhe pse arsimi është falas, nga 4 mijë lekë, në 47 mijë lekë për biznesin e vogël.

3. Taksa e hapësirës publike ka shkuar nga 150 lekë për metër katror, në 1500 lekë për metër katror. Kujdes, po flasim për hapësirën ku bëhet biznes, që është dyqani apo zyra.

4. Është shtuar një taksë e re që quhet taksa e tavolinave, përveç asaj të hapësirës, dhe është 2500 lekë për tavolinë në muaj. Me këto dy taksa, një bar-kafe 30 metra katrorë do të paguajë 60 mijë lekë në muaj, ndërsa në vit 720 mijë lekë vetëm që shfrytëzon një hapësirë publike.

5. Taksa e pastrimit është dyfishuar për të gjitha bizneset. 6. Taksa e fjetjes në hotel, motele, bujtina etj. 140 lekë për fjetje, hotel 4-5 yje 350 lekë për fjetje. Miku im Erion, të kërkoj ndjesë që nuk i përmenda të gjitha taksat, sepse ka akoma të tjera. Megjithatë, kjo punë sapo ka filluar, do të kemi raste të tjera për të folur për to.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura